SPB Tetovë: Skuter elektrik mund të drejtohet vetëm nga personi jo më i ri se 14 vjeç

    Që nga fillimi i këtij muaji, në rrugët e Tetovës dhe Gostivarit, është rritur dukshëm frekuentimi i trotineteve elektrike. Ditët e verës në masë të madhe kanë bërë që të rritet frekuentimi jo vetëm i automjeteve, por edhe i motoçiklistëve, biçikletave dhe lloje të ndryshme të motorëve sidomos të atyre me katër rrota. Jo rrallë herë, si pjesëmarrës në komunikacion me këta lloje të motorëve hasen edhe persona të mitur, të cilët drejtojnë këto automjete pa asnjë leje përkatëse, pa mbrojtje në kokë dhe veshje adekuate. Madje, në vendbanimet rurale mund të vërehen edhe më shumë persona në një motor. Krahas kësaj kategorie, nga policia e Tetovës theksojnë se kohëve të fundit – në dy qytetet e Pollogut, gjegjësisht në Tetovë dhe Gostivar, është rritur dukshëm numri i skuterëve elektrikë, të cilët drejtohen kryesisht nga të rinjtë.

    Vetëm në një aksion të fundit të policisë janë shqiptuar 8 dënime ndaj personave që kanë drejtuar trotinete elektrike, nëse drejtuesi i trotineteve qarkullon në zonë për këmbësorë e ku nuk duhet të lëvizë me shpejtësi më të madhe se 6 kilometra në orë.

    “Shfrytëzuesit duhet t’i drejtojnë ato në shtigje biçikletash ose korsi, dhe nëse nuk janë ndërtuar, në shtigje për këmbësorë, gjegjësisht zonë tjetër e destinuar për lëvizjen e këmbësorëve. Vozitësi i një skuteri elektrik apo trotineti në një shteg biçikletash ose korsi nuk duhet të lëvizë me një shpejtësi më të madhe se 25 kilometra në orë. Nëse shoferi i një skuteri elektrik lëviz në trotuar, shteg këmbësorësh ose zonë tjetër të destinuar për lëvizjen e këmbësorëve, shpejtësia nuk duhet të kalojë më shumë se 6 km në orë”, thonë nga policia e Tetovës.

    Problem në vete është mosha e atyre që vozisin këtë lloj të skuterëve. Zakonisht hasen fëmijë të moshës së vogël dhe rrezikojnë jetën e tyre, por edhe të pjesëmarrësve tjerë qoftë në trafik qoftë në vende për këmbësorë. Nga policia e Tetovës theksojnë se këto trotinete mund ti vozisin vetëm ata persona që kanë moshën 14 vjeçare e më lartë.

    “Skuter elektrik mund të drejtohet vetëm nga një person që ka mbushur 14 vjeç dhe jo më i ri se aq. Vozitësi i një skuteri elektrik duhet të ketë një helmetë mbrojtëse në kokë, ai nuk duhet të transportojë persona të tjerë dhe në kushte të shikimit të zvogëluar, ai është i detyruar të vesh një jelek reflektues me fosfor”, apelojnë nga policia e Tetovës.

    Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë përkujtojnë se për mosrespektim të këtyre dispozitave ligjore, janë paraparë gjoba nga 50 deri në 80 euro në kundërvlerë të denarit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    SAMITI BE-BALLKANI PERËNDIMOR | Sot vendoset nëse Kovaçevski do të udhëtojë në Bruksel

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë