Të mënjanohet paralizimi politik i Britanisë së Madhe

    Boris Johnsoni duhej të ishte larguar prej kohësh. Tani ai duhet të hapë rrugën menjëherë edhe si kryeministër, që të krijohet sa më shpejt një qeveri e re është i mendimit, Bernd Riegert.

    Boris Johnson, kryeministri i Britanisë së Madhe dështoi nga Boris Johnson. Politikani konservator nuk u rrëzua nga humbja e elektoratit apo opozita, por nga vetë karakteri i tij. Pas tre vjetësh e pas një serie skandalesh, kryeministri në fund mbeti si një gënjeshtar, retushues dhe mohues. Kabineti i tij dhe partia arritën në konkluzionin që ai që shihej si shpresë dikur, tani ishte bërë për turp. Boris Johnson që vërtet ka talent politik dhe është në gjendje të arrijë pushtetin dhe bindë njerëzit, dështoi në fund për shkak të një rrjeti kaotik gënjeshtrash, premtime të papërmbushura dhe vetëkënaqësi e fryrë.

    Ai e mban veten për të pazëvendësueshëm

    Që ai me sa duket ka parasysh të qëndrojë në post si “lame duck” – në Downing Street deri sa konservatorët të gjejnë një pasues në kongresin e rregullt të partisë i shkon vlerësimit që ka Johnson për veten. Ai e mban veten për të pazëvendësueshëm, kapet me thonj pas pushtetit dhe nuk e kupton me sa duket, pse duhet të largohet, dhe se për këtë është vetë përgjegjës- Në fjalimin e tij fajin ai ia dha “kompleksit të tufës” mes deputetëve të parlamentit. Në këtë vlerësim të gabuar të vetes ai nuk dallon nga idoli i tij, Donald Trump. Si Trumpi, edhe Boris Johnsoni nuk e vret mendjen për dëmin politik që i sjell sistemit politik të vendit një largim kaotik.

    Premtimin e vitit 2019 për Brexitin, Boris Johnson e mbajti dhe e bëri të mundur largimin e Britanisë së Madhe nga BE. Atë që nuk e arriti dot ish-kryeminisitrja, Theresa May, pa fat, por shumë e përgjegjshme, ai e arriti duke nënshkruar një marrëveshje me BE megjithëse e dinte, se nuk do të mund ta respektonte. Sepse me sa duket ai as nuk donte ta respektonte. Marrëveshja ruan një kufi virtual mallrash dhe dogane mes Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, që bën pjesë në tregun e brendshëm të BE. Kjo është e papranueshme për luftëtarët e Brexitit, të verbuar nga populisti i rafinuar. Por për konservatorët, Johnson ia doli në vitin 2019 megjithatë të arrijë në zgjedhje një fitore të konsiderueshme.

    Shpresa e BE

    Pas kësaj fitoreje Boris Johnson ka njohur vetëm rënie. Johnson këtë pranverë donte të thyente në mënyrë të njëanshme marrëveshjen me BE e ta ringjiste me disa deklarata pa detyrime. Kjo nuk do të bëhet tani, sepse qeveria në detyrë nuk është në gjendje. Në BE ka një lehtësim, madje edhe pak gëzim, që Boris Johnson largohet. Por shpresa se një pasuese apo pasues do të respektojë marrëveshjet me BE është e hershme. Nuk mund të thuhet me siguri tani, nëse marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe BE në të ardhmen do të jenë më të mira apo do të përkeqësohen.

    Boris Johnson e drejtoi vendin e tij gjatë pandemisë me një kurs zigzagesh. Në fillim ai nuk e mori seriozisht, por më pas ai ia doli të organizojë një fushatë të suksesshme vaksinimi krahasuar me Europën. Por rregullat e lokdaunit të miratuara nga vetë qeveria e tij, ai i shkeli me party-t e organizuara në rezidencën e tij, gjë që në fund i solli edhe rrëzimin politik.

    Kryeministrja apo kryeministri i ri do të duhet të merret me krizat e kohës, si inflacioni i lartë, rënia e tregtisë së jashtme pas Brexitit, gjendja e tensionuar gjeopolitike pas sulmit rus ndaj Ukrainës, kriza e urisë në botë dhe largimi nga energjia fosile. Në politikën e jashtme Britania e Madhe do të jetë e paralizuar për disa muaj për shkak të mënyrës së largimit që propozoi Johnson. Tani pason një fazë pasigurie deri sa qeveria e re të jetë në detyrë. Kjo nuk ndihon në kohën e krizave të shumëfishta dhe nevojës për bashkëpunim në arenën ndërkombëtare. Johnson pranoi, se e tashmja duket e errët, por ai shikon “një të ardhme të artë” për ekipin e ri të qeverisë.

    Boris Johnson asnjëherë nuk e ka mohuar se ka ndjekur gjithmonë si model Winston Churchill. Madje një kohë ai imitonte edhe stilin e tij të të ecurit dhe gjestet. Por kjo nuk mjaftoi. Denn Johnson, ndryshe nga Churchill nuk kishte parime të forta, bindje të thella dhe shumë pak ndërgjegje. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Caktohet masa e paraburgimit për Jusuf Enuzin dhe dy protestuesit që sulmuan policët

    Lajmi i rradhës

    Finlanda konfiskon 865 vagonë mallrash të firmave ruse

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë