Sofja: Shkupi, duke fajësuar Bullgarinë, po arsyetohet për dështimet

    Bullgaria ka reaguar ndaj zyrtarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët, sipas saj po e shfrytëzojnë Sofjen si “arsyetim” për mungesën e përparimit para qytetarëve të tyre.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, të enjten, ka ftuar ambasadorin maqedonas në Sofje për t’i shprehur pakënaqësinë për, siç thuhet, “përpjekjet për të tërhequr Bullgarinë dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në debatin e brendshëm politik të Maqedonisë së Veriut, në kontekst të fushatës aktuale zgjedhore”.

    Reagimi i diplomacisë bullgare u bë pasi presidenti Stevo Pendarovski, në një intervistë televizive, ka akuzuar Sofjen për “keqtrajtim në vazhdimësi të pakicës maqedonase në Bullgari”.

    “Bullgaria vazhdimisht mbështet retorikën konstruktive dhe përmbahet nga komentimi i provokimeve të vazhdueshme në hapësirën publike të Maqedonisë së Veriut. Këtë ajo e bën me mirëkuptim se është e nevojshme të sigurohet një mjedis konstruktiv për mbarëvajtjen normale të procesit zgjedhor. Por, për fat të keq, është e qartë se këto përpjekje të Bullgarisë nuk janë kuptuar dhe vlerësuar nga faktorë të caktuar në Shkup, të cilët vazhdojnë ta përdorin vendin tonë si justifikim për mungesën e progresit para qytetarëve të tyre”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

    Sofja fton edhe një herë elitën politike në Maqedoninë e Veriut që të “tregojë pjekurinë e nevojshme politike” në përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra politike në kuadër të kompromisit të vitit 2022.

    Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në qershor të vitit 2022 pranuan atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për çështjen e gjuhës, identitetin dhe dallimet historike.

    Por, Shkupi duhet të përmbushë edhe obligimin tjetër – përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

    Pikërisht, kjo çështje ka rihapur debatin tani në prag të fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

    Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i nominuar edhe për një mandat të ri, ka thënë se “ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen dhe se VMRO DPMNE-ja opozitare nuk duhet ta “gënjejë” popullin maqedonas se paralelisht me këtë duhet që edhe pakica maqedonase në Bullgari të përfshihet në Kushtetutën e vendit fqinj.

    Pendarovski për televizionin Sitel ka thënë se nëse VMRO-ja do të arrinte një gjë të tillë, atëherë ai menjëherë do të anëtarësohej në këtë parti.

    “Dashtë Zoti, jo nesër, por sot, le të jenë maqedonasit në Kushtetutën bullgare. Populli ynë, pakicë që jeton atje është keqtrajtuar me dekada, të paktën 70-80 vjet. Ai ka kaluar nëpër tortura të tmerrshme. Megjithatë, ta ma thonë formulën magjike, si do t’i vendosin ata në Kushtetutë? Opozita të propozojë diçka tjetër, mos të na gënjejë duke na shikuar në sy”, ka deklaruar Pendarovski.

    Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane në Bukuresht të Hungarisë sërish akuzoi Sofjen për “bllokim të padrejtë të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”.

    “Dinamika mes Bullgarisë dhe Maqedonisë [së Veriut] solli pengesa të pajustifikuara që ndikuan negativisht në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Ndonëse jemi të përkushtuar për zgjidhjen e këtyre çështjeve përmes dialogut dhe respektit të ndërsjellë, është e domosdoshme të pranohet se ky proces kërkon reciprocitet. Është jetike që ne të angazhohemi në mënyrë të drejtë me njëri-tjetrin, duke pranuar se e ardhmja jonë e përbashkët në BE është reciprokisht e dobishme dhe e ndërlidhur. Bashkimi Evropian është një fener shprese për shumë njerëz”, ka deklaruar Mickoski.

    Për shkak të mosmarrëveshjeve me Sofjen, përkatësisht detyrimin për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë si popull shtetformues, Maqedonia e Veriut ende nuk ka nisur bisedimet me BE-në për kapitujt.

    Dy vendet në vitin 2017 kishin nënshkruar një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por ajo edhe më shumë i ka thelluar ndasitë mes dy vendeve duke hapur çështje historike të pazgjidhura që nga periudha e para Luftës së Dytë Botërore. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “Sërish vjen marsi”, Prokuroria Speciale ende pa aktakuzë për masakrën e Prekazit

    Lajmi i rradhës

    RMV, ulet numri i sëmurëve nga gripi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë