Shkupi përballet me vërejtje të reja nga Bullgaria në rrugën drejt BE-së!

    Përderisa pritej që Konferenca e Sigurisë në Mynih të jetë një moment kyç për dinamikën e re të negociatave mes Shkupit dhe Sofjes në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje për zhbllokimin e procesit integrues të vendit, deklaratat e fundit të kryetarit të Qeverisë të dhëna në Parlament kanë irrituar tej mase palën bullgare.

    “Në regjistrimin e popullsisë në Shqipëri në vitin 2011 ka pasur zero bullgarë. Pyetja është si vijon: Nëse tani, në këtë regjistrim të vitit 2023, ka mbi tetë mijë bullgarë, ndërsa në vitin 2011 kishte 5,5 mijë maqedonas dhe tani ka 2300, teorikisht, nëse tre mijë prej tyre kanë rënë nën politikën asimiluese bullgare, siç thoni ju, atëherë pjesa tjetër deri në tetë mijë, çfarë janë, shqiptarë? Ne kujdesemi për pakicën maqedonase kudo. Pyetja e vërtetë është pse në Maqedoni duhet të përfshijmë në Kushtetutë 700-800 bullgarë që deklarojnë se gjuha e tyre amtare është bullgarishtja, ndërsa pse Shqipëria nuk ka këtë kusht për t’i përfshirë këta tetë mijë në Kushtetutë? Kjo është çështja thelbësore”, është shprehur kryeministri Mickoski.

    Këto deklarata ka sensibilizuar elitat politike në Bullgari, duke e dënuar ashpër. Bojko Borisov, i cili është kryetari i partisë GERB që ka numrin më të madh të vendeve në parlamentin bullgar dhe që është shtylla kryesore e qeverisë së re politike në Sofje. Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga gazetarët se si e komenton deklaratën e Mickoskit – si provokim apo si një test për qeverinë e re në Bullgari, shkurt tha:  “Provokim absolut dhe thjesht nuk duhet t’i kushtohet vëmendje. Ministria e Punëve të Jashtme (e Bullgarisë) reagoi mirë, kështu që – ata dinë ta bëjnë këtë”, deklaroi Borisov. Më i ashpër se Borisovi ka qenë lideri i partisë “Ka një popull të tillë”, Sllavi Trifunov, që është gjithashtu pjesë e pushtetit “ Me të vërtetë më kanë lodhur këta njerëz. Nuk mund të them nëse jam i zemëruar apo i trishtuar. Mickoski, ata që e zgjodhën dhe ata që kënaqen me atë që ai thotë, sa më përket mua, të gjithë ata, me Mickoskin në krye, do ta shohin Bashkimin Evropian përmes një makarone të shtrembëruar. Shumë të shtrembëruar!”, është shprehur Trifunov.

    Ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Bullgarisë, nga ku shprehen se deklaratat e Mickoskit shtrembërojnë realitetin dhe minojnë përpjekjet për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim evropian. Në njoftim theksohet se çështja e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është një mosmarrëveshje bilaterale, por një çështje që lidhet me vlerat dhe standardet evropiane. Sipas Bullgarisë, përparimi në integrimin evropian është i mundur vetëm nëse Maqedonia e Veriut e zbaton plotësisht Konsensusin Evropian të rënë dakord nga Këshilli i BE-së në vitin 2022, i cili përfshin edhe ndryshimet në Kushtetutën maqedonase.

    “Respektimi i të drejtave të pakicave dhe garantimi i barazisë së tyre janë parime themelore të BE-së. Në këtë kontekst, RMV-ja, si vend kandidat për anëtarësim në BE, mban përgjegjësi për të harmonizuar legjislacionin dhe praktikën e saj në përputhje me këto parime. Gjithashtu, duam të theksojmë faktin se një numër i madh i qytetarëve të RMV-së kanë marrë shtetësi bullgare, duke pranuar prejardhjen dhe identitetin e tyre bullgar”, thuhet më tej në njoftimin e MPJ-së bullgare.  

    Sofja i bën thirrje autoriteteve maqedonase të përmbahen nga një retorikë që krijon përçarje dhe urrejtje dhe të fokusohen në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve etnike në vend.

    Ndërkohë, ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani, është shprehur se kjo qeveri nuk ka ndërmend të bëjë ndryshimet kushtetuese, me vet faktin që në një periudhë të ardhshme të afërt janë zgjedhjet lokale. Sipas tij, për VMRO-DPMNE-në më me rëndësi janë rejtingu politik se sa interesi i qytetarëve të vendit.

    “Kjo qeveri nuk do i bën ndryshimet kushtetuese, për shkak se është shumë e varur nga procesi zgjedhor, është qeveri të cilat vendimet i merr në bazë të anketave ditore, flas për VMRO-DPMNE-në. Populli na zgjedh për të marrë vendime të cilat ndonjëherë janë jopopullore, por do të jenë të mira për njerëzit, që të kenë jetë më të mirë. Ju veç më e shihni kryeministri është më shumë nëpër këshillat e partisë dhe flet për zgjedhjet lokale, është e qartë se nuk ka tema. Po nuk pat zgjedhje parlamentare së bashku me ato lokale, përsëri nuk do të ketë ndryshime kushtetuese”, theksoi Osmani, i cili elaboroi idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Sipas Osmanit, nëse në tetor kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokalet, atëherë vendi katër vitet e ardhshme nuk do të ketë aspak zgjedhje dhe kjo do të jetë një periudhë ku partitë politike nuk do të marrin vendime politike duke kalkuluar me rejtingun partiak.

    Përndryshe tensionet mes Shkupit dhe Sofjes po ndodhin pikërisht në momentin kur pritej që qeveria e Shkupit të fillojë negociatat me qeverinë e re bullgare. Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski kishte theksuar se pret një takim mes ministrit të jashtëm maqedonas, Timço Mucunski, dhe homologut bullgar, Georg Georgiev, në margjinat e konferencës së Mynihut e cila nis më 14 shkurt. Kujtojmë se deri më tani, nuk ka pasur komunikim mes qeverisë së re bullgare dhe Shkupit. Një takim të nivelit të lartë e ka paralajmëruar edhe ministri për çështje evropiane Orhan Murtezani.  

    “Insistimi ynë është që procesi negociator të mos pengohet nga çështjet bilaterale dhe të fokusohet në reformat, të cilat janë themeli i integrimit evropian. Negociatat nuk janë dizajnuar për të zgjidhur çështje historike apo bilaterale, por për të përgatitur vendin për anëtarësim në BE”, ka deklaruar Murtezani.

    Përndryshe qeveria e Shkupi insiston për garanca se pala bullgare nuk do të ketë kërkesa të reja pas ndryshimeve kushtetuese. Megjithatë, nga Sofja nuk ka sinjale të ngjashme. Sipas burimeve të Euroaktiv, qeveria e re bullgare nuk është e gatshme të rinegociojë kushtet për Maqedoninë e Veriut. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Vetëvrasjet, si tregues i një shoqërie anomike

    Lajmi i rradhës

    Taravari: VLEN i gatshëm për ndryshimin e stemës, por edhe 20%

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë