SHKUP, 33 JETË TË HUMBURA GJATË VITIT 2023 NGA AKSIDENTET!

    Foto ilustruese

    Siguria në komunikacion është një çështje e rëndësishme për të gjithë, pasi jeta e të gjithëve varet nga siguria e komunikacionit. Derisa në vitet e fundit numri i aksidenteve nuk është ulur aspak. Aksidentet të cilat kanë ndodhur gjatë vitit 2023 në vendin tonë tregojnë se ende kemi shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Numrat janë shqetësues: aksidente, viktima dhe dëme materiale të shkaktuara. Ky faktor shqetësues bie në sy dhe shqetëson komunitetin tonë rrugor. Qytetarët reagojnë se duhet ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar sigurinë dhe për të mbrojtur jetën e njerëzve.

    Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për gazetën Koha, dhanë statistika për numrin e aksidenteve në qytetin e Shkupit gjatë vitit të kaluar, si dhe numrin e personave të vdekur si pasojë e aksidenteve në trafik.

    “Gjatë vitit 2023 në rajonin e qytetit të Shkupit kanë ndodhur gjithsej 3.263 aksidente trafiku, nga të cilat 33 aksidente trafiku kanë rezultuar me vdekje, në të cilat kanë humbur jetën 36 persona. Nga këta persona 22 kanë qenë këmbësorë, ndërsa pjesa tjetër janë pjesëmarrës të tjerë (shoferë, pasagjerë, biçiklistë, etj)”, thonë nga MPB.

    Ata shtuan se në pajtim me Programin Vjetor dhe Strategjinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të veprojnë në përputhje me aktivitetet e planifikuara për vitin 2024 përmes Departamentit për Parandalim dhe shërbimeve tjera.

    Ndërkaq për sa i përket pjesës së parandalimit të aksidenteve, kryetarja e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), Gordana Kozhuvarovska tha se është me rëndësi të punohet në ngritjen e vetëdijes të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, si dhe në ndërtimin e sistemit të vlerave shoqërore në të cilin siguria dhe etika në komunikacion do të marrin vend adekuat.

    Kozhuvarovska gjithashtu njoftoi se në rrugët e Maqedonisë së Veriut ka pasur gjithsej 106 aksidente me pasoja të vdekjes, në të cilat jetën e kanë humbur 114 persona.

    “Siguria në komunikacion është imeparativ i të gjithë subjekteve nga sfera e komunikacionit, por është e rëndësishme edhe për çdo njeri sepse çdonjëri në mënyrën e vet është pjesëmarrës në komunikacion. Për çdo ditë jemi dëshmitarë të një numri të madh të aksidenteve të cilët shpesh kanë edhe pasoja të padëshirueshme. Për fat të keq ende nuk mund të themi se kultura në komunikacion dhe etika në komunikacion janë në nivel të kënaqshëm”, u shpreh Kozhuvarovska. Ajo gjithashtu njoftoi se shënohet ulje e numrit të aksidenteve me të vdekur në raport me vitin e kaluar 2022, ku ka pasur gjithsej 109 aksidente me 116 persona të vdekur.

    Ndryshe, për dallim nga vitet e mëparshme aksidentet me pasojë fatale janë ulur dukshëm edhe në qytetet e tjera të vendit, ku gjatë vitit 2023 në rajonin e Tetovës janë regjistruar 856 aksidente trafiku, ndërsa jetën e ka humbur një person. Ndërsa në vitin 2022, kishte më pak aksidente, përkatësisht 805 aksidente, por më shumë viktima, ku nga aksidentet humbën jetën 8 persona, prej të cilëve 4 kanë qenë këmbësorë.

    Lajmi Paraprak

    RMV, kostoja e jetesës në vitin 2023 u rrit për 9,4 

    Lajmi i rradhës

    Qeveria do të shqyrtojë mundësinë për shtyrjen afatit të dokumenteve personale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë