Shkarkohet Goran Boshevski – Gjykatës në Gjykatën Penale. Këshilli Gjyqësor me dhjetë vota “për”, vendosi ta shkarkojë Boshevskin. Boshevski është gjykatësi që gjykoi rastin “Trajektorja”, për ndërtimin e autostradave kineze – seksionet Milladinovcë – Shtip dhe Kërçovë – Ohër. Gjykimi filloi më 6 dhjetor 2017. Pas më shumë se tre vjet e gjysmë, nuk ka asnjë aktvendim, kështu që u vjetrua rasti i të arratisurit Nikolla Gruevski, i cili u akuzua së bashku me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Mile Janakieski, Vlladimir Peshevski dhe ish-drejtori i Agjencisë së Rrugëve, Ljupço Georgievski. Këshilli Gjyqësor konstatoi joprofesionalizëm dhe neglizhencë në kryerjen e funksionit gjyqësor.
Gjykatësi i shkarkuar nuk do të gjykojë më me vendim, por ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Supreme. Shkarkimi i Goran Boshevskit automatikisht do të thotë se “Trajektorja” do të nisë nga fillimi. Kjo nënkupton rishfaqjen e dëshmive dhe ekspertizës, lëshimin e të ashtuquajturave “bomba”, dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga të pandehurit dhe prokuroria.
Këshilli Gjyqësor sot, përveç shkarkimit të Goran Boshevskit, zgjodhi edhe kryetarë të rinj të gjykatave. Eljesa Aliji u zgjodh kryetare e Gjykatës Themelore në Gostivar, Mersim Marku u zgjodh kryetar i gjykatës në Dibër, Milica Avramçeva Zafirova në Gjevgjeli, dhe Liljana Dodevska kryetare e gjykatës në Sveti Nikollë.
Këshilli Gjyqësor nuk zgjodhi kryetar të gjykatës në Vinicë, ku ka ushtrues detyre tashmë pesë vjet, si dhe dështuan tre shpallje për zgjedhje. Megjithëse sot u desh të zgjidhet Kryetari i Gjykatës Administrative, kjo u shty për një seancë tjetër./Alsat/