Do ta nisje ditën pa një kafe? Do ta festoje natën e ndërrimit të viteve pa një gotë verë? Nëse jo, duhet të fillosh të mendosh se çfarë mund të bësh për të frenuar ndryshimet klimatike.
Kur flitet për ndryshimet klimatike, shumëkush mund ta shohë si një çështje shumë madhore, shumë larg halleve tona të përditshme.
Por shumë shpejt do të vijë dita kur të hapësh frigoriferin e të kuptosh efektet e ndryshimeve të klimës dhe sigurisht jo për shkak të ajrit të ftohtë.
Pra do të vijë dita, kur do të kujtosh me nostalgji rrushin, mollët, birrën apo edhe verën. Këto janë vetëm disa nga produktet që rrezikojnë të zhduken për shkak të ndryshimeve klimatike.
Shqiptarët do t’i ndjejnë këto pasoja kryesisht në prodhimtarinë e rrushit dhe të ullinjve, që janë kultura të ujitura, me varësi nga rreshjet.
Sipas një raporti të Bankës Botërore parashikohet që deri në vitin 2050 prodhimi i rrushit të këtë një rënie prej 20 %, ndërsa prodhimi i ullinjve një rënie prej 21%.
Sipas Raportit, Shqipëria po goditet rregullisht nga përmbytjet, të cilat dëmtojnë të mbjellat, ndërsa pritet një shtim i këtyre katastrofave natyrale, si në sasi ashtu edhe në frekuencë si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Edhe pse nuk prodhohen në vend, por si konsumatorë, shqiptarët do t’i ndjejnë shumë mungesën e kafes dhe çokollatës.
Janë këto dy produkte që kryesojnë listën e produkteve që rrezikojnë të zhduken për shkak të ndryshimeve klimatike.
AgroWeb ju rendit një listë me këto produkte që mund t’ua sjellin pasojat e ndryshimeve klimatike pak më pranë, pasi secili mund të bëjë diçka për frenimin e këtyre ndryshimeve nëse nuk duam ta shohim tregun dhe frigoriferin gjithnjë e më bosh;
Kafeja
Kafeja është gjithnjë e pranishme, madje në Shqipëri me shaka shpesh e quajmë “institucion”. Rreth 8.5 milionë tonë kafe prodhohen në 60 shtete në pothuajse çdo kontinent. Gjysëm trillion tonë kokrra kafeje konsumohen çdo vit. Por njerëzit përqark globit duhet të fillojnë të gjejnë një mënyrë alternative për ta nisur ditën. Së fundmi një kërpudhë helmuese e quajtur “Sëmundja e kafesë” (coffee rust) ka përfshirë Amerikën qendrore duke ndërprerë prodhimin e kafesë dhe duke ndikuar seriozisht në ekonomitë lokale. Ekspertët besojnë se përhapja e sëmundjes është shkaktuar nga rritja e temperaturës pasojë kjo e ngrohjes globale. Planatacionet e kokrrave të kafesë në bregun Kona të Ishullit të Madh të Hawaii po shkatërrohen nga një tjetër insekt i quajtur Turjela e kokrrave (coffee berry borer) për të cilën studiuesit thonë se pritet të shndërrohet në një kërcënim edhe më të madh si pasojë e ndryshimeve klimatike. Edhe në Afrikë studiuesit parashikojnë që numri i rajoneve që tregtojnë kafe do të bjerë mes 65-100% ndërkohë që temperaturat në sipërfaqe rriten.
Çokollata
Një mesatare prej një miliard njerëzish konsumon çokollatë çdo ditë. Një Evropian konsumon rreth 7 kilogram çokollatë në vit. Por topografia e Ganës dhe Bregut të Fildishtë ku prodhohet më shumë se gjysma e sasisë botërore e farave të kakaos, do të jetë shumë më ndryshe deri në vitin 2050, aq sa do të ndikohet ndjeshëm prodhimi. Sasia optimale aktuale për prodhimin e kakaos është nga 100 deri në 255 metra mbi nivelin e detit. Por sipas një studimi shqetësues të vitit 2011 konstatohet që kjo lartësi e duhur do të rritet me 450-500 metra mbi nivelin e detit.
Raporti thotë se mund të ketë rënie në sasitë e prodhuara të kakaos deri në vitin 2030. Përtej ndikimit në konsumin e drejtpërdrejtë të çokollatës, ndikimi tjetër ka të bëjë me fermerët të cilët të ardhurat e tyre i kanë të bazuara në tregtimin e kakaos.
Mollët
Si do të thoshte dikur teologu gjerman Martin Luther, “Edhe nëse do ta dija që nesër bota do të shkatërrohet, sërish do ta mbillja një pemë molle”. Ajo që nuk kuptoi ai dikur, ishte se do të vinte ajo ditë kur pemët e mollëve nuk do të kishin mundësi të kultivoheshin më. Në vitin 2011 një ekip ndërkombëtar studiuesish publikuan një studim nëpërmjet të cilit zbuluan që: Temperaturat e nevojshme që pemët e frutave dhe ato të arrave, të cilat kanë nevojë për një periudhë të caktuar të klimës së ftohtë, mund të ndikohen nga ngrohja globale me rritjen e temperaturave në dimër. Në studim gjithashtu sugjerohet që fermerët të përgatiten për një të ardhme më të ngrohtë ndaj u duhet të kultivojnë varitete që nuk kërkojnë klimë të ftohtë.
Mollët, veçanërisht variteti Fuxhi do të kenë një shije shumë më të ndryshme nga mollët që konsumojmë sot sipas një studimi Japonez i cili zbuloi se temperaturat në rritje po shkaktojnë çeljen e shpejtë të frutave të pemëve të mollëve duke i bërë këto të fundit më të buta dhe të ëmbla. “Nëse do të mund të konsumonit një mollë të vjelë rreth 30 vite më parë dhe një mollë të vjelë së fundmi në të njejtat periudha do të kuptonit ndryshimet,” thuhet në këtë studim.
Orizi dhe fasulet
Orizi është një produkt shumë i përdorur për pothuajse gjysmën e popullsisë në të gjithë botën. Por luhatjet klimatike mund të ndikojnë ndjeshëm në rendimentin e prodhimit të orizit përgjatë këtij shekulli.
Bazuar në një raport të OKB-së për Bujqësinë dhe Ushqimin, “rritjet e temperaturave, rritja e niveleve të oqeaneve, dhe ndryshimet në sasitë e rreshjeve të pritura si pasojë e ngrohjes globale mund të çojnë drejt ndryshimeve thelbësore në burimet tokësore dhe ujore që shërbejnë në prodhimin dhe produktivitetin e orizit.”
Edhe fasulet mund të pësojnë rënie në prodhim për shkak të ngrohjes globale. Sipas një raporti nga Qendra Ndërkombëtare për Bujqësinë Tropikale temperaturat më të larta mund të ulin rendimentin e fasuleve me rreth 25%. Fasulet janë shumë të ndjeshme ndaj nxehtësisë dhe varietetet që po prodhojnë fermerët aktualisht nuk japin shumë rendiment në një periudhë kur netët kanë një temperaturë 18 ose 19 gradë. Fatmirësisht studiuesit kanë identifikuar rreth 30 lloje të fasuleve që kanë tolerancë ndaj temperaturave rreth 4 gradë më të larta se normalja.
Prodhimet e detit
Një nga efektet më dramatike të ndryshimeve klimatike është aciditeti i oqeanit, një rritje e pehashit, ose përqendrimi i jonit hidrogjen të oqeaneve duke e rritur aciditetin e ujit. Ky efekt shkaktohet nga thithja e dioksidit të karbonit atmosferik nga oqeanet, gaz ky që çlirohet nga djegja e karburanteve dhe e pyjeve. Kjo rritje e pehashit është shumë e dëmshme për gjallesa si koralet, gaforret dhe karkalecat dhe molusqet si kërmijtë apo midhjet për shkak të kalçiumit që u nevojitet për të formuar guaskat e tyre dhe për rrjedhojë mbijetesën. Studiuesit gjithashtu besojnë se salmoni rozë, një nga speciet më në masë të Paqësorit do të jetë viktima e parë e ndryshimeve klimatike duke qenë se ky lloj i peshkut nuk mund të mbijetojë në ujëra me aciditet të lartë. Aciditeti i oqeaneve nuk është i vetmi kërcënim ndaj peshqve. Sipas një studimi, temperaturat e larta do të çlirojnë gjithnjë e më shumë elementët e plastikës që hidhen në dete e oqeane, duke kërcënuar mbijetesën e një shumëllojshmërie speciesh të ujrave si trofta, barbuni dhe krapi.