Qyteti i Dibrës ka një histori të bujshme kombëtare por njëkohësisht ka edhe një pasuri kulturore. Ngjarjet e shumta me peshë kombëtare ka ndodhur pikërisht në këtë qytet i cili edhe sot nga popullata quhet Dibra e Madhe, meqë është dalluar edhe për mjeshtrit e mëdhenj të ndërtimit. Por, edhe pse ky qytet ka patur shumë mjeshtër të ndërtimit të cilët kanë ndërtuar shumë objekte me arkitekturë kombëtare në Shkodër, Berat, Tiranë, Stamboll etj, në Dibër ku lindën këta mjeshtër dhe ndërtuan shumë objekte e veçmas shtëpi me arkitekturë qytetare, qyteti nuk kishte fuqi që të ruaj shtëpitë qytetare me arkitekturë tipike dibrane. Edhe pse këta shtëpi ishin dhe janë në mbrojtje të institucioneve kompetente shtetërore nga një numër shumë i madh i këtyre shtëpive sot kanë ngelur vetëm shtatë. Pesë nga ata janë drejt rrënimit total.
Arkitekti dibran Argetim Muça për gazetën Koha, vlerëson se rrënimi i shtëpive me arkitekturë të vjetër është një dëm i madh për qytetit dhe kulturën shqiptare, por edhe më gjerë.
“Bëhet fjalë për shtëpi tipike urbane dibrane të cilët kanë pasur një domethënie shumë të madhe në sferën e arkitekturës. Janë rrënuar pjesa më e madhe e shtëpive edhe pse kanë qenë në listën e shtëpive të mbrojtura me ligj. Rrënimi i shtëpive të familjeve Disha, Veliu, Grazhdani, Haxhialili e shumë të tjerë, gjatë dekadave të pasluftës së Dytë Botërore e lanë qytetin pa bukuritë e saj”, thotë arkitekti Muça dhe shton se edhe shtëpitë që kanë mbijetuar rrënimin, kjo ka ndodhë falë familjeve të cilët jetojnë në këta objekte ose për shkak të projekteve që kanë mundësuar që ata sadopak të sanohen.
“Shtëpia e vetme që është ruajtur në mënyrë të denjë është shtëpia e familjes Erebara. Shtëpia në të cilën tani jeton familja Erebara është nga shtëpitë më të njohura në Dibër edhe pse e vjetër mbi 400 vjet ajo edhe sot e ruan bukurinë e saj. E tëra e gdhendur në dru nga mjeshtrit dibran. Tavani i kësaj shtëpie ndodhet në bankënotën 100 denarëshe të Maqedonisë”, thotë Muça.
Anëtarët të familjes Erebara për gazetën Koha shtojnë se edhe pse shtëpia është me arkitekturë dibrane, shteti nuk jep asnjë denarë për mirëmbajtje. Sanimin dhe mirëmbajtjen e bëjmë vetë, thonë ata. Sipas Muçës, shtëpia e familjes Sela në Dibër paraqet një shembull të shkëlqyeshëm të arkitekturës qytetar të shekullit të XIX.
Shtëpia është ndërtuar dhe zbukuruar me stilin specifik ‘a la franga’ , ndërsa elementet karakteristike të jashtme dhe të brendshme dëshmojnë për mënyrën e jetesës të familjeve të pasura myslimane të asaj kohe. Veçanërisht i rëndësishëm dhe interesant është dekorimi i brendshëm në të cilin ndërthuren stolitë e pikturuara dhe të gdhendura, muralet, pastaj kamini specifik i dekoruar me llaç dhe dollapët e dekoruar në mënyrë të veçantë.
Vizituam edhe shtëpinë e familjes Veliu e cila ka migruar në SHBA. Ajo gjendet në pjesën e epërme të Dibrës ati ku kanë jetuar disa familje të pasur dibrane. Ajo është në rrënim të sipër. Shtëpia në fjalë verifikuam se është në listën e Entit për mbrojtje të monumenteve kulturo historike. Por deri tash nuk ka patur aktivitete për të shpëtuar këtë shtëpi me arkitekturë të bukur tipike dibrane. Bashkëbiseduesi i jonë , arkitekti Muça potencon se pothuajse çdo vit rrënohet para syve të dibranëve nga një shtëpi me arkitekturë dibrane.
“Këta shtëpi mund të mirëmbahen nëse sanohen dhe funksionojnë nga pronarët si bujtina, restorante por edhe hotele. Poashtu përse nuk mund të bëhen edhe muzeume etnike. Janë shtëpi shumë të bukura dhe ka interes nga turistët qa ata të vizitohen. Në perëndim rrënime të objekteve të këtilla me domethënie historike dhe kulturore nuk mund të rrënohen, kurse tek ne kjo ndodh çdo ditë. Organet lokale dhe qendrore duhet të merren më shumë me mbrojtjen e objekteve në fjalë, thotë Muça.