Sindikalistët kërkojnë ndihmë nga spektri politik për nisjen e dialogut me Qeverinë

    Përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve që janë në grevë nga 25 gushti, thanë se po bëjnë përpjekje që të nisin dialogun me Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje për kërkesat e tyre.

    Kryetari i Bashkimit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, pas një takimi me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi më 2 shtator se dëshirojnë që në sektorin e arsimit dhe institucionet e tjera ku po mbahet greva, të kthehet normaliteti.

    “I lus deputetët të mos pushojnë së vepruari, që të mundohen së bashku me ne që të gjejmë një derë të hapur në Qeveri, Qeveri e cila, e cila ne konsiderojmë se për momentin po dëshiron ta shtypë zërin sindikalë”, tha Jasharaj.

    Në grevë, përveç punëtorëve të arsimit janë edhe shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

    Ata po kërkojnë 100 euro shtesë për çdo punëtorë deri në hyrjen në fuqi të Projektligjit për pagat.

    Por, në fund të gushtit, ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi se është bërë ekzekutim i pjesshëm të pagave, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.

    Qeveria argumenton se nuk mund të paguajë punëtorët që janë në grevë, ndërkaq sindikalistët kërkojnë që ekzekutivi të mos ua ndal pagat, pasi e konsiderojnë si joligjore.

    Jasharaj tha se u kanë dërguar ftesë për takim dhe kërkesë për ndihmë të gjitha partive në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe asaj në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit, Albin Kurti. Ai po ashtu tregoi se ka marrë një ftesë për takim edhe nga kabineti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

    “Ne i kemi thënë kabinetit të saj po [për takim], por ende nuk kemi datë e jemi në pritje. Urojmë që presidentja t’i shohë palët e barabarta, mos ta shohë njërën palë më të privilegjuar dhe si njeriu i parë i Kosovës po urojmë, edhe te Zoti, që ajo të kontribuojë që dialogu i mirëfilltë do të fillojë dhe kemi shpresa edhe tek ajo që do të bëjë ndonjë hap pozitiv”, tha Jasharaj.

    Ndërkaq, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se dialogu mes sindikatave dhe Qeverisë është imperativ.

    “Gjëja e fundit që konsiderojmë që është e domosdoshme tani është penalizmi i mësimdhënësve tanë në këtë krizë të rëndë ekonomike. Gjithashtu kemi ngritur dyshimet tona për muajin gusht, kur nuk ka pasur pasoja në sistemin arsimor, të ndërpriten pagesat në fjalë. Pra është dënim joligjor, nuk ka bazë ligjore”, tha Abdixhiku.

    Ministria e Punëve të Brendshme së fundmi ka procedurat Projektligjin për paga, që duhet të kalojë në procedura të paraprake dhe publike.

    Ky legjislacion duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend, e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare ndërsa hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në këtë gazetë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Miliona persona evakuohen në Pakistan për shkak të vërshimeve

    Lajmi i rradhës

    “Sa herë kam fjetur në rrugë”: Viktimat e dhunës pa strehë të sigurt

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë