Presidenti amerikan, Donald Trump pranoi se tarifat e vendosura prej tij mund të çojnë në rritje çmimesh dhe në ulje të disponueshmërisë së disa produkteve në ShBA.
“Fëmijët amerikanë ndoshta do të kenë dy kukulla në vend të 30”, tha 78-vjeçari, duke këmbëngulur se Kina do të vuajë më shumë se ShBA-ja nga lufta tregtare.
Presidenti amerikan po përpiqet të qetësojë opinionin publik, duke pohuar se tarifat nuk do të shkaktojnë recesion, pasi një raport i ri qeveritar tregoi se ekonomia amerikane është tkurrur në tre muajt e parë të këtij viti.
Trump menjëherë fajësoi paraardhësin e tij Joe Biden, ndërsa deklaroi para kabinetit të tij se Kina “ka probleme të mëdha sepse fabrikat e tyre nuk po punojnë”, duke shtuar se ShBA-së në fakt nuk i nevojitet shumica e produkteve që importohen nga Kina.
“E dini, dikush tha: ‘Po sikur raftet të jenë bosh’. Ndoshta fëmijët do të kenë dy kukulla në vend të 30. Ndoshta ato dy kukulla do të kushtojnë disa dollarë më shumë se zakonisht”, u shpreh Trump.
Para fjalimit të Trumpit, ministria e Tregtisë raportoi se ekonomia amerikane është tkurrur me një ritëm vjetor prej 0.3 për qind në tremujorin e parë të vitit.
Pas këtij rënieje qëndron një rritje e ndjeshme e importeve, pasi kompanitë janë përpjekur të sigurojnë mallra para se të hyjnë në fuqi tarifat e reja të gjera.
Madje edhe treguesit pozitivë të shpenzimeve të brendshme tregonin se blerjet po bëheshin më herët, për të shmangur rritjen e çmimeve si pasojë e tarifave.