Vazhdojnë reagimet pas ndryshimit të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili mori formë tjetër pas veto-s së presidentes Gordana Siljanovska Davkova, për të cilën ishte e papranueshme që licencat për çerdhe të jepen në dy gjuhë. Opozita shqiptare – BDI akuzon se po tentohet minimizimi i gjuhës shqipe, ndërsa nga ana tjetër koalicioni shqiptarë në pushtet (VLEN) vlerëson se pas njëzet viteve mundësuan që kandidatët shqiptarë ti marrin licencat e tyre edhe në gjuhën shqipe.
BDI nëpërmjet një konference për media vlerëson se me këtë ka ndodhur edhe njëherë poshtërimi sistematik dhe hap pas hapi i statusit të gjuhës shqipe. Sipas integristëve fajtorë për këtë janë koalicioni shqiptarë në pushtet, VLEN, ndërsa kërkuan nga ana që të mbajnë përgjegjësi për siç thonë shkeljen e Kushtetutës dhe tentimin për zhbërjen e Marrëveshjes së Ohrit.
“Qeveria jolegjitime ka shkelur jo vetëm Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe Marrëveshjen e Ohrit dhe Ligjin për Gjuhët. Miratimi i ndryshimit të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, ku përcaktohet që licencat të lëshohen në gjuhën shqipe vetëm me kërkesën e përfituesit, është një akt që minimizon rëndësinë e gjuhës shqipe, duke e reduktuar nga gjuhë zyrtare dhe detyruese në një mundësi të kërkuar, duke shkelur me dy këmbë të drejtat themelore të shqiptarëve në këtë shtet. Ky vendim është një hap prapa dhe një dështim tërësor për të respektuar standardet e barazisë dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligje ndërkombëtare”, theksoi Arta Bilalli nga selia e BDI-së.
Sipas saj, gjuha shqipe është një e drejtë e pacenueshme dhe nuk mund të trajtohet si një opsion që jepet sipas kërkesës dhe duke u bazuar në këtë edhe ndryshimi i ligjit është një akt i papranueshëm dhe i dëmshëm për të ardhmen e marrëdhënieve ndër-etnike dhe përmbushjen e premtimeve të bëra për të siguruar një shoqëri të barabartë.
“Ky ndryshim i ligjit është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në statusin e gjuhës shqipe. Kërkojmë nga Qeveria të korrigjojë menjëherë këtë gabim dhe të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit. BDI do të vazhdojë të qëndrojë e fortë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, për të siguruar që gjuhët zyrtare të trajtohen me të njëjtin respekt dhe barazi, siç është paraparë nga ligjet e këtij shteti. Gjithashtu, i bëjmë thirrje partive të vlen , që të ndalojnë ndihmën që i bëjnë këtij poshtërimi dhe degradimi të statusit të gjuhës shqipe.”, ka theksuar anëtarja e BDI-së Arta Bilalli Zendeli.
Nga ana tjetër, pas miratimit të ligjit në fjalë nga koalicioni VLEN e kanë cilësuar si arritje faktin që kandidatët shqiptarë për kujdestarë në çerdhe do të mund ti marrin licencat edhe në gjuhën e tyre amtare.
“VLEN arriti që nga tani e tutje, t’ua mundësoj kandidatëve shqiptarë për kujdestarë të fëmijëve t’i nënshtrohen provimit në Gjuhën Shqipe dhe licencat t’i kenë edhe në Gjuhën Shqipe. Për 20 vjet kandidatët për kujdestar dhe licencat e tyre kanë qenë vetëm në gjuhën maqedonase. BDI për më shumë se dy dekada nuk mundi t’i zgjidh problematikat e shqiptarëve dhe ta dërgojë në fund zbatimin e gjuhës shqipe”, thuhet në komunikatën e koalicionit VLEN, nga ku vazhdojnë me kritika në drejtim të BDI-së, pasi sipas tyre në vend të avancimit të të drejtave të shqiptarëve, BDI ka pasur prioritet interesin personal të funksionarëve të tyre.
“Me VLEN-in në qeveri ka kaluar koha kur ligjet për shqiptarët bëheshin vetëm sa për sy e faqe. Me VLEN brenda qeverisë garantohen të drejtat e shqiptarëve, avancimi i Gjuhës Shqipe dhe implementimi i ligjeve që garantojnë të drejta të barabarta mes të gjithë popujve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. VLEN, një nga një, po zgjidh problemet që për dekada shqiptarët i kanë pritur. Tani, kujdestaret e fëmijëve do të mund të marrin licenca në Gjuhën Shqipe. Përmes këtij ligji ne sigurojmë edhe një herë që Gjuha Shqipe nuk është e rrezikuar në asnjë moment, ndërsa garanci për këtë јеmi ne”, kanë theksuar nga koalicioni VLEN.
Përndryshe ligji për mbrojtjen e fëmijëve u kthye për herë të dytë në Parlament, pasi presidentja refuzoi të nënshkruajë ligjin që kishte kaluar në fazë të parë, pasi kontestoi nenin që parashikonte që licencat të jepen në dy gjuhë. Ky ligj u plotësua me amendamente, ku në vend të nenit në të cilin thuhej se licencat jepen në dy gjuhë, në atë maqedonase dhe në gjuhën që e flasin 20% e popullatës në vend (gjuhën shqipe), shkruan “Licenca lëshohet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, dhe nëse aplikuesi flet një gjuhë të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kërkesë të tij lëshohet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që flet aplikuesi”. /Koha/