Spahiu: Bosnja është test për diplomacinë botërore

    Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka thënë se situata e krijuar në Bosnje dhe Hercegovinë është një test për diplomacinë botërore.

    Në ndërkohë vizitën e të Dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar atje e sheh si një dëshmi të angazhimit të SHBA-ve në rajon.

    “Bosnja sërish del si një temë dhe test për diplomacinë botërore. A do të lejojnë që Bosnja të rrëshqasë në një krizë të re dhe të rrezikohet rajoni, apo SHBA-të në rend të parë duhet të jenë ata që të reagojnë për të mos lejuar që ta bëjnë këtë.

    “Vizita e [Gabriel] Escobar ishte një test i tillë që dëshmon se SHBA-të vërtet do të kenë një angazhim më të madh në rajon duke filluar nga Bosnja dhe është inkurajuese deklarata e tij që nuk do të lejohet që të ketë konflikt në Bosnje, ndonëse është vështirë të pritet që një vizitë e vetme e një përfaqësuesi amerikan do të mjaftojë që tensionet në Bosnje që vijnë si pasojë e kërcënimeve të pjesës serbe dhe liderit të tyre Milorad Dodik që do të mund të heqin dorë aq shpejt nga paralajmërimet dhe kërcënimet e tyre për Federatën e Bosnjes. Shpresoj që kjo do të jetë nismë e mirë diplomatike për të penguar këtë, por në ndërkohë është për t’u përshëndetur fakti që amerikanët tani do të ketë një ekip shumë të fortë në Ballkan me emërimin e disa përfaqësuesve dhe diplomatëve me përvojë të jashtëzakonshme dhe si njohës të mirë të rrethanave në rajon”.

    Spahiu, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka folur edhe për rolin që ai pret që Gabriel Escobar si emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor do ta ketë karshi dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ndër të tjera [Gabriel] Escobar do të ballafaqohet me problemin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Mendoj që ai duhet të ketë një rol kyç në këtë drejtim, ndonëse SHBA-të nuk do të jenë në rolin e ndërmjetësuesit sepse këtë rol e ka BE-ja dhe këtë fakt e ka njohur edhe kjo administratë dhe do të vazhdoj të jetë kështu. Vetë fakti që Escobar do të jetë aktiv në rajon dhe do të jetë po ashtu edhe pranë Kosovës lidhur me një epilog të mundshëm të suksesshëm të dialogut është shumë pozitiv. Edhe roli i Christopher Hill dhe i të tjerëve ka domethënien e vet dhe duhet parë këtë si një mundësi për të rifilluar ose ridimensionuar ecurinë e dialogut në të ardhmen”.

    “Duhet të kemi parasysh se si ka filluar dialogu, sepse keqkuptimi ka qenë që Serbia tërë kohën ka propaganduar faktin e saj se po bëhet fjalë për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës derisa dihet se Kosova është futur në këto bisedime për të pasë një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë si dy vende fqinje. Tani kemi ngecje në këtë proces pikërisht për shkak të këtij keqkuptimi të krijuar nga ana e Serbisë. Shpresoj që gjërat të rikthehen në binarët e duhur dhe të bisedohet për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe që në fund të këtij procesi të ketë marrëveshje me njohje reciproke me shtetin e Serbisë. Në këtë aspekt shoh rol proaktiv të diplomacisë amerikane në rajon”.

    Lajmi Paraprak

    Zaev: Nuk do të dorëhiqem, do ta shtyej dorëzimin deri sa të stabilizohet situata në vend

    Lajmi i rradhës

    Çfarë ndodh në organizëm kur nuk hani fruta dhe perime

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë