Subvencionet në duar të gabuara!

    Bujqësia, investimet e huaja dhe turizmi janë sektorët në Maqedoni që marrin pjesën më të madhe të ndihmës shtetërore prej mbi 200 milionë euro, por rezultatet nuk janë të kënaqshme. Andaj sistemi i ndihmës shtetërore duhet të pësojë ndryshime dhe reforma të caktuara, tregon analiza e institutit “Finance Think”. Ekspertët janë të prerë, paratë e shtetit që u jepen kompanive apo individëve duhet të nxisin përmirësimin e konkurrencës, punësimet e reja, zhvillimin e sektorëve të caktuar, apo synimi është që të ketë më shumë efekte. Kjo do të thotë se për të njëjtat fonde do të kthehen më shumë para në thesarin e shtetit, gjë që aktualisht nuk ndodh. Gjetjet tregojnë se në Maqedoni, ndihma shtetërore e dhënë nuk mund të lidhet me rritjen e prodhimit bimor dhe blegtoral, gjë që tregon nevojën për të rishqyrtuar qëllimin, modelin dhe mënyrën e shpërndarjes së këtij lloji të ndihmës shtetërore, shkruan gazeta Koha.

    Gjatë kësaj periudhe, një rrjet i grupeve të ekspertëve ekonomikë kryen një hartë të ndihmës shtetërore në gjashtë vendet e rajonit. Është shqyrtuar shuma, llojet e ndihmës shtetërore dhe kujt i dedikohen ato. Gjatë hulumtimit ka pasur probleme në fushën e mbledhjes së të dhënave dhe transparencës.

    Në Maqedoni, ndihma shtetërore po rritet nga viti në vit, dy të tretat janë të destinuara për bujqësi dhe pjesa tjetër për kompanitë vendase dhe investimet e huaja. Duke parë vendet, dominon bujqësia, por edhe sektorë si turizmi apo energjia.

    “Me fjalë tjera, mjetet e investuara nuk po arsyetojnë qëllimet. Një nga rekomandimet tona kryesore është që ndihma jonë shtetërore, së paku për Maqedoninë, t’i nënshtrohet një reforme të caktuar. Fondet e dhëna duhet të lidhen me produktin që del nga prodhimtaria. Sepse nuk kemi evidentuar kudo që rritja e ndihmës shtetërore jep rezultate përfundimtare, sidomos në fushën e bujqësisë. Megjithatë, sigurisht që ka vend edhe lidhur me kompanitë. Le të jemi pak më të orientuar drejt efekteve”, thekson Bllagica Petreski nga Instituti për Kërkime dhe Politika Ekonomike “Finance Think”.

    Ajo theksoi se qëllimi i ndihmës shtetërore është të nxisë konkurrencën, produktivitetin, të shkaktojë punësime të reja dhe se si e tillë duhet të ekzistojë. Mirëpo, siç tha, duhet të drejtohet që të japim efekte më të mëdha, pra për të njëjtat mjete të marrim më shumë efekte ose t’i drejtojmë mjetet atje ku efektet janë më të mëdha. Gjatë sajimit të hartës së ndihmave shtetërore në të gjashtë vendet e rajonit të kryer gjatë vitit të kaluar, u konstatua se ka dallime në atë se sa shtetet ndajnë ndihmë shtetërore. Ndihma varion nga 0.5 për qind e PBB-së në Kosovë dhe Shqipëri, në 5.9 për qind në vitin 2022 për Serbinë. Maqedonia e Veriut ndan 1.9 për qind të PBB-së ose 235 milionë euro.

    “Nëse i shikojmë shumat në terma absolutë, do të vërehet se ndihma shtetërore e ndarë është në rritje të vazhdueshme, pra në krahasim me vitin 2018 Maqedonia ka ndarë 148 milionë euro, në vitin 2022 – 235 milionë euro. Nëse shkojmë më tej, që synohet për ndihmën shtetërore, ndihma shtetërore në bujqësi ende dominon. Në katër vende është më shumë se gjysma, ndërsa në Maqedoni dy të tretat e totalit të ndihmës shtetërore i referohen bujqësisë. Dy sektorët e tjerë janë të destinuar për kompanitë vendase dhe për investime të huaja direkte. Lidhur me sektorët, është shumë e vështirë të kemi krahasime, por ka ende dallime midis vendeve. Për shembull, në Shqipëri investojnë në turizëm, në Serbi investojnë në ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Nga këndvështrimi i sektorëve të tjerë vërejmë edhe energjetikë edhe infrastrukturë”, tha Petreski.

