Sot takohen liderët e partive politike të RMV-së

    Sot në ora 12:00 në Kuvend do të takohen liderët e partive pjesëmarrëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Qeveria pret që të arrihet konsensus për të ardhmen evropiane të vendit dhe të ofrohet mbështetje për amendamentet kushtetuese. Deri tani, LSDM dhe BDI së bashku me të gjithë partitë politike shqiptare kanë 74 vota, apo 6 deputetë më pak se shumica e nevojshme prej dy të tretash. Në këtë takim secila prej tyre pritet të paraqesë kërkesat në interes të tyre.

    Ky takim i thirrur nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski vjen si rrjedhojë e negociatave aderuese në BE, për hapjen e kapitujve të cilat duhet të ndodhin pasi bullgarët të përfshihen në Kushtetutën e shtetit.

    Pjesëmarrjen në takim deri tani e kanë konfirmuar shumica e krerëve të partive, ndërsa partia “E Majta”, është e vetmja parti e cila e ka refuzuar ftesën me arsyetimin se nuk ka çfarë të diskutojë për këtë temë.

    Lëvizja Besa ende nuk ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë ose jo. Mediat raportojnë se qëndrimin e kësaj partie do e bëjë të ditur kryetari i saj, Bilall Kasami përmes një konference për shtyp.

    Krahas kësaj, sot Qeveria do të prezantojë para partive parlamentare paketën e ndryshimeve ligjore të nevojshme për plotësimin e agjendës evropiane, për të siguruar mbështetjen për miratimin e tyre edhe nga opozita.

    Ndryshe, Parlamenti do të duhet të mbledhë shumicën e kërkuar prej dy të tretash për të miratuar ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Bullgaria. Kjo nuk dihet se si do të ndodhë, pasi pushteti nuk ka numra, ndaj kjo është edhe arsyeja e ftesës së kryeministrit për takim liderësh.

    Nga ana tjetër, nëse hapen këto ndryshime kushtetuese, partitë shqiptare duan që edhe 20% në Kushtetutë të zëvendësohet me “shqiptarë”, duke e paralajmëruar edhe si kushtëzim për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese. ASH paralajmëroi se gjatë javëve të ardhshme do të prezantojë pakon e kushteve për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese.

    Lajmi Paraprak

    Lakra, një ndër artikujt që nuk është shtrenjtuar në RMV

    Lajmi i rradhës

    Qeveria plason informata të pasakta, lidhur me vlerat reale të shtrenjtimit të energjisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë