TRANSPORTI PUBLIK | Komuna e Tetovës nuk mund të gjejë gjuhë të përbashkët me policinë dhe Ministrinë e Transportit

    Komuna e Tetovës nuk mund të gjejë gjuhë të përbashkët me policinë dhe Ministrinë e Transportit se pse autobusët që zhvillojnë transport të udhëtarëve nga qytetet tjera, shfrytëzojnë pjesën qendrore të qytetit të Tetovës që është në kundërshtim me vendimin e këshillit të komunës së Tetovës. Problemi është se policia nuk mund të ndalojë hyrjen brenda në qytet të këtyre autobusëve nga qytetet tjera, shkaku se lejet për linjat i jep Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, thonë nga komuna e Tetovës.

    “Ne kemi një vendim të këshillit komunal shumë vite më parë, që është në fuqi me të cilin ndalon hyrjen e çdo autobus brenda qytetit, shkaku i organizimit të transportit urban në kuadër të komunës së Tetovës. Pra, nënstacionet brenda qytetit janë për transportin urban të qytetit që njëkohësisht që transporti ndërkomunal, pra ardhja nga qyteti i Gostivarit apo nga Shkupi, por edhe transporti ndërkombëtar të zhvillohet në mënyrën transit përmes rrugës Industriale deri tek stacioni i autobusëve.

    Ne zyrtarisht kemi informuar çdo vit për vendimin tonë sikurse Ministrinë e Punëve të Brendshme, njëkohësisht edhe Ministrinë e Transportit, që mos vazhdon të jep leje për ato pika të ndalesës, dhe nuk e kanë arsyetuar sot e kësaj dite pse i përcaktojnë sepse me vendimin tonë, ato stacione që ato ndalojnë nuk janë në vendimin e këshillit të komunës”, tha Memet Jonuzi, përfaqësues i komunës së Tetovës.

    Nga ana tjetër nga policia e Tetovës thonë se autobusët që kanë leje për organizim të transportit në mes dy qyteteve, nuk e kanë të ndaluar të hyjnë në qytet.

    “Sipas rregullores së transportit publik të udhëtarëve, autobusët, gjegjësisht personat juridikë që kanë linjat për transportin e udhëtarëve nga dy ose më shumë qytete, nuk hyjnë në zonën qendrore të qytetit, domethënë linja e tyre është deri në stacion të autobusëve dhe përmes rrugëve periferike, në drejtim të qytetit tjetër, ndërsa autobusët që kanë linjë të regjistruar ndërmjet dy qyteteve, në rastin konkret ndërmjet Tetovës dhe Gostivarit apo Tetovës dhe Shkupit, nuk ka asnjë ndalim për të lëvizur nëpër zonën qendrore të qytetit”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

    Në ndërkohë, kohëve të fundit, ka patur ankesa në rrjetet sociale se pse komuna e Tetovës nuk ka të organizuar transport të udhëtarëve në bulevardin “V.S Bato”, apo rrugën Industriale. Nga komuna e Tetovës thonë se kjo rrugë është e kategorisë së parë dhe sipas ligjeve në fuqi, në këto rrugë nuk mund të organizohet transport publik, prandaj siç informuan nga komuna e Tetovës, transporti publik do të organizohet në bulevardin “Bllagoja Toska”, pas hapjes së të njëjtit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë ndodh në organizëm nga moskonsumimi i frutave dhe perimeve

    Lajmi i rradhës

    Europa e shmangu krizën energjitike këtë dimër, por mund të mos përballojë dot një verë tjetër të nxehtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë