Pagat më të larta në Kosovë janë në sektorin e teknologjisë së informacionit. Por, shumë detyra në këtë sektor tashmë mund të kryhen nga inteligjenca artificiale (IA). Organizata Ndërkombëtare e Punës paralajmëron se asnjë profesion nuk është plotësisht i sigurt, por ekspertët e fushës e shohin atë më shumë si ndihmë sesa rrezik.
Që më shumë se një dekadë, Lend Kelmendi ka hyrë në botën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Nga koha kur ai kishte filluar karrierën e deri tani që mban pozitën e drejtorit të inxhinierisë në kompaninë Kutia, shumëçka ka ndryshuar.
“Ka qenë njëri prej versioneve të ChatGPT-së, që, kur ka dalë, ke mundur të thuash se të ka ndihmuar në punë”, thotë Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.
Programet e para të inteligjencës artificiale nuk ishin të përsosura, thotë Kelmendi. Por, me kalimin e kohës, ato janë bërë pjesë gjithnjë e më e rëndësishmë e punës së tij dhe kolegëve të tij.
Për Albi Hotin, programer, inteligjenca artificiale (IA) ka qenë pjesë e punës së tij që nga fillimi i karrierës, rreth dy vjet e gjysmë më parë.
“Ne e dimë që IA-ja mëson, mëson edhe nga ne. Sa më shumë që e përdorim, aq më shumë mëson ajo edhe prej përdoruesve të vet. Kështu që është ndihmë e madhe”, thotë Hoti.
Për çka e përdorin ata? Për të zgjidhur probleme të ndryshme në punën e tyre, për të kryer detyrat që s’kërkojnë shumë kreativitet…
Por, një raport i publikuar këtë javë nga Organizata Botërore e Punës (ILO) paralajmëron se gjithnjë e më shumë detyra të këtij sektori – dhe jo vetëm – mund të kryhen nga inteligjenca artificiale.
Çka do të thotë kjo? Se disa profesione në të ardhmen mund të bëhen të panevojshme.
Në raportin e ILO-së thuhet se një në katër punëtorë në të gjithë botën është i angazhuar në një profesion që rrezikohet të zëvendësohet deri në një masë nga inteligjenca artificiale.
Më të rrezikuar thuhet të jenë ata që kanë të ardhura më të larta dhe që janë të punësuar në vende më të pasura.
Besnik Rama, drejtor ekzekutiv i kompanisë Novende dhe ligjërues për inteligjencë artificiale, shpjegon se si më parë teknologjia ka zëvendësuar punët fizike me makina të ndryshme, por tani ka nisur zëvendësimin edhe të “punëve intelektuale”.
“Çdo profesion do të preket nga IA-ja, disa më shumë e disa më pak. Mirëpo, të gjitha profesionet do të lehtësohen në kryerjen e punës së tyre nga IA-ja”, thotë Rama për REL-in.
Ai parasheh që inteligjenca artificiale në të ardhmen të caktojë terapi mjekësore, të japë këshilla juridike…
“E, posaçërisht, programerët do të jenë ndër më të prekurit nga IA-ja”, shton ai.
Çka të bëjmë përballë këtij rreziku? Rama i ka dy këshilla: pranojeni IA-në si pjesë të realitetit dhe përqafojeni e mësoni si ta inkuadroni në punën tuaj.
“Programerët nuk do të asgjësohen nga IA-ja. Mirëpo, IA-ja do ta bëjë punën e tyre më të thjeshtë, si në shpejtësinë e zgjidhjes së problemeve, ashtu edhe në kualitetin e zhvillimit”, thotë ai.
Sektori i informimit dhe komunikimit punëson gati 13 mijë persona në Kosovë, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës për janarin e vitit 2025. Prej tyre, rreth tetë mijë janë djem, ndërsa shumica janë nga 15 deri në 34 vjeç.
Paga mesatare bruto në këtë sektor është 1.177 euro, por zhvilluesit e softuerëve arrijnë paga edhe shumë më të larta.
Edhe Aldo Baxhaku, zyrtar për komunikim publik në Shoqatën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), thotë se fokusi duhet të jetë te shkathtësistë e zëvendësueshme, e jo profesionet.
“Nëse në pozitën që je, kryen vetëm detyra shabllon, përsëritëse, rutinore dhe nuk luan rol kreativiteti ose mendimi kritik, ekspozimi ndaj automatizimit ose zëvendësimit nga IA-ja është i lartë”, thotë Baxhaku për REL-in.
Ai thotë se kompanitë e sektorit të teknologjisë informative në Kosovë janë të specializuara pikërisht në ofrimin e zgjidhjeve kreative, që ai thotë se “IA-ja, të paktën për momentin, nuk i zëvendëson dot në mënyrë efektike”.
Shkaku i popullsisë së re të Kosovës, sidomos atyre të angazhuar në këtë sektor, Baxhaku është i bindur se potenciali në Kosovë për t’u përshtatur me ndryshimet e tilla është i lartë.
Rama dhe Baxhaku pajtohen në një pikë: Kush nuk dëshiron të zëvendësohet nga inteligjenca artificiale apo të mbetet prapa, duhet ta bëjë atë pjesë të procesit të punës.
Kjo tashmë po ndodh në shumë kompani në Kosovë, thonë ata dy, si në procesin e planifikimit, rekrutimit, prodhimit të përmbajtjes audio-vizuele, etj.
Drejtori i inxhinierisë në Kutia, Kelmendi, thotë se megjithatë ka disa gjëra që IA-ja nuk di t’i bëjë.
“Nëse flasim për zgjidhjen e problemeve që nuk janë shfaqur më herët, IA-ja nuk di se si t’i zgjidhë”, thotë ai.
Kështu që, ai thotë se të vetmit inxhinierë që do të zëvendësohen janë “inxhinierët që nuk do ta përdorin IA-në”. /REL/