Edhe pse Dibra po përjeton një valë të madhe migrimi, dëshira për dijen dhe shkollimin nuk është shuar. Banorët dibranë, sidomos të rinjtë, vazhdojnë të tregojnë përkushtim të madh ndaj arsimit përderisa qëndrojnë ende në vendlindje. Kjo vërehet qartë edhe te gjenerata më e fundit e maturantëve, theksojnë drejtuesit e Shkollës së mesme komunale “28 Nëntori” në Dibër.
Në bisedat me maturantët, shumica e tyre pranojnë se migrimi është pjesë e planeve të ardhshme, por shtojnë se deri në momentin kur do të largohen, synimi i tyre është të vazhdojnë studimet dhe të përfitojnë sa më shumë nga arsimi.
“Kjo tregon karakterin e qëndrueshëm të dibranëve, të cilët brez pas brezi kanë ndjekur rrugën e dijes dhe arsimimit”, thonë përfaqësues të shkollës.
Gjatë këtij viti shkollor, në Gjimnazin “28 Nëntori” maturuan gjithsej 135 nxënës, prej të cilëve 90 në paralelen shqipe dhe 45 në atë maqedonase. Drejtori i shkollës, Ramadan Imeri, thekson se 120 nga maturantët kanë dhënë provimin e maturës shtetërore, që përbën mbi 90 për qind të tyre – një tregues i qartë i interesit për studime të larta.
“Është një karakteristikë shumë e mirë që tregon përkushtimin e të rinjve ndaj arsimit. Dashuria për dijen në Dibër ka qenë dhe mbetet e thellë”, tha për gazetën Koha drejtori Imeri.
Sipas tij, maturantët e këtij viti shfaqin interes të madh për studime në fusha si teknologjia informatike, shkencat shoqërore dhe mjekësia.
Ndërkohë, çështja e migrimit nuk është më tabu për të rinjtë dibranë. Ata flasin hapur për planet e tyre.
“Në Dibër migrimi është i pranishëm. Unë do të vazhdoj studimet në degën e Teknologjisë Informatike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, por gjithashtu kam diskutuar me familjen për të emigruar. Situata në vend është e vështirë, sidomos për punësim pa përkrahje politike. Megjithatë, e konsideroj të rëndësishme të përfundoj fakultetin para se të largohem”, tregon maturanti M. F.
Deklarata të tilla pasqyrojnë realitetin: një brez i etur për arsim, por i zhgënjyer nga kushtet socio-ekonomike në vend. Jozyrtarisht, vetëm gjatë vitit 2024, më shumë se 200 të rinj dibranë kanë emigruar drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Historikisht, Dibra ka qenë vatër e dijes.
“Janë të rralla familjet që nuk kanë të paktën një anëtar me arsim të lartë. Mbi 150 dibranë kanë qenë mësimdhënës në trojet shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore dhe kanë dhënë kontribut të madh në arsimimin e shqiptarëve në rajonet e Pologut, Karadakut dhe më gjerë”, thotë Dr. Ferit Vojnika.
Ai shton se nuk njeh familje dibrane që nuk i jep rëndësi të veçantë shkollimit.