Spitali Gjinekologjik “Nënë Tereza” në Çair duket se është “shndërruar” në organ të sigurisë së lartë, ndërsa ka shkelur një sërë ligjesh që ka të bëjë me mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale. Muaj më parë, ky spital ka vënë në përdorim aparat për identifikim biometrik dhe me gjurmë gishtash për punonjësit e spitalit. Deri të premten, mbi 60 punonjës vetëm se janë identifikuar me gjurmë gishtash, ndërkohë që pjesa tjetër – pasi kanë refuzuar, nuk janë detyruar ta bëjnë një gjë të tillë. Me këtë vendim të drejtoreshës Pranvera Izairi, gjinekologjia “Nëna Terezë” në Çair është i vetmi institucion publik shëndetësor në Maqedoninë e Veriut që ka vënë në përdorim aparat për identifikim të gjurmëve të gishtave.
Pas ankesave të punonjësve në gazetën Koha, përgjigje në pyetjet tona drejtuar drejtoreshës Pranvera Izairi ka dërguar Zyra për Shërbime Juridike e Spitalit, megjithëse në asnjë pyetje nuk përgjigjen Në pyetjet e kërkua. “Ju njoftojmë se në Spitalin Gjinekologjik ‘Nëna Terezë’ është në finalizim projekti për regjistrimin e punonjësve në hyrje/dalje, me kartela! Stafi udhëheqës i spitalit së bashku me drejtoreshën janë gjithmonë në bashkëpunim me personelin e spitalit dhe në mbrojtje të interesit e tyre, e regjistrimi i kohës është një procedurë teknike që kërkohet me ligj”, thonë në përgjigjet me imejl nga Zyra për Shërbime Juridike, ndërkohë që me një fjali shtojnë se “Spitali nuk disponon dhe nuk ruan shenja të gishtërinjve të punonjësve”, edhe pse Koha disponon me foto të aparatit biometrik të vënë brena në hyrje të spitalit.
Në përgjigjen me shkrim, Zyra për Shërbime Juridike nuk e mohon se ka një aparat biometrik dhe nuk përgjigjet nëse deri të premten, mbi 60 punonjës janë identifikuar në hyrje-dalje me shenja gishtërinjve, siç ka informacione të sigurta gazeta Koha. Kjo zyrë dhe vet drejtoresha nuk kanë pranuar të përgjigjen nëse kanë përgatitur ndonjë Analizë për ndikimin në privatësi konform ligjeve dhe nëse ka leje nga AMDhP për përdorim të aparaturës biometrike.
Por, ku qëndron skandali me përdorimin e kësaj aparature që, përveç institucioneve të sigurisë së lartë në shtet, askund tjetër nuk përdoret? Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AMDhP) vite më parë ka lëshuar udhëzime të qarta që thonë se, përdorimi i gjurmëve të gishtave për kontroll të orarit, duhet të jetë masa e fundit, vetëm kur nuk ka alternativë tjetër në pajtim me ligjet e shtetit. Kështu që, institucione që mund ta përdorin ligjërisht dhe në kushte të caktuara aparatin e gjurmëve të gishtave është Policia, Dogana, Burgjet dhe Qendrat e paraburgimit për kontroll të hyrje-daljeve, Qendrat e shërbimeve sekrete dhe në raste të caktuara, Spitalet Psikiatrike me regjim të mbyllur.
Duket se Gjinekologjia e Çairit, siç kërkohet me ligj, nuk ka bërë asnjë Rregullore për ndikimin e privatësisë, konkretisht një analizë paraprake për të treguar se përdorimi i gjurmës është i domosdoshëm dhe proporcional. Së paku, një analizë e tillë nuk i është ofruar asnjëherë punonjësve në këtë institucion shëndetësor. Madje, as leje apo mendim nga AMDhP nuk i është ofruar punonjësve.
LIGJET QË KA SHKELUR UDHËHEQËSIA E SPITALIT
Në AMDhP për gazetën Koha thonë se, aparatet për identifikim me gjurmë gishtash përdorin vetëm institucionet shtetërore që kanë nevojë reale për siguri të lartë dhe që kanë marrë miratimin nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Përdorimi i kësaj aparature për kontroll orari në administratë apo institucion që jep shërbime publike, është i diskutueshëm dhe kërkon arsyetim të fortë dhe leje paraprake. “Nëse një institucion shtetëror, siç është spitali gjinekologjik, përdor një aparat për identifikim biometrik (si gjurmë gishti) pa pëlqimin e punonjësve dhe pa leje nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ky veprim përbën shkelje serioze ligjore”, thonë në AMDhP.
