Derisa reparte të tëra në spitalet anembanë vendit janë të mbyllura për shkak të mungesës së stafit ose funksionojnë me gjysmën e kapacitetit, punësimi i specializantëve privat shihet si shpresë për zgjidhje të pjesshme të problemit. Nga gjithsej 300 persona që duhet të punësohen në nivel shtetëror në fazën e parë, spitali i Ohrit nënshkroi ditë më parë kontrata pune me shtatë prej tyre.
“Deficiti do të mbushet deri diku, por nuk do të plotësohet në asnjë rast. Ky institucion dikur kishte deri në 600 punonjës, nga të cilët 80 ishin mjekë, aktualisht ka 53 specialistë, pra deficiti është rreth 30 mjekë specialistë. Një nga arsyet kryesore për këtë deficit është politika e dobët kadrovike që është ndjekur ndër vite si dhe shpërngulja e kolegëve të rinj”, tha Goran Markoski – Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Ohër.
Vetëm nga Spitali i Ohrit, në tetë muajt e fundit, 10 mjekë specialistë kanë dalë në pension ose janë larguar nëpër spitalet private. Sipas të dhënave nga shoqatat e mjekëve, nga Maqedonia e Veriut largohen çdo vit 200 deri në 250 mjekë, kurse vetëm në vitin 2023, 1500 infermiere. Ka nga ata që duan të qëndrojnë në vend, por ka ende mjekë të rinj që mendojnë të punojnë në spitale të huaja.
“Para së gjithash, vetë paga, por edhe fakti që shumica e specializantëve presin shumë kohë, madje edhe si mjekë të përgjithshëm, për të filluar specializimin e tyre, më pas gjatë specializimit të tyre, vetë kompensimi është pagë minimale andaj mendoj se kjo është një prej arsyeve”, u shpreh Teodora Nastoska – specializante private.
“Secili si individ duhet të kontribuojë për t’i përmirësuar gjërat. Nuk duhet të themi se është keq dhe mos të kontribuojmë. Secili duhet të kontribuojë në përmirësimin e situatës, jo vetëm në kujdesin shëndetësor”, theksoi Jovan Pop Stefanija – specializante private.
Sipas disa të dhënave, Maqedonisë së Veriut aktualisht i duhen të paktën 1.000 mjekë. /Alsat/