Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), në muajin prill të këtij viti, çmimet e shitjes së prodhuesve industrial në vend shënuan një lëvizje të lehtë negative, me një rënie prej 0.2 për qind krahasuar me muajin mars. Megjithatë, në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar, çmimet janë rritur me 2.2 për qind, ndërsa në raport me prillin e vitit 2024, çmimet janë më të larta për 6.1 për qind. Krahasuar me mesataren e vitit bazë 2021, indeksi i përgjithshëm i çmimeve industriale ka arritur në 122, duke treguar për një rritje të vazhdueshme afatmesme të kostove të prodhimit.
Në këtë dinamikë, sektori i energjisë vazhdon të jetë faktori kyç që tërheq çmimet drejt rritjes. Çmimet në këtë kategori janë rritur me 0.9 për qind vetëm gjatë prillit, ndërsa krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, ato janë 7.6 për qind më të larta. Në raport me të njëjtin muaj të vitit 2023, çmimet në sektorin energjetik janë rritur me 16.9 për qind, ndërsa krahasimi i katërmujorit të parë të vitit 2025 me të njëjtën periudhë të vitit 2024 tregon një rritje prej 18.4 për qind. Nëse shohim një krahasim më afatgjatë, çmimet e energjisë janë 48.1 për qind më të larta sesa mesatarja e vitit 2021, duke reflektuar ndikimin e çmimeve të larta të importit, kostove të prodhimit vendor dhe presionit global energjetik.
Ndërkaq, produktet e ndërmjetme, që përjashtojnë energjinë, kanë shënuar një rritje mujore më modeste prej 0.6 për qind. Në krahasim me fundin e vitit 2024, këto çmime janë rritur me 2 për qind, ndërsa vjetore, rritja është pothuajse identike me 2.1 për qind. Për katër muajt e parë të vitit, produktet e ndërmjetme kanë pasur një rritje të përgjithshme prej 1.9 për qind krahasuar me periudhën janar-prill 2024. Indeksi për këtë kategori krahasuar me vitin 2021 është rritur në 112.7, duke e pozicionuar këtë grup si më të qëndrueshëm në raport me luhatjet e përgjithshme të çmimeve.
Nga ana tjetër, një kthesë e papritur është vërejtur te mallrat kapitale, të cilat kanë pësuar rënie prej 1.7 për qind në prill krahasuar me muajin paraardhës. Kjo është një ndër rëniet më të ndjeshme mujore mes kategorive, edhe pse në periudhën më të gjerë të krahasimit me dhjetorin e kaluar, çmimet e mallrave kapitale janë 4.7 për qind më të larta. Kjo rritje është edhe më e theksuar në raport me prillin e vitit të kaluar, ku vërehet një rritje vjetore prej 13.8 për qind, ndërsa në katërmujorin e parë 2025 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, indeksi është ngritur me 15.7 për qind. Krahasuar me vitin bazë 2021, çmimet janë rritur me 15.4 për qind, çka tregon për investime të kushtueshme në kapital industrial, por gjithashtu sinjalizon një moment të ndjeshëm të ngadalësimit për shkak të kushteve të brishta të tregut.
Një situatë më e qetë paraqitet te produktet e konsumit, ku rënia mujore ishte vetëm 0.1 për qind, ndërsa në raport me fundin e vitit të kaluar çmimet janë në të njëjtin nivel, madje me një rënie të lehtë prej 0.2 për qind. Në krahasim me prillin 2024, ka një rritje prej 3.9 për qind, ndërsa në bazë të katërmujorit të parë të këtij viti, krahasimi me një vit më parë tregon një rritje prej 4.6 për qind. Indeksi i kësaj kategorie krahasuar me vitin 2021 është 135.1, që sugjeron një ngritje të ndjeshme të çmimeve për konsumatorin e zakonshëm në harkun e tri viteve të fundit.
Te mallrat e qëndrueshme, ndonëse në prill ka një rritje modeste prej 0.7 për qind, krahasimi me fundin e vitit të kaluar nxjerr në pah një rënie të madhe prej 8.6 për qind. Edhe krahasimi vjetor tregon një rënie me 2.3 për qind, çka mund të lidhet me uljen e konsumit për produkte që nuk janë të nevojshme menjëherë, siç janë pajisjet shtëpiake apo mjetet e punës afatgjata. Për periudhën janar-prill 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ka një rënie prej 1.4 për qind. Indeksi krahasuar me 2021 qëndron në 110.6, çka tregon se mallrat e qëndrueshme kanë pësuar rritje më të butë në krahasim me të gjitha kategoritë tjera.
Ndryshe, mallrat që nuk prishen, zakonisht artikuj ushqimorë dhe higjienikë, kanë pësuar një rënie të lehtë mujore prej 0.1 për qind, ndërsa në krahasim me dhjetorin 2024, çmimet janë rritur me 0.4 për qind. Rritja vjetore prej 4.3 për qind dhe ajo për periudhën katërmujore me 5 për qind janë tregues të një trendi të qëndrueshëm në rritje për këtë kategori. Ndërkohë, krahasuar me mesataren e vitit 2021, mallrat e këtij lloji janë bërë 37.1 për qind më të shtrenjta, çka flet për një barrë të ndjeshme mbi buxhetin e familjeve në afat të gjatë. /Koha/