    Nga “Finance Think” shtojnë se kemi rritje apo stabilitet të vazhdueshëm në seksionin e produkteve bimore, por jo gjithmonë vërehet rritje e prodhimit total. Ndërsa në fushën e inovacioneve po vëmë re lidhje pozitive. Në fushën e investimeve të huaja direkte, gjetjet tregojnë se ndihma shtetërore nuk është gjithmonë çelësi në masën në të cilën do të tërheqim investimet e huaja direkte. Pra, qasja në fuqinë punëtore, rregullimi, parashikueshmëria e ligjeve, janë faktorë që në masë të madhe mund të diktojnë se sa investime të huaja do të tërheqim.

    Në fushatën parazgjedhore, gjashtë muaj më parë, qeveria aktuale paralajmëroi ndryshimin e modelit të subvencionimit të investimeve të huaja. Por akoma nuk ka përgjigje se çfarë ndryshimesh do të sjellë qeveria e re dhe çfarë efekti do të ketë shteti prej tyre. Drejtori i Drejtorisë së Zonave të Lira, Goce Dimovski thekson se ndihma shtetërore është instrument që të gjitha vendet në Evropë dhe më gjerë e përdorin për të rritur konkurrencën. Lidhur me njoftimet e Qeverisë se do të ndryshojë modelin e subvencionimit të investimeve të huaja, ai tha se aktualisht janë duke punuar në modele dhe një sërë masash në mënyrë që, siç theksoi, të jemi në hap me atë që ofron bota globale.

    Qëllimi është që të jemi më konkurrues, të jemi më atraktiv dhe të mundësojmë më shumë dukshmëri dhe transparencë në fushën e ndihmës shtetërore, tha Dimovski.

    Sipas studimit, në përgjithësi, në të gjitha vendet ka një sërë masash ndihme shtetërore që synojnë tre segmente: fermerët, kompanitë vendase dhe kompanitë e huaja. Në një farë mase, masat janë të ngjashme midis vendeve, veçanërisht ato që synojnë fermerët dhe kompanitë e huaja që operojnë në zonat e lira ekonomike. Transparenca e ulët, mungesa e informacionit në lidhje me masat dhe sasinë e ndihmës së dhënë është një tjetër ngjashmëri mes vendeve të analizuara.

    Më detajisht , rezultatet tregojnë se ndihma shtetërore e dhënë fermerëve përbën më shumë se gjysmën e shumës totale të ndihmës shtetërore në katër vende (Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut).

    Nga ana tjetër, ndihma shtetërore e dhënë nuk mund të lidhet me rritjen e prodhimit bimor dhe blegtoral, gjë që tregon nevojën e rishikimit të qëllimit, modelit dhe mënyrës së shpërndarjes së këtij lloji të ndihmës shtetërore. Për shembull, megjithëse ndihma për të mbështetur prodhimin bimor ndryshon nga viti në vit, prodhimi është relativisht i qëndrueshëm. Ndihma shtetërore për të mbështetur kompanitë vendase ndryshon midis vendeve, veçanërisht për sa i përket sektorit të synuar. Mbi gjysma e ndihmës për kompanitë vendase në Shqipëri ka për qëllim industrinë përpunuese dhe turizmin. Serbia është i vetmi vend që ndan një pjesë të madhe të ndihmës shtetërore për të mbështetur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në Maqedoninë e Veriut, mbi 90% e ndihmës është e dedikuar për të gjithë sektorët, ndërsa pjesa tjetër ka për qëllim industrinë përpunuese, sektorin e energjisë dhe turizmin. Ngjashëm është në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë.

    Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, ofrojnë një gamë të gjerë masash tërheqëse për të tërhequr dhe mbështetur investitorët e huaj. Skema e ndihmës shtetërore për investitorët e huaj në Maqedoninë e Veriut vlerësohet si më transparente, e thjeshtë dhe më tërheqëse, krahasuar me vendet e tjera. Kompanitë e vendosura në zonat e lira ekonomike janë të përjashtuara nga pagesa e tatimit mbi pronën, koorporative, personale dhe mbi vlerën e shtuar, marrin mbështetje për punësim të ri dhe kontribute të subvencionuara, si dhe gëzojnë trajtim prioritar gjatë kryerjes së detyrave administrative, lidhje falas me shërbimet komunale dhe dhënien tokë me qira në periudhë afatgjate.

    Lajmi Paraprak

    Ngrihet aktakuzë ndaj një personi në Shkup për pjesëmarrje në luftën e Rusisë në Ukrainë

    Lajmi i rradhës

    Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të vitit tjetër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë