Sot në Srebrenicë varrosen edhe 19 viktima të gjenocidit serb

    Eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë varrosen sot në Qendrën Përkujtimore Potoçari.

    Viktima më e re që varroset është Azmir Osmanoviq, i cili ishte 16 vjeç kur u vra. Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti.

    Viktima më e vjetër që varroset është Husein Kurbashiq – 63 vjeç në kohën kur u vra.

    Bosnje dhe Hercegovina shënon sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

    Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

    Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

    Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

    Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,650 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.

    Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.

    Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

    Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

    Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

    Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës. Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë, u tha në tekst.

    Në Parlamentin e Serbisë janë edhe dy rezoluta të tjera – në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse në tjetrën si gjenocid – por diskutimi për to nuk është futur ende në rend të ditës.

    Këtë javë, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën e dënoi gjenocidin në Srebrenicë.

    Një rezolutë e ngjashme u miratua edhe në Kuvendin e Malit të Zi më 17 qershor dhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në vitin 2010.

    Shqipëria, deri më tani, nuk ka miratuar ndonjë dokument të ngjashëm.

    Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë ngjashëm.

    Zona ku ndodhi masakra e Srebrenicës ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara.

    Në vitin 2019, një gjykatë holandeze konstatoi se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për 350 vdekje në masakrën e Srebrenicës. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Vaksina kundër Covid-19 do të lejohet edhe për moshat 12 deri 16 vjeçare

    Lajmi i rradhës

    26 – vjetori i masakrës në Srebrenicë | Në Evropë s’ka vend për mohim të gjenocidit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë