Tetova në harresë! Qyteti diskriminohet në ndarjen e banesave sociale

    Tetova / Fotografia: Nistori

    Komuna e Tetovës vazhdon të diskriminohet, pasi është ndër komunat e vetme në vend që ende nuk ka banesa sociale. Përderisa shumë qytete me numër më të vogël të banorëve krahasuar me Tetovën tashmë kanë banesa sociale, Tetova anashkalohet. Kësisoj, rastet sociale, familjet në nevojë dhe me të ardhura të vogla, do të duhet të presin ende për të gjetur një strehim nga shteti.

    Nga Komuna e Tetovës thonë se vendi më adekuat është tek lagja ku jetojnë një pjesë e komunitetit rom afër lumit Shkumbin. Aty, rreth 30 familje të komunitetit rom në lagjen ku përflitet të ndërtohen banesa sociale në Tetovë, jetojnë në kushte të mjerueshme.

    Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami është shprehur se në vijim e sipër është procedura për planifikim dhe urbanizim të kësaj zone, me ç’rast do të zgjidhej edhe problemi i këtij komuniteti.

    “Ne jemi duke punuar për të planifikuar pjesë të një blloku urban rreth lumit Shkumbin, ku është e vendosur një pjesë e komunitetit rom (tek lagja e Krasniqëve). Aty së bashku me disa shoqata të komunitetit rom dhe USAID-in, jemi duke ecur procesin e planifikimit dhe urbanizimin e asaj zone dhe aty ka prona shtetërore ku planifikojmë të ndërtojmë banesa sociale. Me këtë besojmë se do të zgjidhim problemin e atij komuniteti që është në kushte shumë të vështira, por do të krijohen edhe banesa shtesë për rastet tjera sociale”, tha kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.

    Ai është optimist se do të gjejë gjuhë të përbashkët me pushtetin qendror për të filluar procesin e ndërtimit të banesave sociale.

    “Fillimisht ne duhet të bëjmë planifikimin, urbanizimin e zonës, të parashihen ndërtesa kolektive apo objekte për banim kolektiv, që pastaj në bashkëpunim me qeverinë të nisim procesin e ndërtimit të banesave sociale”, u shpreh Kasami.

    Ndryshe, për më shumë se dy dekada shteti në Tetovë nuk ka ndërtuar banesa sociale. Kjo shkaku se në qytet asnjëherë nuk është ndarë vend për ndërtim si pasojë e mungesës së Planit Detal Urbanistik. E fundit në këtë drejtim që janë ndarë 40 banesa për çiftet me të ardhura të ulëta janë në një bllok dhe ka ndodhur në vitin 2008, jo duke ndërtuar banesa sociale, por duke blerë dhe ndarë banesa për çifte me të ardhura të ulëta. Në ndërkohë, me arsyetimin e mungesës së vendit adekuat, Tetova gjithnjë është anashkaluar nga pushteti qendror për sa i përket banesave sociale që do të ishte zgjidhje për familje, të cilët kërkojnë ndihmë për strehim nëpër shoqata bamirëse ose rrugë tjera jashtë vendit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Transformimi ekonomik: Ballkani Perëndimor synon dyfishimin e BPV-së për një dekadë

    Lajmi i rradhës

    Ku janë “zhdukur” të papunët!?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë