Universiteti i Cyrihut tërhiqet vullnetarisht nga renditja botërore e universiteteve

    Me anë të një deklarate, Universiteti i Cyrihut (UZH) ka konfirmuar se po tërhiqet nga renditja vjetore e Times Higher Education (THE).

    Kjo pasi sipas UZH-së, kriteret e përdorura për realizimin e renditjes nuk pasqyrojnë më cilësinë reale të mësimdhënies.

    Ndryshe, Times Higher Education World University Rankings është një botim që vlerëson universitetet në mbarë botën sipas cilësisë së rezultateve të tyre në mësimdhënie.

    Kjo renditje është një nga studimet universitare më të cituara në botë, me shumë institucione akademike që krenohen me pozitën e tyre në listë, shkruajnë mediat e huaja.

    Sidoqoftë, Universiteti i Cyrihut argumentoi se renditja e THE “nuk është në gjendje të pasqyrojë gamën e gjerë të aktiviteteve në mësimdhënie dhe kërkimeve të ndërmarra në universitet”.

    Gjithashtu, universiteti argumentoi se renditjen e udhëheqin institucionet që përqendrohen në rritjen e numrit të botimeve, e jo ato që kanë cilësi në përmbajtjen e tyre.

    Si rezultat i kësaj, Universiteti i Cyrihut i cili doli i 80-ti në renditjen e vitit 2024, tha se nuk do t’i jap më të dhënat e tij botimit.

    Kjo deklaratë i bashkohet edhe shumë institucioneve tjera që e kritikojnë renditjen. Një nga pretendimet më të zakonshme është se ajo favorizon institucionet që ligjërojnë “shkenca mbi ekonominë dhe shkenca humane”, duke ngritur kështu shqetësime për anshmëri.

    Por, bëhet e ditur se ajo që e karakterizon këtë universitet është edhe karriera e lidhur ngushtë e Albert Ajnshtajnit me të.

    Ajnshtajni që nga viti 1896 deri në vitin 1900 studioi fizikë në Institutin e Teknologjisë së Cyrihut (ETH), ndërsa në vitin 1905 paraqiti tezën e doktoraturës në Universitetin e Cyrihut.

    Doktoratura iu dha në janar të vitit 1906, prej kur ai filloi të punojë si profesor i fizikës teorike fillimisht në Universitetin e Cyrihut (1909-1911) e pastaj në ETH (1912-1914). /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Tri klube europiane janë të gatshme të ofrojnë 200 milionë euro për yllin e Real Madridit

    Lajmi i rradhës

    Shqipëri, armë “Made in Albania” brenda vitit 2030?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë