Si asnjëherë më parë, blegtorët dibranë, por edhe ata të rajonit, po përballen me problemin e vazhdimit të aktiviteteve të tyre. Rritet numri i blegtorëve që po braktisin kopetë e dhenve dhe po ndërpresin veprimtarinë, pasi sipas tyre ka filluar të mos paguhet mbajtja e dhenve. Si shkaqe kryesore theksohen pamundësia për t’u përballur me shpenzimet, mungesa e fuqisë punëtore dhe mospagesa e subvencioneve në kohë. Prandaj, nga viti në vit po shënohet një ulje e shpejtë e numrit të bagëtisë së imët në Dibër dhe në komunën rurale Qendër Zhupë. Mes blegtorëve që kanë shitur dhentë ka edhe emra të njohur nga Dibra dhe Zhupa, të cilët kanë qenë edhe themelues të shoqatës së blegtorëve të kësaj ane.
Blegtori dibran Skënder Ame, një ndër themeluesit e Shoqatës së blegtorëve “Dashi”, këto ditë ka braktisur tufën e tij. Me shitjen e dhenve ai faktikisht ndërpreu aktivitetin familjar në fushën e blegtorisë. Skënderi, i cili ishte një nga blegtorët më të dalluar dibranë, thotë se vitet e fundit nuk ka pasur mundësi të vazhdojë aktivitetin si blegtor.
“Isha një nga themeluesit e shoqatës së blegtorëve dibranë ‘Dashi’. Kisha rreth një mijë dhen dhe mora pjesë në shumë panaire ku prezantonim djathin e bardhë tradicional dibran. Prezantimet, jo vetëm në vend por edhe në panaire ndërkombëtare, tregonin se mundësitë për zhvillimin e blegtorisë ishin të mëdha. Por mungesa e fuqisë punëtore, pasi të rinjtë kanë braktisur vendin dhe ata që kanë mbetur nuk duan të merren me blegtori, si dhe vonesa e subvencioneve, ishin një pengesë e madhe për zhvillimin e këtij sektori. Po ashtu, shteti nuk ka bërë investime në kullosa, sa i përket infrastrukturës rrugore dhe jo vetëm. Një situatë e tillë mua dhe disa blegtorë të tjerë, si nga Dibra ashtu edhe nga Zhupa, na detyroi të ndërpresim punën në blegtori. Blegtoria ka qenë aktivitet tradicional i familjes sime prej dekadash, por ishte e qartë se puna nuk po ecte përpara. Prandaj ndërpreva aktivitetin dhe shita dhentë”, thotë për gazetën KOHA bashkëbiseduesi Skënder Ame.
Ai shton se në Dibër dhe në rajon, brenda një dekade, numri i dhenve ka rënë nga 40 mijë në 28 mijë. Kjo do të thotë se ka rënie edhe të prodhimit të djathit të bardhë tradicional dibran.
Në Zhupë takuam blegtorët Ashim B. dhe Asan F., të dy blegtorë që po ashtu i kanë shitur dhentë. Ata thonë se blegtoria ka qenë aktivitet familjar, por migrimi ka shkaktuar dëme të mëdha në këtë veprimtari. Fëmijët u kanë shkuar në Itali dhe tani nuk kanë fuqi punëtore. Po ashtu theksojnë se hasin probleme me marrjen e subvencioneve. Të dy janë të mendimit se Evropa e ka përkrahur Maqedoninë e Veriut, sidomos në fushën e blegtorisë dhe bujqësisë, por shteti nuk i paguan subvencionet në kohë. Në Shoqatën e blegtorëve “Dashi”, ku janë anëtarë blegtorë nga Dibra dhe Zhupa, informojnë se ka edhe blegtorë të tjerë nga rajoni që paralajmërojnë braktisjen e aktivitetit në këtë sektor. /KOha/






