U godit rëndë nga pandemia | Rikthehet jeta normale në Nju Jork

    Dalëngadalë jeta në Nju Jork po i kthehet normalitetit, ndërsa kanë kaluar 15 muaj nga momenti kur qyteti u godit rëndë nga koronavirusi. Por disa ndryshime të shkaktuara nga pandemia pritet të mbeten, të paktën për një periudhë kohe.

    Muzika në rrugë dhe grumbullimet në mjediset e hapura janë rikthyer në Nju Jork, pas 15 muajsh masash kufizuese e izolimi për të ndalur përhapjen e COVID-19.

    “Mund të ulesh në restorant pa qenë nevoja të të masin temperaturën dhe pa u dhënë emrin. Pra gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur”, thotë Dan, banor i Nju Jorkut.

    “Ndjehem sikur jemi pranë normalitetit. Ndjenjë e mirë të jesh në Nju Jork”, thotë Dabrialla, Turiste.

    “Dua që bota të shërohet dhe mendova se mund të ndihmoj në këtë drejtim. Kisha kohë ndaj dola të bëj muzikë e të jap dashuri”, thotë Mareka, këngëtare.

    Festivalet e muzikës, dyqanet e fermerëve dhe aktivitetet e tjera po kompensojnë një vit pasiv, shkruan Voa.

    “Union Square” është mbushur me njerëz, të cilët ruajnë distancën prej dy metrash, ndonëse autoritetet i kanë lehtësuar kufizimet e vendosura në mars të vitit 2020.

    Në qershor të këtij viti, numri i njerëzve në qytetin e Nju Jorkut që rezultuan pozitivë për COVID-19 ishte niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Në shtetin e Nju Jorkut, janë injektuar mbi 20 milionë doza vaksinash dhe 9 milionë prej tyre shkuan tek banorët e qytetit të Nju Jorkut.

    Pavarësisht lehtësimit të masave, shumë qytetarë vazhdojnë të mbajnë maska edhe në mjedise të hapura.

    “Ndërsa eci rrugëve njerëzit më thonë: janë lehtësuar masat. Por unë them po duroj dhe pak“, thotë Roland, mësues në pension.

    “Nuk dihet se kush është vaksinuar e kush jo. Prandaj më duket se na pret rrugë e gjatë“, thotë Bruce Cliffton, pensionist.

    Megjithë të nxehtin e verës, shitësit në rrugë vazhdojnë të mbajnë maska, për sigurinë e tyre dhe rehatinë e klientëve.

    “Ne jemi kthyer në punë, por jeta nuk është normale. Duhet kohë“, thotë Eddy, shitës ambulant.

    Sipas një sondazhi nga organizata “Partneriteti për Qytetin e Nju Jorkut”, vetëm 62 për qind e punonjësve në zyrat e Manhatanit do të kthehen në godina në shtator, ku pritet të punojnë vetëm tri ditë në javë.

    Gati 40 për qind e punonjësve të zyrave thonë se janë gati të japin dorëheqjen nëse nuk do t’u lejohet të punojnë disa ditë nga shtëpia.

    Ka shqetësime edhe për sigurinë e përdorimit të transportit publik.

    “Është e vështirë të hysh në metro apo të lëvizësh andej këndej. Edhe pse e di që masat janë lehtësuar, përsëri kam një ndjesi faji, ndonëse ndihem mirë“, thotë Kimberly, mësuese.

    Autoritetet e Nju Jorkut kanë filluar zbatimin e një programi për të ndihmuar rihapjen e bizneseve të vogla të dëmtuara nga pandemia. Programi prej 11 milionë dollarësh, synon të ndihmojë rreth 50 mijë biznese të vogla, duke garantuar përgjigje të shpejta ndaj pyetjeve dhe duke përgjysmuar kohën e procedurave për rihapje.

    Lajmi Paraprak

    Rënia e investimeve të huaja dëmton kompanitë vendore

    Lajmi i rradhës

    Ushtarët shqiptarë të cilët i shërbyen Napoleonit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë