Tragjedia në Koçan ka zgjuar nga gjumi institucionet vendore. Pikërisht ata institucione që për 30 vite do të duhej të kujdeseshin për sigurinë e qytetarëve, kanë qenë burim për shumë tragjedi. Shumë prej tragjedive në të kaluarën ndodhën se institucionet nuk kryenin kontrolle, jepnin leje dhe licenca të falsifikuara dhe e tërë kjo skemë e krijuar vazhdonte pa u hetuar nga askush. Tani paralajmërimet janë se do të shtohen kontrollohet dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj askujt.
Së fundmi, në kontrollet që po realizohen në objekte hotelerike, janë të kyçur edhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Nga kjo Drejtori paralajmërojmë se kontrollet do të realizohen fillimisht në objektet që frekuentohen më shumë, siç janë shkollat, çerdhet, objektet fetare e kështu me radhë.
“Në bashkëpunim me njësinë territoriale kundër zjarrit Tetovë, dhe me komandantin e saj Avni Ameti diskutuam që nga java e ardhshme te fillojmë kontrollet nëpër shkollat e vendit tonë sepse aty është vendi më i frekuentuar dhe aty rrinë më të dashurit tonë, fëmijët tonë dhe çerdhet. Pastaj dalëngadalë të vazhdojmë edhe në objektet fetare si kishat dhe xhamitë dhe pastaj nëpër komplekse e kështu me radhë”, thotë Muhamed Avzija, drejtor i Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Tetovë. Por çfarë kushte duhet që të plotësojnë objektet që të mos jenë rrezik potencial për jetën e qytetarëve.
“Ato duhet t’i kenë si bazë hidrantet, aparatet kundër zjarrit, ti kenë shenjat për dalje, dyert rezervë, dyert emergjente, këto janë më kryesore që duhet ti përmban një objekt. Për atë do të jenë dhe inspektorët nga Shkupi në terren që do të konfirmojnë sesa i plotësojnë kushtet dhe sa jo. Ndërsa nëpër shkollat e Tetovës tani bashkë me zjarrfikësit do të dalim në terren dhe do të shohim se si janë kushtet. Mirëpo, problemi është te shkollat me dy kate, të shohim aty sa janë kushtet për mbrojtje nga fatkeqësitë dhe nga zjarri”, thotë Avzija.
Më tej nga kjo drejtori thonë se kanë mungesë të inspektorëve dhe shpresojnë se në të ardhmen edhe do të angazhohen inspektorë, të cilët do të jenë në terren.
“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Tetovë ka mungesë të inspektorëve gati vite me radhë, por tani kemi biseduar me drejtorin gjeneral dhe kemi arritur në përfundim se duhet dhe në Tetovë ti kemi inspektorët dhe shpresoj që në të ardhmen e afërt do ti kemi dy apo tre inspektor në Tetovë me të cilët njësia rajonale për mbrojtje dhe shpëtim e Tetovës do të funksionoj më mirë”, deklaroi ai.
Në ndërkohë, pritet që pas kontrolleve të institucioneve dhe objekteve ku ka frekuentim më të madh të njerëzve, po ashtu të ketë takime edhe me përgjegjësit e banesave kolektive me qëllim që të jenë të përgatitur edhe ata për raste të shkaktuara nga zjarri. /Koha/