Iniciativa qytetare “Ohri SOS” akuzon për uzurpim të bregut të liqenit të Ohrit dhe Strugës me banakë dhe bare të egra. Ata thonë se komunat e Ohrit dhe Strugës nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për largimin e tyre dhe për zbatimin e detyrimeve të ndërmarra sipas Ligjit për Menaxhimin e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore të UNESCO-s, me çka e kanë shkelur ligjin.
“Të gjitha shanket, baret dhe objektet e tjera të përkohshme gastronomike që hyjnë në liqen ose janë brenda 50 metrave nga bregu, Komuna e Ohrit dhe Komuna e Strugës kishin detyrim t’i mënjanonin deri më 1.2.2024 (ose deri në vitin 2025, nëse merret parasysh versioni i rishikuar), sepse janë pjesë e aktiviteteve urgjente në Planin Strategjik për Rehabilitim. Të dy komunat nuk kanë marrë vendim për mënjanimin e këtyre objekteve, pra nuk kanë miratuar akt administrativ, të cilin ishin të detyruara ta miratonin sipas Ligjit”, thonë nga OHRI SOS.
Pushteti i kaluar lokal në Ohër ndërmori aksione për shembjen e tyre, objektet nuk funksionuan për dy vjet, por tani ato funksionojnë sërish pa asnjë problem. Në vend që të ishin vetëm me banakë druri të montueshme, tavolina dhe karrige, siç ishte paralajmëruar para dy vitesh, plazhet e Ohrit funksionojnë përsëri si objekte gastronomike, dhe në disa prej tyre mbahen rregullisht dasma dhe festa të tjera. Ngjashëm është edhe në Strugë.
“Në Ohër nuk kemi plazhe, kemi pajisje urbane. Kjo ishte një bajpas, i krijuar për shkak të mospërputhjeve ligjore lidhur me atë që ishte krijuar nga pushteti i kaluar lokal dhe shkatërrimin e diçkaje që kishte funksionuar, pra projekte urbanistike të plazheve, të cilat ishin dorëzuar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe në vetëqeverisjen lokale. Në bazë të kësaj ata kanë marrë rekomandime të caktuara mbi të cilat mund të veprojnë”, deklaroi Kirill Pecakov, kryetar i komunës së Ohrit.
Raporti i fundit i UNESCO-s, sipas aktivistëve qytetarë, është më i keqi deri më tani.
“Ata na kanë thënë disa herë që duhet të ndërmarrim diçka, por ne vazhdimisht e shtyjmë ndërmarrjen e masave. Sipas mendimit tim, është koha e fundit që të na vendosin në listën e zonave të rrezikuara. Ndoshta është koha që ta bëjnë këtë që ne të vetëdijesohemi”, theksoi Konstantin Zdraveski, aktivist mjedisor.
Zdraveski thotë se vërejtja kryesore e UNESCO-s ka qenë urbanizimi masiv dhe i pakontrolluar, si dhe moszbatimi i rekomandimeve të mëparshme nga institucionet. /Alsat/