“Shkallë e re” e bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE

    Pas luftës së agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe vullnetit të Kinës për pushtet, NATO dhe BE po avancojnë partneritetin e tyre. Përfaqësuesit e dy aleancave nënshkruan një deklaratë për këtë në Bruksel.

    Qëllimi i këtij partneriteti strategjik edhe më të ngushtë ndërmjet NATO-s dhe BE-së është që të veprojnë në mënyrë më të koordinuar kundër kërcënimeve të përbashkëta të sigurisë. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg nënshkruan një deklaratë në lidhje me këtë në selinë e aleancës ushtarake në Bruksel. Në këtë mënyrë, të dyja palët dëshirojnë ta çojnë partneritetin “në një nivel të ri”.

    Mbrojtja kritike e infrastrukturës, ndryshimet klimatike, ndërhyrjet e huaja…

    Të dyja palët duan të konsultohen më nga afër, veçanërisht në kontekstin e “konkurrencës gjeostrategjike në rritje” nga fuqi të tilla si Rusia dhe Kina dhe në “mbrojtjen e infrastrukturës kritike” si energjia dhe furnizimi me ujë, sipas tekstit prej katër faqesh.

    Nenshkrimi i bashkepunimit

    Një bashkëpunim më i ngushtë është i nevojshëm edhe në hapësirë, në luftën kundër “manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve të huaja” si dhe ndaj ndryshimeve klimatike. Ngrohja globale shihet si një rrezik për paqen dhe sigurinë, pasi kërcënon jetesën e miliona njerëzve. Kjo mund të rezultojë në edhe më shumë thatësira dhe përmbytje, ikje dhe migrim, si dhe rritje të konflikteve mbi burimet si uji dhe toka.

    Lufta ruse kundër Ukrainës shihet si kërcënimi më i madh i sigurisë. Kjo minon stabilitetin global dhe ka shkaktuar një krizë energjie dhe ushqimore që prek miliarda njerëz.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg flet për përmbajtjen e deklaratës​​​​​​​

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, flet në Bruksel për përmbajtjen e deklaratës.

    Rusia duhet të përfundojë menjëherë këtë luftë dhe të tërheqë trupat e saj nga Ukraina, kërkoi Stoltenberg në konferencën për shtyp që pasoi. Presidenti rus Vladimir Putin ka dështuar në përpjekjen e tij për të ndarë aleatët perëndimorë në konfliktin e Ukrainës, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Por vetëbesimi në rritje i Kinës sjell gjithashtu sfida të reja, tha ai.

    Deklarata e re e bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe BE-së bazohet në dy deklaratat e mëparshme të viteve 2016 dhe 2018. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Si të pastroni enët metalike të kuzhinës me metoda natyrale

    Lajmi i rradhës

    Tri mënyra të thjeshta për përdorimin e hudhrës kundër gripit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë