ShGM: Mostransparenca e institucioneve çon deri te dezinformatat

    Me nismën e qendrës rajonale në Tetovës në kuadër ShGM-së u organizua trajnimi dy ditor në lidhje me sigurinë e gazetarëve dhe kameramanëve në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe PThP. Panelistë të punëtorësisë ishin Besir Aliu nga prokuroria e Tetovës dhe kryeshefi i SPB Tetovë, Amir Dalipi, shkruan Nistori.

    Gjatë punëtorisë u theksua rëndësia e komunikimit ndërmjet gazetarëve dhe MPB-së dhe PThP-së, si dhe siguria e gazetarëve.

    Fjalë hyrëse folën kryetari i ShGM-së, Mlladen Çadikovski duke treguar rëndësinë e këtyre takimeve, sepse vetëm kështu mund të identifikohen problemet dhe të tejkalohen ato.

    “Aktivitetet e kësaj natyre janë gjithmonë të mirëseardhura sepse ne kështu punojmë në drejtim të përmirësimit të bashkëpunimit, me një qëllim të vetëm – interesin publik. Më bën të lumtur fakti që deri më tani kemi krijuar një bazë të mirë për avancimin e këtij procesi, por gjithmonë mund të bëhet shumë më tepër përmes takimeve të tilla, përmes diskutimeve të hapura, sepse vetëm kështu mund të identifikojmë problemet dhe çfarë është më e rëndësishme mund të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Çadikovski.

    Urim Hasipi, koordinator i ShGM-së për rajonin e Pollogut foli sfidat e përditshme me të cilat ballafaqohen gazetarët dhe sugjerimet për tejkalimin e tyre.

    “Ndoshta ju duket e çuditshme, por ne ballafaqohemi edhe me diskriminim partiak, kjo pasi kemi shembuj ku bartës të funksioneve publike favorizojnë gazetarë dhe media të caktuara, ndërsa gazetarët dhe mediat që nuk i konsiderojnë si të afërta nuk ju japin informacion për çështje me interes publik”, theksoi kolegu Hasipi.

    Nënkryetari i ShGM-së, Senat Zylbehari tha se ngjarje të këtilla shërbejnë për të ngritur vetëdijen e institucioneve dhe gazetarëve për një komunikim dhe bashkëpunim mirëfilli. Ai tha se mungesa e një zëdhënësi në prokurorinë e Tetovës vështirëson punën e gazetarëve derisa të marrin informacionin e nevojshëm.

    “Vonesa e informacionit nga ana e prokurorisë, fatkeqësisht sjell shumë dezinformata. Dhe kjo gjë shkakton probleme si për prokurorinë, poashtu edhe për qytetarët dhe mediumin që marrin informata jo të sakta. Ndërsa sa i përket SPB Tetovë, mund të themi se ka përmirësim të bashkëpunimit, ka dy zëdhënës. Problem i theksuar mbetet mos informimi i pjesëtarëve të policisë në sjelljen ndaj gazetarëve”, deklaron Zylbehari për Nistorin.

    Ai shton se informacionet jozyrtare dhe ato zyrtare shkaktojnë kaos tek opinioni publik. Zylbehari kërkoi të identifikohen policët që japin informacione nga brenda për gazetarët dhe nuk i referohen raportit zyrtar.

    Kryshefi i SPB Tetovë, Amir Dalipi për Nistorin thotë se punëtori të tilla kanë një rëndësi të madhe, sidomos kur bëhet fjalë për përmirësimin e komunikimit SPB – gazetarë.

    “Gazetarët të marrin informata nga zëdhënësit e SPB Tetovë dhe jo nga dikush tjetër dhe opinioni të informohet sa më saktë rreth një ngjarje”, thekson Dalipi.

    I pyetur për policët që japin informata interne për mediume të caktuara, Dalipi shton mediat duhet t’u referohen vetëm raporteve zyrtare të policisë, gazetarë t’i denoncojnë policët që japin informata nga brenda SPB-së.

    Anëtari i bordit të ShGM – përgjegjës i kameramanëve në rajonin e Pollogut, Vedut Osmani për Nistorin tha se bashkëpunimi i gazetarit me kameramanin duhet çdoherë të jetë në sinkron për një produkt më cilësor.

    “Me rëndësi është koordinimi i gazetarit dhe kameramanit në një ngjarje të caktuar. Në fund të procesit, për të kompletuar një kronikë profesionale rëndësi ka edhe montazhieri”, thotë Osmani.

    Trajnimi u përmbyll me sugjerimet dhe rekomandimet se në të ardhmen duhet të organizohen ngjarje më të shpeshta, me qëllim për të nxitur komunikimin ndërmjet medias dhe institucioneve, gjë që do çonte deri te besueshmëria e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Erdogan shpall fitoren në zgjedhjet presidenciale

    Lajmi i rradhës

    “Çka dreqin ju solli këtu, ku është kërcënimi” / Von Cramon e vrazhdë me policët në veri të Kosovës (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë