Që nga janari, institucionet shtetërore dhe publike kanë lidhur gjithsej 144 kontrata për punësime të përkohshme, për një numër të ndryshëm vendesh pune. Megjithatë, mes tyre nuk figuron asnjë kontratë për angazhimin e personelit mjekësor, qoftë edhe përkohësisht, shkruan SDK, përcjell Nistori.
Mjete për punësime të përkohshme kanë shpenzuar institucione të ndryshme, nga ministritë dhe shërbimet komunale deri te bibliotekat dhe kopshtet. Ndërkohë, pothuajse çdo ditë publikohen konkurse të reja dhe emërohen kuadro partiake, ndërsa ende nuk ka zgjidhje për vullnetarët që prej muajsh punojnë pa pagesë në Spitalin Klinik të Manastirit.
Problemi i tyre mori vëmendje publike rreth 20 ditë më parë, gjatë vizitës së kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në Spitalin Klinik të Manastirit. Një qytetar iu afrua kryeministrit dhe, para kamerave, e pyeti se çfarë do të ndodhë me vullnetarët që prej muajsh punojnë pa kompensim.
Kryeministri nuk iu përgjigj pyetjes.
Ndërkohë, në Ministrinë e Financave është dorëzuar një kërkesë e re për pëlqim, por ende nuk dihet nëse dhe sa prej këtyre personave do të punësohen. Bëhet fjalë për 70 persona, personel mjekësor dhe jomjekësor, të cilët kanë punuar për tetë muaj pa asnjë kompensim. Deri në fund të vitit të kaluar, ata ishin të angazhuar me kontrata, por nuk ishte siguruar pëlqimi i nevojshëm për vazhdimin e punësimit të tyre.
Në të njëjtën kohë, është rritur numri i koordinatorëve kombëtarë në Qeveri, poste për të cilat parashihet kompensim prej rreth 2.000 eurosh në muaj. Në këto pozita janë emëruar edhe persona që kanë humbur poste të mëparshme ose kanë qenë kandidatë në zgjedhje. Ndër të fundit që janë emëruar janë i pandehuri Shaban Saliu dhe ish-ministri Zoran Ljutkov.
Ministria e Bujqësisë, ndërkaq, publikoi dje konkurs për punësimin e 23 nëpunësve administrativë.
Kontrata më e fundit nga gjithsej 144 kontratat për punësime të përkohshme është lidhur nga Komuna e Likovës, e cila ka paraparë angazhimin e 10 personave me arsim të mesëm.
Punësime të përkohshme kanë realizuar edhe NP “Gazi Baba”, Enti Shtetëror i Statistikës, një institucion publik për përkujdesjen e personave të moshuar, ndërmarrja publike për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike të parkimit dhe organizimin e transportit publik lokal të udhëtarëve në Komunën e Manastirit, ndërmarrja publike “Strumica Transport”, IPKKF “25 Maji”, si dhe komunat e Prilepit, Rosomanit, Manastirit, Krushevës, Makedonska Kamenicës, Tearcës dhe Jegunovcës, NP “Radovish” dhe shumë komuna të tjera në Maqedoninë e Veriut.
Punësime të përkohshme kanë bërë gjithashtu Ministria e Transportit, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Transformimit Digjital, ndërmarrje të shumta publike nga i gjithë vendi, Qendra Tregtare e Qytetit – Shkup, NP “Komunalec” – Manastir, si dhe një numër i madh shkollash fillore dhe kopshtesh.
Për më tepër, SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (ESM) – Shkup, ndërmarrje shtetërore për prodhimin e energjisë elektrike, ka angazhuar 10 persona. Punësime kanë realizuar gjithashtu Enti Shtetëror për Pronësi Industriale, “Drisla” dhe Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë.
Mes institucioneve që kanë lidhur kontrata për punësime të përkohshme gjatë vitit 2026 janë edhe Kuvendi dhe Ministria e Energjisë. Megjithatë, në listë nuk figuron asnjë spital apo institucion tjetër publik shëndetësor, madje as për angazhime të përkohshme. /Nistori/






