Taksa mbi sheqerin – të ardhura për sigurimin shëndetësor në Gjermani

    Qeveria gjermane pret të arkëtojë 650 milionë euro të ardhura vitin e ardhshëm nga taksa e planifikuar mbi pijet me sheqer. Ato do të shkojnë në mbështetje të fondeve të sigurimit shëndetësor ligjor.

    Rreth 650 milionë euro pritet të mbledhë qeveria gjermane vitin e ardhshëm nga taksa e planifikuar , e quajtur taksa mbi sheqerin. Këtë e deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Nina Warken (CDU), për rrjetin editorial gjerman Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND). Taksa do të aplikohet për pijet e ëmbëlsuara me sheqer.

    Komisioni i ngritur nga qeveria në Gjermani ka rekomanduar një taksë të shkallëzuar sipas përmbajtjes së sheqerit: Nëse një pije përmban më shumë se 5 gramë sheqer për 100 mililitra, prodhuesit do të paguajnë rreth 26 cent për litër. Për pijet me më shumë se 8 gramë sheqer për 100 mililitra, tarifa do të jetë 32 cent për litër.

    Sipas Warken, nga të ardhurat shtesë do të përfitojnë fondet ligjore të sigurimit shëndetësor. “Paketa e kursimeve parashikon që sigurimi shëndetësor të marrë më shumë mjete nga taksat”, shpjegoi ministrja. “Detajet do t’i përcaktojmë së bashku me Ministrinë e Financave.” Ajo shtoi se qeveria synon të veprojë në përputhje me rekomandimet e ekspertëve të Komisionit Financiar për Shëndetësinë, të cilin e ka ngritur vetë.

    Taksa mbi sheqerin – mjet për stabilizimin e financave të sigurimeve shëndetësore

    Fakti që taksa mbi sheqerin, e diskutuar prej vitesh, tani pritet të bëhet realitet, lidhet me vështirësitë financiare të fondeve ligjore të sigurimit shëndetësor. Kjo taksë është një nga 66 propozimet e komisionit të ekspertëve për stabilizimin e financave të sigurimeve shëndetësore publike.

    Përveç të ardhurave që do të sjellë kjo taksë, ekspertët vlerësojnë se fondet e sigurimit do të kursejnë edhe më shumë para në afat të gjatë, pasi mund të parandalohet përhapja e sëmundjeve të lidhura me konsumimin e tepërt të sheqerit, si për shembull diabeti. 

    Vende të tjera, si Britania e Madhe, e kanë vendosur prej kohësh një taksë të tillë për pijet e ëmbëlsuara me sheqer. Në Gjermani, politika deri më tani ishte mbështetur kryesisht te vullneti i industrisë për të ulur përmbajtjen e sheqerit dhe te ndërgjegjësimi i konsumatorëve për të bërë vetë zgjedhje më të shëndetshme. DW

    Lajmi Paraprak

    Në raftet e dyqaneve, importi mund produktin kosovar

    Lajmi i rradhës

    Siguria ushqimore në RMV mbetet peng i tenderëve të dështuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë