Si ishte paraqitja e parë ndërkombëtare e Mickoskit?

    NATO do të vazhdojë të avancojë dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik me Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të mbështesë reformat, paqen dhe sigurinë rajonale. Kjo është një nga pikat në Deklaratën që Aleanca e miratoi mbrëmë vonë, pas ditës së fundit të Samitit në të cilin u takuan krerët e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, në të cilin delegacioni maqedonas i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski mori pjesë gjithashtu. Për NATO-n, Ballkani Perëndimor është një nga rajonet me rëndësi strategjike dhe Aleanca mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të saj.

    “Vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik dhe ne shohim progres të vazhdueshëm në këtë drejtim”, thuhet në Deklaratë.

    Në një deklaratë para Samitit, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski përdori emrin Maqedoni në vend të emrit kushtetues Maqedonia e Veriut, gjë që shkaktoi reagime në mediat greke. Por kryeministri grek Kyriakos Micotakis ishte i vetmi nga të gjithë pjesëmarrësit e Samitit që e përmendi këtë në kontekstin e Marrëveshjes së Prespës.

    Në Samitin e NATO-s, temat kryesore janë sigurimi i mbështetjes së besueshme dhe të qëndrueshme për Ukrainën, planet për parandalimin dhe mbrojtjen e anëtarëve të Aleancës, forcimi i industrisë dhe investimeve të mbrojtjes dhe forcimi i partneriteteve globale.

    TË RELAKSOHEN MARRËDHËNIET

    Në margjinat e samitit u përmendën dhe u shkëmbyen marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Greqinë dhe Bullgarinë. Kryeministri Mickoski njoftoi se ka biseduar shkurt me kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavçev, në margjinat e fotosesionit zyrtar të liderëve të qeverive dhe krerëve të shteteve të pranishëm në Samit.

    “U konstatua që marrëdhëniet duhet të relaksohen dhe theksova se duhet parë e ardhmja dhe të shfrytëzohen mundësitë për bashkëpunim. Temat e së kaluarës dhe hapja e pengesave të reja nuk do t’i afrojnë të dy popujt dhe se duhet të ndërmerren përpjekje dhe hapa që do të ngjallin besim midis shteteve si në periudhën para vetos dhe fillimin e politikës së pengesave”, ka shkruar Mickoski në profilin e tij në Facebook krahas fotografisë me Gllavçevin.

    Për relaksimin e marrëdhënieve foli edhe Gllavçev, i cili dje në deklaratën e tij para Samitit tha se bëhet fjalë për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella dhe kthimin e tyre në nivelin e vitit 2017 kur u nënshkrua Marrëveshja për fqinjësi të mirë.

    “Ne të dy ishim të këtij mendimi, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk ka asgjë më të mirë se marrëdhëniet e mira mes fqinjëve. Madje mund të thuhet se ne jemi më shumë se fqinjë me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Gllavçev. Sipas tij, kur bashkëpunimi do të jetë në nivel të kënaqshëm, lidhja duhet të fillojë të zhvillohet në të gjitha aspektet, si në transport, në ekonomi… Por kujtoi edhe detyrimet. “Por duhet të përmbushen edhe obligimet që janë marrë. Këtu nuk po flas vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. E shihni që ne nuk i ndajmë ato. Qëndrimi ynë është edhe qëndrim evropian që të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE duhet t’i plotësojnë kërkesat e parashtruara ndaj tyre”, tha Gllavçev. Opozitarja LSDM më herët e kishte akuzuar Mickoskin se ka fshehur takimin me kryeministrin bullgar.

    MICKOSKI PËR DINJITETIN, MICOTAKIS PËR MARRËVESHJEN E PRESPËS

    Edhe pse mediat greke kishin paralajmëruar për një takim të mundshëm mes Mickoskit dhe Micotakis, por një takim i tillë nuk ndodhi. Mickoski, para se të nisej për në Uashington për një takim të mundshëm me homologun e tij grek, shprehu shpresën se nëse kjo ndodh, “ata do të ruajnë dinjitetin e tyre dhe do të bisedojnë si partnerë dhe si fqinjë të mirë”.

    “Ne si qeveri maqedonase duam të jemi krah për krah me aleatët tanë dhe të konfirmojmë shpirtin liridashës të popullit maqedonas dhe qytetarëve maqedonas”, tha Mickoski nga Uashingtoni.

    Lidhur me qëndrimin e presidentit amerikan, i cili nënvizoi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për sigurinë e Aleancës, Micotakis i është referuar konkretisht Marrëveshjes së Prespës, e cila tha se mundësoi zgjerimin e Aleancës me anëtarësimin e Maqedonia e Veriut.

    “Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës, theksoi Kryeministri, është i një rëndësie thelbësore për Aleancën, për Ballkanin Perëndimor dhe për komunitetin ndërkombëtar. Shkelja ose zbatimi selektiv i Marrëveshjes së Prespës, vazhdoi ai, do të minonte besueshmërinë e të gjitha përpjekjeve për zgjidhjen e çështjeve të tjera të hapura në Ballkanin Perëndimor dhe do të kërcënonte stabilitetin dhe sigurinë në rajon”.

    DY POROSI TË MICKOSKIT

    Në Uashington, Mickoski mori pjesë në një darkë në Shtëpinë e Bardhë të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden. Më herët, siç informojnë nga zyra e tij, ai është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me kryeministrin spanjoll, Pedro Sançez, si dhe me senatorë dhe kongresmenë amerikanë.

    Por takimi i parë i kryeministrit maqedonas në Uashington në margjinat e Samitit ishte me Richard Grenell, diplomatin kontrovers amerikan, ish-drejtor i shërbimit inteligjent amerikan dhe i dërguari special për Ballkanin i ish-presidentit amerikan Donald Trump. Për “darkën e frytshme dhe miqësore” me Grenellin, siç e përshkruan vetë Mickoski në Facebook, nuk pati asnjë njoftim nga qeveria, e as detaje të tjera.

    Mickoski e përfundoi pjesëmarrjen e tij në Samitin e NATO-s në Uashington me një video-mesazh për opinionin.

    “Për një kohë të gjatë rajoni dhe Maqedonia si shtet ishin peng i së kaluarës. Duhet të fokusohemi në të ardhmen. Ta bëjmë Maqedoninë sërish krenare, por edhe ta bëjmë sërish krenar Ballkanin. Le të jemi fqinjë të mirë, të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojmë. Kështu presin qytetarët dhe për këtë do të jem i fokusuar unë si kryeministër në vitet në vijim”, thotë Mickoski në video-fjalimin.

    Mesazhi i dytë është se “ka kaluar koha e politikanëve të korruptuar që vijnë nga Maqedonia dhe e politikanëve që janë të gatshëm të mbrojnë korrupsionin dhe krimin e tyre dhe të bëjnë bukfalisht gjithçka”.

    “Të firmosin gjithçka, të pranojnë çdo poshtërim që do t’u ofrohet në tavolinë vetëm për të mbrojtur krimin e tyre”. Ajo kohë tashmë është histori dhe e kaluar. Duhet të flasim si partnerë të vërtetë, të flasim si fqinj, sepse partneriteti dhe fqinjësia e mirë është rrugë e dyanshme dhe ne duam ta ushqejmë dhe ta shohim vetëm kështu”, thotë Mickoski në videomesazh.

    VIZITA E PARË JASHTË VENDIT

    Samiti i NATO-s në Uashington ishte vizita e parë e Mickoskit jashtë vendit që kur qeveria e re që ai drejton u zgjodh më 23 qershor. Në delegacion ishin ministrat e punëve të jashtme dhe tregtisë së jashtme, të mbrojtjes dhe të punëve të brendshme – Timço Mutsunski, Vllado Misajllovski dhe Pançe Toshkovski. Në Uashington ishte edhe kryeparlamentari, Afrim Gashi, i cili mori pjesë në Samitin Parlamentar të NATO-s në prag të hapjes së Samitit.

    “Samiti i NATO-s në Uashington ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, ndonëse Mickoski foli më shumë për investime dhe takime me diasporën, dhe dukej se samiti ishte arsyeja e tretë pse ata vizituan Amerikën. Në thelb ata po e bëjnë atë për votuesit e tyre dhe e dinë saktësisht se edhe për ta ngjarja është e një rëndësie të jashtëzakonshme e samitit është vetëm mes anëtarëve dhe atje ka gjëra shumë të ndjeshme. Pjesëmarrja është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mesazhet e Micotakis janë gjithashtu jashtëzakonisht të rëndësishme që lindin probleme aty ku nuk kemi dhe ata duhet të fokusohen më shumë në punët shtëpiake se sa grindje me fqinjët. Në fund doli disi e mirë, shpresëdhënëse dhe premtuese”, ka deklaruar për Koha, Dame Çkatroski, analist.

    Lajmi Paraprak

    Si të dalloni peshkun e freskët

    Lajmi i rradhës

    Problemet nuk kanë të sosur për autostradën Kërçovë-Ohër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë