Gratë që përdorin injeksione për humbje peshe duhet të përdorin kontracepsion dhe të presin deri në dy muaj pas ndalimit të ilaçit përpara se të tentojnë të mbeten shtatzënë.
Agjencia Rregullatore për Barnat dhe Produktet Shëndetësore (MHRA) ka lëshuar një paralajmërim në lidhje me përdorimin e barnave GLP-1, të cilat përdoren si për humbje peshe ashtu edhe për trajtimin e diabetit.
Ajo thotë se agonistët e receptorëve të peptidit-1 të ngjashëm me glukagonin (GLP-1 ose GLP-1 RAs) nuk duhet të merren gjatë shtatzënisë, gjatë përpjekjes për të mbetur shtatzënë apo gjatë gjidhënies.
Gratë që po përpiqen të mbeten shtatzënë janë paralajmëruar të ndalojnë përdorimin e ilaçit dy muaj përpara se të tentojnë për një shtatzëni, sipas Sky News.
Kjo për shkak se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për sigurinë që të dihet nëse marrja e këtij ilaçi mund të dëmtojë fetusin.
MHRA ka thënë se ka marrë 40 raportime të lidhura me shtatzëni nga gratë që kanë përdorur injeksionin. Gjithashtu, është zbuluar se Mounjaro ul efektivitetin e kontraceptivëve oralë tek gratë me mbipeshë. Kjo do të thotë se cilado që përdor këtë injeksion, duhet të përdorë gjithashtu kondom, veçanërisht gjatë katër javëve të para dhe pas çdo rritjeje të dozës.
Ministrja për Gratë dhe Barazinë, Bridget Phillipson, i tha gazetarit Matt Barbet të Sky Neës se është e rëndësishme që njerëzit të jenë plotësisht të informuar përpara se të përdorin injeksionet për humbje peshe.
“Kjo është një fushë e re dhe në zhvillim, prandaj është e rëndësishme të jemi të përditësuar si për përfitimet, ashtu edhe për rreziqet”, tha ajo.
Injeksionet për humbje peshe janë lidhur me një “bum shtatzënish”, pasi gra të ndryshme kanë raportuar online shtatzëni të papritura, pavarësisht përdorimit të kontraceptivëve – duke i quajtur ato “bebet Ozempic” apo “bebet Mounjaro”.
Të dhënat e MHRA tregojnë 26 raportime të lidhura me shtatzëni nga gratë që përdorin Mounjaro. Gratë nuk janë të detyruara të tregojnë në raport nëse shtatzënia ishte e padëshiruar, por njëra prej tyre e ka thënë shprehimisht këtë.
Ka pasur gjithashtu tetë raportime për gratë që përdorin Ozempic dhe Wegovy dhe nëntë të tjera për Victoza ose Saxenda, ku një grua deklaroi se shtatzënia e saj ishte aksidentale.
Dr Alison Cave, zyrtarja kryesore për sigurinë në MHRA, tha se këto “injeksione për dobësim” janë barna dhe nuk duhet të përdoren për qëllime estetike apo kozmetike.
“Ato nuk janë një zgjidhje e shpejtë për të humbur peshë dhe nuk janë vlerësuar si të sigurta kur përdoren në këtë mënyrë”, tha ajo.
Ajo u bëri thirrje pacientëve që të lexojnë fletëudhëzimin në paketim, ose të bisedojnë me një profesionist shëndetësor si pjesë e procesit të përshkrimit të barnës. /TCh/