“Të sigurt në martesë, por jo në punë dhe rrugë”

    Korrupsioni, krimi i organizuar, emigracioni jashtë vendit, apo borxhi financiar e lëkundin ndjeshëm perceptimin e qytetarëve të Maqedonisë për sigurinë. Sipas një ankete të realizuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, pothuajse gjysma e qytetarëve janë shumë të shqetësuar për abuzimin me drogën dhe rreth një e treta janë të shqetësuar për “murtajën e bardhë”, shpopullimin e popullsisë.

    Anketa tregoi se shumica e qytetarëve, rreth 60 për qind, besojnë se siguria në vend është shumë ose kryesisht e kërcënuar. Ndër to, më të shumta janë femrat. Po ashtu nuk ka përgjigje pozitive të shumicës për çështjen e sigurisë së grave në martesë, në punë ose në rrugë. Përgjigjet më pozitive ishin për sigurinë e grave në martesë, më pas në punë dhe në fund, në rrugë. Ndryshe nga çështja e sigurisë së grave, kur bëhet fjalë për sigurinë e burrave, të gjitha përgjigjet pozitive janë në shumicë. Numri më i madh (64.2%) besojnë se meshkujt janë të sigurt në martesë. Kjo përqindje ulet për sigurinë në punë në 59,7% dhe akoma më shumë për sigurinë në rrugë (54,4%).

    “Rezultatet e anketës tregojnë se kur bëhet fjalë për sigurinë personale, gjysma e qytetarëve (52.7 për qind) ndihen të sigurt në mjedisin ku jetojnë dhe punojnë. Maqedonasit (59,4 për qind) dhe pjesëtarët e bashkësive tjera etnike (53,8 për qind) janë më të shumtë në mesin e atyre që ndihen të sigurt, ndërsa kjo përqindje te shqiptarët është 33,3 për qind”, sipas QMBN. Në pyetjen se cilat aktivitete mund të kapërcejnë kërcënimin e sigurisë, 64.0% e të anketuarve janë pajtuar plotësisht me pohimin ligje më të rrepta dhe disiplinë më të madhe mes qytetarëve. Një shumicë e madhe prej 91.7% pajtohen (plotësisht ose pjesërisht) se kjo mund të bëhet duke ngritur standardin e jetesës së qytetarëve, gjë që i jep një dimension ekonomik sigurisë. Dy fushat në të cilat nevojiten më shumë investime për të reduktuar kërcënimet e sigurisë janë forcimi i institucioneve (21.8%) dhe investimi në njerëz që janë pjesë e sistemit të sigurisë përmes rritjes së pagave dhe blerjes së pajisjeve (19.4%). Sipas anketës, qytetarët ndihen më të sigurt në shtëpi. Me rritjen e distancës ose mjedisit, ndjenja e sigurisë zvogëlohet nga 91.2 përqind (për sigurinë në shtëpi), në 85.4 për qind kur bëhet fjalë për lagjen e tyre dhe deri në 60.4 përqind kur bëhet fjalë për vendin.

    “Kur bëhet fjalë për faktorët që ndikojnë në ndjenjën e sigurisë, rezultatet e anketës tregojnë se rreth një e treta e qytetarëve ndihen të sigurt sepse jetojnë normalisht dhe respektojnë ligjin dhe rendin. Rreth një e pesta e njohin mjedisin e tyre të mirë si një faktor në ndjenjën e tyre të sigurisë, dhe për rreth një të dhjetën, është e rëndësishme që ata të jenë në gjendje të mbrojnë veten. Shkak i ndjenjës së pasigurisë për rreth 20 për qind të të anketuarve është krimi në rrugë dhe dhuna, ndërsa rreth 15 për qind janë përgjigjur se gjendja e keqe ekonomike dhe varfëria janë arsyet e kësaj ndjenje”, thuhet në hulumtim. Ai përbëhet nga dy pjesë, ku pjesa e parë trajton çështjet që kanë të bëjnë me kërcënimet e sigurisë, faktorët që ndikojnë në to, fushat në të cilat duhet të investohen, si dhe sigurinë e grave dhe burrave. Të dhënat u mblodhën përmes një sondazhi telefonik të kryer në një kampion përfaqësues kombëtar prej 1000 të anketuarve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Vitamina C kundër stresit dhe plogështisë

    Lajmi i rradhës

    SHTETI T’I SHTRIJË DORËN INVESTITORËVE! Të huajt kërkojnë ndihmë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë