Të rinjtë po largohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor

    Ballkani Perëndimor po përballet me një krizë emigracioni. Kjo është veçanërisht e dukshme në Maqedoninë e Veriut, siç tregon regjistrimi i saj më i fundit.

    Vendi ka humbur të paktën 10 për qind të popullsisë prej afro dy milionë banorësh, që nga viti 2002.

    Rritja e ngadaltë ekonomike dhe mungesa e investimeve kanë penguar vendin, që tani është shtëpia e vetëm 1.8 milion banorëve.

    Që kur vendi shpalli pavarësinë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, shumë maqedonas shpresonin se integrimi i shpejtë në Bashkimin Evropian, do të siguronte një të ardhme më të ndritur.

    Por rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE, është bllokuar në mënyrë të përsëritur për dekada me radhë, fillimisht nga Greqia dhe tani nga Bullgaria, duke sjellë dyshime të forta se vendi nuk do të bashkohet ndonjëherë me BE-në dhe si pasojë, duke nxitur shumë njerëz të largohen nga vendi.

    Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovës nuk i është dhënë as statusi si vend kandidat, pavarësisht përpjekjeve të tyre, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi gjithashtu nuk kanë perspektiva të mira për anëtarësim me të drejta të plota, pavarësisht se të dyja konsiderohen si vende kandidate për anëtarësim dhe Serbia madje ka hapur edhe kapituj të rinj negociues me bllokun.

    Në Shqipërinë fqinje, rreth 1.7 milionë njerëz ose afërsisht 37 për qind e popullsisë, janë larguar nga vendi në tre dekadat e fundit.

    Me qindra mijë njerëz u larguan nga Serbia për t’u zhvendosur jashtë vendit, pas sanksioneve kundër regjimit të presidentit Slobodan Millosheviq, të shkaktuara nga luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990 dhe bombardimet e NATO-s në vitin 1999 për të ndalur konfliktin në Kosovë. Këto masa goditën rëndë ekonominë dhe disa vlerësime sugjerojnë se deri në 10 mijë mjekë janë larguar nga vendi në 20 vitet e fundit.

    Në Bosnjë e Hercegovinë, hulumtimet nga OJQ-të lokale, tregojnë se të paktën 400 mijë boshnjakë kanë emigruar gjatë tetë viteve të fundit.

    Kriza më e fundit politike e vendit – e konsideruar si më e rënda që nga pavarësia dhe fundi i luftës së viteve 1992-1995 – pritet të nxisë edhe më shumë njerëz të largohen nga vendi në një të ardhme të afërt.

    Por për Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën e Hercegovinën dhe Serbinë, shembulli i Kroacisë mund të tregojë se bashkimi nuk është një kurë magjike për hallet e tyre.

    Që nga bashkimi me bllokun në vitin 2013, popullsia kroate prej pak më shumë se 4 milionë banorësh, është tkurrur me gati 10 për qind në një dekadë, sipas zbulimeve paraprake të censusit.

    OKB parashikon se Kroacia do të ketë vetëm 2.5 milionë banorë deri në fund të shekullit. Demografët paralajmërojnë se popullata tashmë e vogël e vendit, mund të vuajë humbje të mëtejshme.

    Në dhjetor, autoritetet u përpoqën të ndalnin “largimin e trurit”, duke u premtuar emigrantëve kroatë në BE një shumë deri në 26 mijë euro për t’u rikthyer dhe për të nisur një biznes në vend. /Monitor/

    Lajmi Paraprak

    Bursa shqiptare e energjisë, vënia në funksion do sjellë uljen e çmimit të rrymës

    Lajmi i rradhës

    Targat e automjeteve | Kosova dhe Serbia në kërkim të zgjidhjes sipas standardeve europiane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë