Shqipëria dhe Kosova, pas më shumë se tri dekadave përpjekje, tashmë janë bashkuar në Rotary International në mënyrë që më fuqishëm dhe pëmes projekteve më madhore, t’i shërbejnë komuniteve të Distriktit të ri 2485, përcjell Nistori.
Nga data 14-16 qershor 2024, në Tiranë u mbajt Konferenca dhe Ceremonia e zyrtarizimit të Distriktit 2485 të Rotary International që bashkon Kosovën dhe Shqipërinë.
Kjo ngjarje historike i bashkoi shqiptarët e të dyja anëve të kufirit nën ombrellën e një organizate globale që është themeluar që nga viti 1905 dhe i ka rrënjët në shërbim ndaj të tjerëve, në integritet dhe paqe.
Ngjarja mblodhi mbi 310 Rotarianë nga të gjitha viset e botës, duke përfshirë pjesëmarrës nga Evropa, Amerika, Afrika dhe Azia duke i mbledhur të gjithë në frymën e unitetit që përfaqëson Rotary.
Rotary, si organizata shërbyese më e madhe në botë e profesionistëve elitarë, relizon projekte në arsim, shëndetësi, mjedis, zhvillim ekonomik dhe lokal, dhe shumë të tjera.

Guvernatori i parë i distriktit shqipfolës, i zgjedhur me votë unanime, është Butrint Batalli nga Gjakova, një lider i përkushtuar që do të drejtojë këtë distrikt të ri me energji dhe vizion.
Gjatë ngjarjes, u dhanë mesazhet dhe urimet e Kryetarit të RI, Gordon R. McInally, dhe fjalimet frymëzuese të përfaqësuesve të Rotary International, përfshirë RI Sekretarin e Përgjithshëm dhe CEO John Hewko, drejtorin e RI Patrick Chisanga, PRID Katerina Kotsali, drejtorin e zgjedhur për Zonën 21, 22 (Europë dhe Afrikë) RIDE Daniel Tanase, dhe shumë përfaqësues të tjerë të lartë nga zona, regjionet dhe distriktet ane e mbanë botës.
I deleguari i Presidentit të Rotary International, Radu Popescu, në përmbyllje të punës së tij të shkëlqyeshme, falënderoi të gjithë për besimin dhe punën e bërë për themelimin e Distriktit Rotarian Shqipfolës. Ai ftoi në podium Guvernatorin e Parë dhe historik të Distriktit Shqipëri-Kosovë, Butrint Batalli, që të marrë fjalën dhe së bashku me CEO-n e RI John Hewko dhe RI Drejtorin Patrick Chisanga, i dorëzuan këmbanën e distriktit, qaforen dhe aktin e themelimit.

Përgjatë fjalimit të tij, Guvernatori Batalli tha se ky ka qenë një udhëtim i unitetit dhe shërbimit.
“Udhëtimi ynë deri në këtë pikë ka qenë një udhëtim i unitetit dhe përpjekjes kolektive. Ne jemi bashkuar, duke kapërcyer kufijtë dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi midis nesh dhe me botën, gjë që dëshmohet nga prezenca juaj sot këtu nga gjitha anët e botës. Sot, ndërsa festojmë lindjen e Distriktit Shqipfolës 2485, ne nderojmë trashëgiminë e atyre që kanë hapur rrugën dhe kanë punuar që në orët e para të aktivitetit Rotarian në Shqipëri dhe Kosovë e deri më sot.”
Batalli theksojëi se: “Ndërsa nisim këtë kapitull të ri, le të drejtohemi nga vlerat themelore që formojnë bazën e Rotary-t: Shërbimi, Miqësia, Diversiteti, Integriteti dhe Lidershipi. Këto vlera nuk janë thjesht fjalë; janë parimet që drejtojnë veprimet tona dhe formojnë identitetin tonë si Rotarianë.”
Batalli përfundoi duke thene se “Angazhimi ynë nuk është vetëm për projektet që zbatojmë apo numrat që arrijmë; është për jetët që prekim dhe shpresën që sjellim tek njerëzit në nevojë. Le të jemi krijuesit e ndryshimeve, vizionarët dhe liderët me dhembshuri që bota jonë ka nevojë. Puna jonë sapo ka filluar. Magjia e Rotary-t qëndron në aftësinë tonë për të ëndërruar, ëndërra të mëdha, për të vepruar me vizion të qartë dhe për të bërë një ndryshim të qëndrueshëm tek komunitetet tona në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë. Së bashku, si Distrikti 2485, do të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e Rotary-t—një kapitull shprese, qëndrueshmërie dhe mundësish të pafundme.” tha ndër të tjera Guvernatori Butrint Batalli.

Ngjarja tre-ditore u organizua nga Rotariani Alfons Hani, kryetar i këshillit organizativ, dhe ekipi i tij, me një pritje tradicionale shqiptare, panele diskutimi nga liderë të shquar, program të pasur pune, argëtim dhe një platformë për krijimin e miqësive të reja me Rotarianë nga e gjithë bota.
Në prag të punës si distrikt i ri, janë mbështetur tre projekte madhore me grante globale (dy në Shqipëri dhe një në Kosovë) me një vlerë të miratuar prej 210,000 EUR.
Çfarë është Rotary International?
Mbi 1.4 milionë anëtarë nga mbi 46,000 klube në mbarë botën. Ndihmuese në themelimin e Kombeve të Bashkuara.
Zhdukja e Poliomielitit në mbarë botën është bërë nga Rotary. Përmes programit “End Polio Now”, Rotary ka kontribuar miliarda dollarë dhe ka mobilizuar miliona vullnetarë për të vaksinuar fëmijët në të gjithë botën.
Fondacioni Rotary financon projekte të ndryshme që adresojnë nevojat e komuniteteve në fusha si uji i pastër, sanitacioni, edukimi, zhvillimi ekonomik, dhe parandalimi i sëmundjeve.
Mbi 95% e fondeve shkojnë tek të interesuarit fundorë, pasi është organizatë vullnetare dhe ka një administratë shumë të vogël. Kjo bën që projektet të jenë jashtëzakonisht efektive. Drejtuesit ndryshohen çdo vit me zgjedhje nga anëtarët.
