Në Kosovë, personat me çrregullime mendore përballen jo vetëm me mungesën e trajtimit të qëndrueshëm, por edhe me stigmatizim të thellë nga familja dhe shoqëria. Qendrat për Shëndet Mendor dhe Shtëpitë për Integrim në Ferizaj e Gjilan janë ndër institucionet e pakta që ofrojnë përkujdesje, por përballen me mungesë stafi, kapacitete të kufizuara dhe pamundësi për integrim të pacientëve në komunitet.
“Dëgjova një bërtitmë të fortë: ‘Mos, çfarë po bëni? Pse e latë veturën jashtë? Do ta shohin të gjithë! Futeni brenda, se krejt fshati do ta kuptojë që djali s’më është mirë. Më shkon fytyra!’”
Ky ishte reagimi i babait që kishte djalin me skizofreni, sapo ekipi i Qendrës për Shëndet Mendor nga Ferizaj mbërriti në shtëpinë e tyre në fshat dhe parkoi veturën jashtë oborrit.
Psikiatri dhe infermierja u detyruan që me shpejtësi të hynin në oborrin e rrethuar me mur, ku askush nuk do t’i shihte, për të vazhduar më tutje me kontrollin mjekësor të 25-vjeçarit.
Kjo është ndër ngjarjet e para që e kishte tronditur Mensur Qiraxhiun, psikiatrin e Qendrës për Shëndet Mendor në Ferizaj, kur para gjashtë vjetëve kishte filluar punën aty.
Tashmë si drejtues i institucionit, ai kujton dhjetëra raste nga puna në terren, kur ishin përballur me familjarë të personave me çrregullime të shëndetit mendor.
“Për atë baba ishte marre, ende është njëjtë për shumë të tjerë”, thotë ai, derisa e ndan këtë përjetim për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se stigma është një nga pengesat kryesore pse shumë familjarë hezitojnë t’i sjellin të afërmit e tyre në Qendër, nga frika e gjykimit shoqëror.
Kryeinfermieri i Qendrës, Bajram Sadiku, i cili punon aty që nga themelimi i saj në vitin 2003, e konfirmon këtë.
Sadiku thotë se ndër vite ka parë se paragjykimet ndaj personave me çrregullime të shëndetit mendor janë thellësisht të rrënjosura.
“Ka plot persona që janë trajtuar në këtë Qendër dhe në Shtëpinë për Integrim, ata nuk janë dalluar në mesin e të tjerëve, por shoqëria që i ka njohur i ka keqtrajtuar dhe rrahur. Ata nuk janë të sigurt në këtë shoqëri, paragjykohen e stigmatizohen”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Qiraxhiu foli edhe për një rast të fundit në Ferizaj, që thotë se i kishte zhgënjyer dhe mërzitur tej mase.
“Një klient i yni rreth të 40-tave, i cili kishte pasur përmirësim, në rrugë është ndalur nga disa të rinj. Ata i kanë dhënë alkool dhe medikamente, e më pas e kanë filmuar dhe postuar në rrjete sociale. Tash ai është në gjendje shumë më të keqe”, tha ai.
Qiraxhiu shtoi se rasti po hetohet më tutje dhe se po presin t’i sigurojnë një vend në Qendrën për Shëndetin Mendor në Shtime, meqë në Shtëpinë për Integrim në Ferizaj nuk ka vend për asnjë person tjetër.
Qendra dhe shtëpi të tilla funksionojnë në gjashtë rajone të Kosovës.
Qendra e Shëndetit Mendor në Ferizaj ofron shërbime të kujdesit psikiatrik dhe psikosocial për persona me çrregullime të shëndetit mendor, duke u bazuar në parimin e trajtimit në komunitet dhe jo në spitale të mbyllura.
Ajo trajton çdo ditë vetëm 10–15 pacientë, ndonëse janë të regjistruar rreth 780. Shërbimet përfshijnë terapi grupore, aktivitete sociale dhe trajtim.
Shumica e tyre marrin terapi mujore me antipsikotikë dhe më pas përkujdesen nga familjarët në shtëpitë e tyre.
Një pjesë e pacientëve jetojnë në Shtëpinë për Integrim, degë e kësaj Qendre, ku marrin përkujdesje të vazhdueshme nga stafi mjekësor, 24 orë në ditë. Aty jetojnë 10 persona dhe objekti duket më i ri.
Shtëpia për Integrim, sipas rregullores së SHSKUK-së, ka për mision që të ofrojë strehim dhe shërbime rehabilituese për klientët me çrregullime mendore, me qëllim rifitimin e aftësive të humbura dhe kthimin në rrethin shoqëror.
Kjo supozohet të bëhet përmes një qëndrimi nga tre muaj deri në një vit. Por, aty ka persona që strehohen për më shumë se një dekadë.
“Janë dy persona për momentin që s’kanë familje, janë mbi moshën 40-vjeçare, ka 16 apo 17 vjet që janë duke jetuar aty, s’kanë ku të shkojnë”, tha Qiraxhiu.
Ai shton se ka një listë të personave që presin për të hyrë aty, por se në Shtëpinë për Integrim është vështirë të lirohet një vend.
Në ndërtesën dykatëshe, korridori i gjatë kishte dhoma në të dy anët, ku qëndronte stafi mjekësor, ndërkaq në fund ndodhej kuzhina, nga e cila mund të dilje në oborr.
Aty, nën hije, qëndronin disa gra të cilat, sapo na dëgjuan gjatë bisedës me psikologen, u ngritën dhe erdhën me vrap.
Njëra prej tyre, me bluzë ngjyrë rozë dhe buzëqeshje në fytyrë, na u hodh në përqafim. Teksa largohej, u përlot dhe tha: “Unë s’e kam askënd, jam e vetme këtu”.
Shumë prej tyre jetojnë me pak kontakt me familjarët, por gjejnë mbështetje tek njëra-tjetra.
Banorët kishin ndarë punët: dikush gatuante, dikush bënte kafe dhe kujdesej për pastërtinë.
Kësisoj, më shumë ngjasonte me një familje të madhe sesa me një institucion mjekësor.
Dhomat e gjumit, ku pacientët marrin edhe terapinë e nevojshme, janë në katin e dytë, me nga dy shtretër dhe pa ndonjë hapësirë të madhe.
Ekziston edhe një dhomë e vogël e ndarë për vizita private nga të afërmit.
Ankesat kryesore të stafit janë për numrin e vogël të infermierëve – shpesh vetëm një ose dy mbulojnë një ndërrim dhe mbajnë kujdestari.
Së bashku me Qendrën, janë 25 punonjës: një psikiatër, dy psikologë dhe staf infermierësh.
Kryeinfermieri thotë se shumë nga banorët janë të aftë për punë dhe kanë tentuar të punësohen, por gjithnjë janë refuzuar dhe nuk kanë marrë përkrahje nga shteti.
Gjilani pa psikiatër e pa psikologë
Në komunën e Gjilanit, ka një tjetër realitet.
Qendra e Shëndetit Mendor, ku janë rreth 500 pacientë të regjistruar, ishte krejtësisht e zbrazët në orën 12 të ditës. Aty prezentë ishin vetëm dy infermierë dhe drejtori i ri, Besim Shabani, që kishte marrë detyrën para një muaji, ndërsa më herët kishte qenë administrator i financave.
Shabani tregon se, në përditshmëri, këtë qendër e vizitojnë rreth 10 persona me çrregullime të shëndetit mendor.
“Tek ta ndikon edhe temperatura e lartë që të mos vijnë, por është edhe një problem pamundësia jonë për t’ua paguar transportin. Fakti që janë në gjendje financiare jo të mirë e bën të vështirë. Ne kemi buxhet, por nuk kemi gjetur një rrugë përmes procedurave të prokurimit”, thotë Shabani.
Për ata që nuk mund të vijnë, kjo qendër posedon tri vetura me të cilat shkon për vizita në terren, për t’u dhënë shërbime mjekësore.
Për pacientët aktualë që shkojnë aty, janë vetëm infermieret që kujdesen dhe u japin terapinë e nevojshme.
“Të vetmin psikiatër që e kemi pasur është bërë ushtrues detyre i drejtorit të spitalit. Tani është hapur konkursi dhe po presim. Edhe psikologia është në pushim të lindjes që 10 muaj dhe nuk kemi pasur shërbime psikologjike. Për pacientë nuk kemi zgjidhje”, thotë Shabani për Radion Evropa e Lirë.
Për shkak të mungesës edhe të kryeinfermieres, e cila ishte në pushim mjekësor, Shabani nuk kishte informacione të hollësishme lidhur me gjendjen dhe kushtet e pacientëve.
Në Qendrën për Shëndetin Mendor kishte 12 infermierë, ndërsa në Shtëpinë për Integrim janë të punësuar pesë. Në ditën e vizitës, takuam vetëm një infermier; të tjerët ishin në pushim.
Aty, pacientët ishin të gjithë burra dhe, kur arritëm, po hanin drekë. Hapësira nuk ishte shumë e pastër.
Një nga ta u ngrit nga tavolina për të na treguar se në oborrin e shtëpisë kishte mbjellë perime të ndryshme dhe i kultivonte vetë, pothuajse çdo ditë.
Disa nga banorët e Shtëpisë për Integrim ndodhen aty prej disa vitesh.
“Nëse nuk ka ekzistuar mundësia që familjarët të kujdesen për ta, ka pacientë që qëndrojnë tash sa vite aty. Është problematikë si në komuna të tjera. Shumica ndihen më të rehatuar aty. Kapaciteti është vetëm për 10 persona. Do të ishte mirë të ketë më shumë”, tha Shabani.
Të njëjtën mendon edhe Qiraxhiu nga Qendra për Shëndet Mendor në Ferizaj.
“Ka plot persona që presin për të hyrë këtu, familjarë që s’mund të kujdesen dhe dëshirojnë t’i strehojnë tek ne, por s’kemi vend. Nuk mund t’i nxjerrim në rrugë pacientët që aktualisht banojnë aty”. /REL/