Tre mijë nxënës më pak në klasën e parë në RMV në vitin shkollor 2026/2027

    Fotografia është krijuar me ndihmën e Intelegjencës Artificiale (IA) për të ilustruar artikullin

    Alarmi për rënien e numrit të nxënësve në arsimin fillor në Maqedoninë e Veriut po bëhet gjithnjë e më serioz. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëri të ditur se në vitin shkollor 2026/2027 pritet të regjistrohen të paktën rreth 3.000 nxënës të klasës së parë më pak krahasuar me vitin e kaluar. Sipas saj, situata është shqetësuese dhe pasqyron trendin e vazhdueshëm të rënies së numrit të nxënësve në sistemin arsimor.

    “Në këtë moment kemi 4.900 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar. Regjistrimet do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj periudhe, por numri do të arrijë më së shumti deri në 3 mijë më pak. Kjo do të thotë se me siguri do të kemi rreth 3 mijë nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar”, deklaroi Janevska gjatë konferencës për shtyp ku u publikuan edhe rezultatet e maturës shtetërore. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, rënia e numrit të nxënësve nuk është një fenomen i ri. Në fillim të vitit shkollor 2025/2026, në arsimin fillor ishin të regjistruar 174.040 nxënës, ose 3.6 për qind më pak krahasuar me një vit më parë. Në klasën e parë u regjistruan 17.921 fëmijë, një nga shifrat më të ulëta të viteve të fundit. Nëse parashikimet e Ministrisë realizohen, këtë shtator numri i nxënësve të rinj do të zbresë në rreth 15 mijë, duke shënuar një tjetër rënie të konsiderueshme.

    Ky trend lidhet ngushtë me zhvillimet demografike në vend. Rënia e natalitetit, emigrimi i vazhdueshëm i familjeve të reja dhe plakja e popullsisë po reflektohen drejtpërdrejt në bankat shkollore. Në shumë komuna numri i nxënësve është ulur ndjeshëm, ndërsa shkollat në zonat rurale po përballen me klasa gjithnjë e më të vogla. Në disa vendbanime tashmë është bërë e nevojshme bashkimi i klasave për shkak të mungesës së nxënësve, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se në vitet e ardhshme mund të lindë nevoja edhe për riorganizimin e rrjetit të shkollave dhe rishpërndarjen e kuadrit arsimor.

    Shifrat e lindjeve tregojnë të njëjtën prirje. Gjatë dekadës së fundit, numri i foshnjave të lindura në Maqedoninë e Veriut ka rënë vazhdimisht, ndërsa emigrimi i popullsisë në moshë të re ka përshpejtuar zbrazjen e shumë komunave. Pikërisht kjo po reflektohet tani në regjistrimet e klasës së parë dhe pritet të ndikojë edhe në arsimin e mesëm dhe atë të lartë gjatë viteve në vijim.

    Ndërkohë, rezultatet e maturës shtetërore japin një pasqyrë më pozitive. Nota mesatare e arritur këtë vit është 3.66, pothuajse në nivel me vitin e kaluar kur ishte 3.69 dhe dukshëm më e lartë se para dy vitesh, kur mesatarja ishte 3.26. Ministrja Janevska vlerësoi se rezultatet janë të kënaqshme dhe se përmirësimi lidhet edhe me modelin e ri të provimit, i cili, sipas saj, vendosi të gjithë maturantët në kushte të barabarta duke i testuar mbi materialin që kishin përvetësuar gjatë viteve të shkollimit.

    Edhe pse rezultatet e maturës tregojnë stabilitet në cilësinë e arritjeve të nxënësve, rënia e vazhdueshme e numrit të fëmijëve mbetet sfida më e madhe për arsimin në vend. Çdo vit me më pak nxënës nënkupton më pak klasa, më pak nevojë për kuadër mësimor dhe një presion në rritje për riorganizimin e sistemit arsimor. Në të njëjtën kohë, kjo është një dëshmi e drejtpërdrejtë e krizës demografike me të cilën po përballet Maqedonia e Veriut, pasojat e së cilës tashmë nuk po shihen vetëm në statistikat e lindjeve, por edhe në bankat e shkollave. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Barometri i korrupsionit në RMV: reforma vetëm në letër, drejtësia ngec

    Lajmi i rradhës

    Fondi i Shëndetësisë nën hijen e keqpërdorimeve të pushimeve mjekësore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë