Suedia bëhet anëtare e NATO-s zyrtarisht

    Suedia është bërë anëtarja e 32-të e NATO-s zyrtarisht, pasi e kompletoi procesin e anëtarësim të enjten në Shtetet e Bashkuara.

    Dorëzimi i dokumenteve u bë gjatë një ceremonie në Uashington, dy vjet pasi Suedia aplikoi për t’iu bashkuar aleancës ushtarake, menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës.

    Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se “uniteti dhe solidariteti” do të jenë “frymëzuesit” e Suedisë.

    “Gjërat e mira u ndodhin atyre që kanë durim”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

    Blinken tha se “çdo gjë ndryshoi” pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, duke i cituar sondazhet të cilat kanë treguar se populli suedez e ndryshoi bujshëm mendimin rreth anëtarësimit në NATO.

    “Suedezët kuptuan diçka shumë të rëndësishme: nëse Putini dëshiron ta fshijë nga harta edhe një fqinj tjetër, ai mund të mos ndalet me kaq”.

    Anëtarësimi i Finlandës vitin e kaluar dhe tani i Suedisë, e cila nuk ka qenë në luftë prej vitit 1814, përbën zgjerimin më të rëndësishëm të NATO-s prej se ajo pranoi anëtarë të rinj nga Evropa Lindore pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991.

    Anëtarësimi i tyre është edhe goditje për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili tani përballet me një zinxhir pothuajse të pathyeshëm të anëtarëve të NATO-s në perëndim të vendit të tij, nga Deti i Zi deri në Arktik.

    “Sot është një ditë vërtet historike. Suedia është tani anëtare e NATO-s. Ne do ta mbrojmë lirinë tonë së bashku me vendet që i kemi më së afërmi – qoftë gjeografikisht, qoftë sa i përket kulturës dhe vlerave”, tha Kristersson.

    Suedia do të përfitojë nga garancia e mbrojtjes së përbashkët e NATO-s, sipas të cilës, një sulm kundër një anëtari të aleancës është sulm kundër të gjithë anëtarëve.

    Rusia ka kërcënuar se do të ndërmarrë “kundërmasa politike dhe tekniko-ushtarake”, të cilat nuk i ka specifikuar, si përgjigje ndaj vendimit të Suedisë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Produktet dietike që të bëjnë gati për stinën e diellit

    Lajmi i rradhës

    Kosovës “i duhet ligj për valutën”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë