ULET GRUMBULLIMI I TVSh-së! Më pak harxhim, më pak të ardhura për shtetin

    Në dy muajt e parë të këtij viti shënohet ulje e pagesës së TVSH-së, që nënkupton ulje të konsumit të qytetarëve edhe përkundër shkallës së lartë të inflacionit. Eksperti i tatimeve Pavle Gaçov thotë se edhe rritja e madhe e çmimeve në muajt janar dhe shkurt të këtij viti nuk kanë sjellë rritje të ardhurave të Tatimit të Vlerës së Shtuar në Buxhetin e Maqedonisë.

    “Neto të ardhurat nga TVSH në dy muajt e parë të këtij viti shënojnë rënie prej 6.3 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Njëherësh të ardhurat bruto të TVSH-së në vitin 2023 tregojnë një rritje modeste prej një për qind”, thekson Gaçov.

    Sipas tij, rënia reale e TVSH-së është edhe më e madhe nëse merret së bashku me inflacionin, ndërsa shton se është interesante se është rritur mbledhja e taksave të tjera.

    Ai ilustron këto trende të mbledhjes së tatimeve me rritjen e çmimeve apo inflacionit me 16.9 për qind në të njëjtën periudhë. Nga këto dy shifra (6.3 + 16.9) fitohet rënia reale e të ardhurave neto nga TVSH me më shumë se 23 për qind. Njëherësh Tatimet mbi të ardhurat (tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimi mbi fitimin) kanë një grumbullim të mirë për dy muaj rresht. Mbledhja e këtyre dy taksave do të vazhdojë mirë edhe në periudhën në vijim (rritje e pagës minimale, rritje e pagës mesatare, pagesa e dividendës…

    Ai vlerëson se për tatimin mbi fitimin, muajt më të frytshëm janë marsi dhe prilli. Rritje të mirë kanë edhe kontributet sociale (18 për qind ). Gjithashtu në bazë të rritjes së pagave, nga muaji prill e tutje, rritja e tyre do të jetë edhe më e mirë për shkak të rritjes së pagave, konstaton Gacov.

    Nga ana tjetër, muajt në vijim do të tregojnë se sa muajt janar dhe shkurt po shfaqin vetëm një trend të përkohshëm të uljes së grumbullimit të TVSH-së, apo do të kemi ulje të caktuar të arkëtimit të tatimit më të rëndësishëm në të cilin llogarit arka e shteti. Sivjet nga TVSH janë parashikuar të grumbullohen mbi 1.3 miliard euro, ndërsa nga tatimet në përgjithësi do të grumbullohen afër 2.7 miliardë euro.

    Nga Drejtoria për të Ardhura Publike thonë se janë mjaft të kënaqur me rezultatet e arritura në vitin 2022.

    Për periudhën janar-dhjetor, arkëtimi i të ardhurave është 17.36 për qind më i lartë, në raport me grumbullimin e tatimeve në total në të njëjtën periudhë të vitit 2021. Për periudhën janar-dhjetor 2022 janë mbledhur 104 miliardë denarë, që është për 17 për qind më shumë se në vitin 2021.

    Rritje shënohet tek të gjitha llojet e tatimeve në vitin 2022 karshi vitit 2021, si 45 për qind më shumë në pjesën e tatimit në fitim, pastaj 16 për qind më shumë tatim mbi të ardhurat personale, si dhe arkëtim më i lartë i TVSH-së, me 11.3 për qind në raport me vitin 2021. Bile mbledhja e TVSH-së në vitin 2022 është më e lartë për 39 për qind në raport me vitin 2020 dhe për 24 për qind në raport me vitin 2019.

    Nga DAP vlerësojnë se grumbullimi me sukses i të hyrave në buxhet varet edhe nga rrjedhat shoqërore, kushtet ligjore, luftën kundër ekonomisë gri, digjitalizimin e proceseve, etj.

    Gjithashtu reforma e re tatimore i referohet zgjerimit të bazës tatimore e cila bazohet në uljen e ekonomisë gri dhe rishikimin e lirimeve tatimore. Parashikohet edhe një mënyrë e re e donacioneve për sportin, si dhe rishikim i listës së produkteve që janë luksoze dhe që do të tatohen me normën e dytë preferenciale.

    Ligji i TVSH-së ruan normën bazë prej 18 për qind, që është më e ulëta në rajon. Vendoset tatimi i njëhershëm apo vetëm për këtë vit në profitin ekstra që duhet të paguhet deri në fund të muajit maj, prej të cilit do të grumbullohen mbi 80 milion euro nga ana e 200 kompanive.

    Në periudhën e ardhshme do të shqyrtohen mënyrat e reja të tatimit që do të synojë të përfshijë të gjitha të ardhurat në një familje, apo të marrë parasysh të ardhurat totale të familja dhe jo vetëm rroga e një anëtari. Njëherësh kur bëhet fjalë për të taksuar të pasurit, shqyrtohet së pari të përcaktohet se cilët janë ata, të përcaktohet tavani dhe efektet dhe më vonë edhe të vendoset tatimet e reja për të ardhurat më të mëdha. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë i ndodh trupit tuaj kur konsumoni salmon?

    Lajmi i rradhës

    Kur duhet të shkoni tek dentisti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë