Kompania kineze TikTok planifikon të investojë një miliard euro për ndërtimin e qendrës së parë të të dhënave në Finlandë, ka konfirmuar një zëdhënës i kompanisë. Zëdhënësi ka refuzuar të japë më shumë detaje, por ka konfirmuar informacionin që më parë ishte zbuluar për agjencinë Reuters nga dy burime anonime të mirinformuara.
Zyra e kryeministrit finlandez nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment. TikTok, i cili ka mbi 175 milionë përdorues në Evropë, planifikon të shpallë ndërtimin e disa qendrave të tjera të të dhënave në vitet në vijim, sipas burimeve të përmendura.
Kompania është në pronësi të firmës kineze ByteDance dhe është vënë në shënjestër si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi disa kritikë janë të shqetësuar se qeveria kineze mund të ketë qasje në të dhënat e qytetarëve evropianë që përdorin TikTok.
Disa vende, Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe institucione të tjera u kanë ndaluar punonjësve të tyre ta kenë aplikacionin TikTok në telefonat e punës për shkak të shqetësimeve rreth privatësisë së të dhënave, ndërkohë që qeveria amerikane i ka kërkuar TikTok-ut të shesë biznesin e saj në SHBA, duke u thirrur në arsye të sigurisë kombëtare.
Vendet nordike janë kthyer në destinacione tërheqëse për qendrat e të dhënave të kompanive teknologjike, nga Microsoft deri te Meta, për shkak se temperaturat më të ulëta ndihmojnë në uljen e kostove të energjisë. Një faktor i rëndësishëm është edhe disponueshmëria e energjisë elektrike të lirë dhe pa emetime ndotëse, shton agjencia britanike.