Në këtë rast, udhëheqësia e Spitalit bie drejtpërdrejt ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, konkretisht me nenin 9 dhe 10, që specifikon se “të dhënat biometrike (si gjurmët e gishtave) konsiderohen kategori e veçantë e të dhënave personale dhe përpunimi i tyre është i ndaluar, përveç nëse ka: bazë ligjore specifike, vlerësim të ndikimit në privatësi, ose pëlqim të qartë (me letër) dhe të informuar nga subjekti (punonjësi)”. Veç kësaj, përdorimi i aparaturës biometrike bie ndesh edhe me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës. “Çdo monitorim pa leje dhe pëlqim, dhe pa marrëveshje (kolektive ose individuale) konsiderohet shkelje e të drejtave të punës”, thuhet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës – nenet 86, 87 dhe 88.
Është shkelur edhe Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut, konkretisht neni 149 që mbulon përdorimin e paautorizuar i të dhënave personale. “Kushdo që, në kundërshtim me Ligjin, përpunon, përdor, transmeton apo mbledh të dhëna personale pa pëlqim ose bazë ligjore, dënohet me gjobë ose burg deri në 1 vit”, thuhet në nenin 149, ndërsa ky nen zbatohet në rastet kur drejtues të institucionit përdorin të dhëna biometrike pa leje nga AMDhP dhe pa pëlqimin e të punësuarve.
Kodi Penal – neni 122 që ka të bëjë me cenimin e privatësisë personale parasheh që, kushdo që regjistron, përpunon ose publikon të dhëna për jetën personale të një personi pa leje, mund të dënohet me burg deri në 3 vjet, në varësi të pasojave. Në këtë drejtim, dënim më të madh parasheh neni 353 e që mbulon keqpërdorimet e pozitës zyrtare: “Zyrtari që e tejkalon autorizimin e tij dhe me këtë i shkakton dëme personit apo shkel të drejta të garantuara, dënohet me burg deri në 3 vjet, ose më shumë nëse ka pasoja të rënda”.
Aparati me gjurmë gishtash që Gjinekologjia e Çairit ka vendos për punonjësit është në kundërshtim edhe Ligji për Inspektoratin e Punës, konkretisht pjesën kur bëhet fjalë për shkelje të të drejtave themelore të punës, përfshirë privatësinë dhe informimin. Ky aparat bie ndesh edhe me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut – neni 25 që mbulon të drejtën e drejta e privatësisë personale. “Çdo qytetar ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga ndërhyrja e paautorizuar në jetën e tij personale dhe profesionale, përfshirë përpunimin e të dhënave personale”, thuhet në nenin 25 të Kushtetutës së shtetit.
JA CILËT INSTITUCIONE PËRDORIM IDENTIFIKIM ME GJURMË GISHTASH
Në Maqedoninë e Veriut, vetëm gjashtë institucione publike përdorin aparate për gjurmë gishtash (skanerë biometrikë) për qëllime të ndryshme si identifikim, siguri dhe kontroll administrativ.
Ministria e Punëve të Brendshme ka aparate të tilla e që përdoren për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve për karta identiteti, pasaporta biometrike, patentë shoferi, kontrolle policore dhe hetime kriminale. Në kuadër të MPB-së, të njëjtat aparate përdoren edhe nga Drejtoria për Siguri Publike, si dhe Njësia për Kriminalistikë dhe Forenzikë. Insitucion tjetër që e përdorë këtë aparaturë është Drejtoria për Ekzekutim të Sanksioneve (burgjet) për regjistrimin dhe identifikimin e të burgosurve në hyrje/dalje, si dhe gjatë kontrolleve të brendshme në institucionet ndëshkuese. Institucioni i tret është Agjencia për Emigracionin dhe Azilin për regjistrimin e azilkërkuesve dhe emigrantëve, përmes skanimit të gjurmëve të gishtërinjve në përputhje me ligjet kombëtare dhe standardet e BE-së (EURODAC për azil).
Që nga viti 2021, edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vetëm në ditën e votimit përdorë aparate për identifikim biometrik të votuesve përmes gjurmëve të gishtave, për të parandaluar votimin e dyfishtë dhe mashtrimet.
Ky aparat përdoret edhe nga Shërbimi për Menaxhimin e Kufijve (Policia kufitare), e cila bën skanimin e gjurmëve të gishtërinjve për personat që hyjnë/dalin nga territori i shtetit, sidomos në rastet e dyshimta ose të parashikuara me marrëveshje ndërkombëtare. Dhe, institucioni i fundit që përdor aparat biometrik është Agjencia për Regjistrim Civil (brenda MPB-së) e cila të njëjtën e përdor vetëm kur qytetarët aplikojnë për dokumente personale, ndërsa gjurmët e gishtave merren dhe ruhen në bazën shtetërore të të dhënave të MPB-së.
Ndryshe, drejtoresha e Gjinekologjisë në Çair, Praneva Izairi në qendër të opinionit ka qenë madje që në fillim të mandatit të saj, kur e njëjta vendosi për vënien në përdorim të kamerave brenda objektit të Spitalit, por që incizonin edhe zërin. Megjithatë, pas reagimeve të opinionin dhe mediave, e njëjta u detyrua të tërhiqet dhe të nxjerr nga përdorimi specifikacionin e incizimit të zërit, ndërkohë që pati reaguar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.






