Auditori maqedonas Ivan Ignatov u zgjodh më shumë se një vit më parë si një nga gjashtë anëtarët e Bordit të Pavarur Ndërkombëtar të Auditorëve të NATO-s, organ që kontrollon mënyrën se si Aleanca i shpenzon mjetet e saj, shkruan Prizma, përcjell Nistori.
Megjithatë, në faqen e NATO-s, pranë emrit të tij, shkruan: “I emëruar më 1 gusht 2025, ende jo në detyrë”.
Në vend që të punojë në NATO, në Bruksel, Ignatov vazhdon të punojë në Shkup si zëvendës i kryerevizorit Milaim Abduraimi, në Trupin e Auditimit, i cili kryen auditimin e Instrumentit të Ndihmës së Paraanëtarësimit për vendin. Abduraimi konfirmoi për BIRN-in se Ignatov ende punon në këtë institucion.
BIRN-i u përpoq të mësonte arsyen pse auditori maqedonas nuk e ka marrë detyrën edhe një vit pas emërimit të tij.
Ignatov nuk iu përgjigj as mesazheve dhe as thirrjeve.
Megjithatë, dokumentet e publikuara tregojnë se çështja e diskutueshme është se kush do t’i mbulojë pagën dhe shpenzimet e qëndrimit të Ignatovit gjatë angazhimit të tij në NATO.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, e cila dërgon zyrtarë për të punuar në organizata ndërkombëtare, për përgjigje na drejtuan te Enti Shtetëror i Revizionit, si institucioni shtetëror që kishte bërë përzgjedhjen e auditorit. Prej aty, në maj, na u përgjigjën se “është ende në zhvillim një procedurë ndërinstitucionale për harmonizimin e qëndrimeve”.
Deri në publikimin e këtij teksti, institucioni nuk iu përgjigj pyetjeve shtesë se çfarë nënkupton konkretisht “harmonizimi i qëndrimeve”.
Kushtet për përzgjedhjen e auditorit në NATO ishin të qarta që në momentin e shpalljes së thirrjes: paga dhe akomodimi i auditorit mbulohen nga shteti që e dërgon, ndërsa Aleanca mbulon vetëm shpenzimet e udhëtimeve zyrtare.
Sipas informacioneve që kemi siguruar nga institucionet, procedura për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit Ndërkombëtar të Auditorëve të NATO-s filloi në nëntor të vitit 2024.
Në atë kohë, delegacioni maqedonas në NATO, në Bruksel, ua dërgoi thirrjen për plotësimin e këtij pozicioni Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Entit Shtetëror të Revizionit. Afati për aplikim ishte deri në janar të vitit 2025. Po atë muaj, Enti Shtetëror i Revizionit e njoftoi MPJ-në se kishte përzgjedhur Ivan Ignatovin.
Bordi Ndërkombëtar i Auditorëve të NATO-s i ofron siguri Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), organit kryesor politik vendimmarrës të NATO-s, si dhe qeverive të vendeve anëtare të Aleancës, se rreth 9 miliardë euro në vit shpenzohen në mënyrë të rregullt dhe për qëllimet e përcaktuara.
Procesverbali i mbledhjes së Qeverisë nga korriku i vitit 2025 tregon se ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, e ka udhëzuar Entin Shtetëror të Revizionit që të veprojë në përputhje me Ligjin për Punë të Jashtme dhe të sigurojë nga buxheti i vet pagën dhe shtesat e tjera për Ignatovin. Me fjalë të tjera, institucioni duhet t’i mbulojë me mjetet e veta shpenzimet që lidhen me angazhimin e Ignatovit.
Sipas akteve të NATO-s, pozicioni për të cilin është përzgjedhur Ignatov është angazhim me kohë të plotë.
Jozyrtarisht, Maqedonisë i janë dërguar udhëzime nga bordi i Aleancës që Ignatov ta marrë detyrën për të cilën është përzgjedhur.






