Taravari: marrëveshja me kryeministrin u shkel – ligji për përfaqësim të drejtë u harrua

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka folur për arsyet e largimit nga koalicioni qeveritar, gjendjen e të drejtave të komuniteteve, marrëdhëniet ndëretnike e ndërkulturore, si dhe për bllokimin e integrimeve evropiane.

    Taravari për “Interkultura” theksoi se, edhe pse marrëdhëniet ndëretnike nuk ishin arsyeja e drejtpërdrejtë e largimit, ato përbëjnë një ndër arsyet kryesore që çuan në këtë vendim.

    Ai shpjegoi se prishja e balancës ndëretnike dhe mosrespektimi i marrëveshjeve paraprake për ligjin e përfaqësimit të drejtë ishin tregues se partneriteti nuk po funksiononte.

    “Për të qenë i sinqertë, kjo nuk është arsyeja e drejtpërdrejtë, por është një ndër arsyet – po, kjo është e vërtetë. Kishim një marrëveshje mes katër partive të VLEN-it dhe kryeministrit për një ligj të përgatitur nga Aleanca për Shqiptarët, i cili do të garantonte përfaqësim të drejtë për të gjitha komunitetet. U tha se do të miratohej në dhjetor, por kaluan muajt dhe ligji nuk u soll kurrë”, theksoi Taravari.

    Taravari komentoi edhe për çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe rrugëtimin evropian të vendit. Ai deklaroi se komuniteti maqedonas duhet të ketë të drejtën ekskluzive për të vendosur për çështjet e identitetit, por se gjithë shoqëria ka interes që Maqedonia të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

    “Propozimi francez u përdor politikisht nga OBRM-PDUKM për të tërhequr votues, por thelbi është marrëveshja ndërmjet Maqedonisë dhe BE-së. Është koha që kryeministri të gjejë mënyrën për të vazhduar negociatat, sepse vendi po ngec. Integrimi është interes i të gjithëve – maqedonas, shqiptarë dhe komunitete të tjera”, u shpreh Taravari.

    Lajmi Paraprak

    Shkencëtarët thonë se gati 40 për qind e akullnajave të botës afër shkatërrimit

    Lajmi i rradhës

    Ndërtimtaria në RMV – Vendi ”vuan” për fuqi punëtore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë