Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, në një intervistë për 360 Gradë, ka bërë kritikë publike për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri. Sipas tij, koalicioni funksionon “plogët” dhe duhet gjetur një model për sinkronizim më të mirë.
“Mendoj se kemi shumë mangësi. Nuk varet aq nga kryeministri Mickoski, sa nga ne. Ka një mospërputhje që shihet nga 100 kilometra larg, se po punojmë shumë ngadalë. Përshtypja e njerëzve, që është më e keqja për ne, është se VLEN ka një pozicion shumë të dobët në Qeveri. Unë sapo kam bërë një anketë të përgjithshme rreth tre sondazheve. 70% e popullsisë shqiptare është se VLEN nuk funksionon mirë, nuk është i kënaqshëm përfaqësimi i shqiptarëve në Qeveri”, thotë ai.
Në intervistë, Taravari ka sqaruar se kur flet për përfaqësimin e shqiptarëve në Qeveri nuk e ka parasysh sasinë, por cilësinë.
“Nëse e merr në mënyrë sasiore, domethënë numrin e ministrave, numrin e drejtorëve, përfaqësimi i VLEN-it në Qeveri është në rregull. Megjithatë, nëse e merr në mënyrë cilësore, nuk është ashtu siç duhet, nuk funksionon ashtu siç duhet dhe kjo është përshtypja e përgjithshme e shumicës, e kam fjalën për shqiptarët”, shton Taravari.