Shkupi dhe Sofja bashkërisht shënojnë Ditën e “Kirilit dhe Metodit”, autoritetet në vend presin zgjidhje të kontestit

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, dhe ai i Bullgarisë Rumen Radev, kanë udhëtuar bashkërisht në Romë, për të shënuar Ditën e “Shën Kirilit dhe Metodit”. Kjo ditë tek maqedonasit njihet si dita e alfabetit sllav, ndërsa Bullgaria e njeh si dita e alfabetit bullgar.

    Sipas autoriteteve në Maqedoninë e Veriut, ky kremtim i përbashkët është shtysë e fortë për të arritur tek zgjidhja e kontestit në mes Shkupit dhe Sofjes, shkruan Nistori.

    Kryeministri Zoran Zaev, sot para mediumeve deklaroi se “pret që Pendarovski dhe Radev të arrijnë një hap përpara në drejtim të tejkalimit të problemit”, i cili e bllokon integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

    “Pres që mes presidentit tonë, Pendarovski dhe presidentit bullgar, Radev të arrihet një hap përpara në drejtim të tejkalimit të këtij problemi, i cili e bllokon integrimin evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor, por edhe perspektivat tona evropiane. Besoj se fryma evropiane, të cilën e kultivon Presidenti Radev, por edhe Presidenti ynë do të japë shtysë mes tyre për të bërë një hap përpara dhe për të vazhduar më tutje”, deklaroi Zaev.

    Ndërkaq, presidenti bullgar Rumen Radev tha se me Pendarovskin do ta shpalosin vullnetin e përbashkët, të ndërsjellë dhe politik.

    “Papritmas u bëra shumë interesant për të gjithë liderët evropianë. Në nivel ditor kishim ftesa për të biseduar me së paku dy kryeministra, një President dhe një eurokomisionar. Kështu që, ndaj Bullgarisë ka shumë vëmendje, nuk do ta shqiptoj fjalën – presion. Gjëja më e rëndësishme është se Bullgaria, si anëtare e përgjegjshme e BE-së të mos lejojë që brenda Unionit të futen probleme të reja. Mendoj se mënyra e zgjidhjes së të gjitha problemeve, mënyra e hapjes së rrugës evropiane të vëllezërve tanë nga RMV-ja, para së gjithash kalon përmes Sofjes”, tha Radevi.

    Kurse presidenti Pendarovski javën e kaluar tha se në udhëtimin e përbashkët me Radevin pret të bisedojnë edhe për kontestin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, por se këto do të jenë vetëm biseda joformale.

    Ndryshe, kryediplomati portugez, Silva vendi i të cilit kryeson me BE-në, të premten dorëzoi propozim për zhbllokimin e negociatave mes vendit e BE-së. Derisa Shkupi e vlerësoi propozimin si bazë të mirë për zgjidhje, Sofja vazhdoi të këmbëngulë në kërkesën e saj mbi garanci të qarta që Shkupi do ta zbatojë Marrëveshjen dypalëshe të vitit 2017.

    Jozyrtarisht propozimi i Silvës parashikon që kontesti të mos zgjidhet përmes kornizës negociuese, por përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asociim./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Sektori i gastronomisë po mbetet pa punëtorë

    Lajmi i rradhës

    Arrat si ushqimi më i mirë për mbrojtjen e shëndetit mendor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë