VAKSINAT KINEZE | Nëpërmjet vaksinave deri te ndikimi politik?!

    Vaksina kineze Sinovac. Foto: Lirim Shabani

    Viti 2020 e gjeti të gjithë botën në një krizë të madhe shëndetësore me paraqitjen e virusit korona. Kësaj i parapriu një krizë e madhe ekonomike për të gjithë vendet e sidomos për vendet e botës së tretë. Pa u prekur nga këto dy kriza nuk ishte as Ballkani Perëndimor në përgjithësi dhe Maqedonia e Veriut në veçanti. Në të gjithë botën sipas raportimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) afër shtatë milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë.

    Njerëzit e infektuar me virusin korona por edhe vdekjet si shkaktar i këtij virusi, rriteshin çdo ditë e më shumë. Kërkesa për një vaksinë që do ta parandalonte këtë “murtajë te zezë” ishte e madhe.

    E, për ta parandaluar këtë katastrofë globale, kompani nga e gjitha bota u angazhuan për krijimin e një vaksine kundër këtij virusi. Shtetet filluan të bëjnë garë njëra me tjetrën në krijimin e kësaj vaksine dhe ta shpërndajnë me vendet tjera. Përveç SHBA-së, Britanisë së Madhe, Rusisë e Gjermanisë, që krijuan disa nga vaksinat kundër COVID-19 si AstraZeneca, Pfizer, Sputnik dhe Moderna, vaksinën kundër virusit e krijuan edhe kompanitë kineze – si ato Sinofarm dhe Sinovac.

    Vendet e pasura dhe ato perëndimore preferonin të merrnin vaksina të Gjermanisë, SHBA-së ose Britanisë së Madhe, ndërsa vaksinat kineze i shihnin me dyshime dhe rezerva. Nga mungesa e resurseve teknike por edhe humane për të krijuar vaksina për të gjithë rajonet në botë nga ana e kompanive perëndimore, Kina shfrytëzoi këtë boshllëk duke filluar ta shpërndajë vaksinën e saj pikërisht në këto rajone dhe me këtë të hapi një horizont të ri ndikimit të saj nëpërmjet të ashtuquajturës diplomaci të vaksinave (Vaccine diplomacy).

    Diplomacia e vaksinave është një qasje e njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare e cila është një degë e diplomacisë globale shëndetësore dhe në të cilën ofrimi i vaksinave përdoret për të themeluar marrëdhënie diplomatike dhe ndikim në sferën ndërkombëtare.

    Serbia kishte një numër të madh të vaksinave dhe përmes një thirrje të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, qytetarët nga vendi ynë morën rrugën për të shkuar në Serbi që ta pranojnë vaksinën kundër virusit korona.

    Derisa nga ana tjetër, Bashkimi Evropian (BE) nuk e miratoi përdorimin e vaksinës kineze në territorin e saj dhe të gjithë ata që kishin pranuar vaksinën kineze nuk llogariteshin që kanë marrë vaksinë dhe si pasoj nuk u lejohej të hynin në territorin e BE-së pa certifikatë të testimit apo pranimit të ndonjë doze të kompanive tjera të vaksinave.

    Fakti që Serbia, e cila ka ambicie aderimi në Bashkimin Evropian (BE) në të ardhmen, bleu vaksina nga Kina, kjo për Pekinin paraqet një fitore të rëndësishme gjeopolitike që po përpiqet të zgjerojë influencën në Evropë. Në anën tjetër, në fund të muajit mars në vitin 2021 kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, siguroi një milion doza vaksinash kineze Sinovac kundër COVID-19, duke negociuar me një kompani turke të autorizuar për distribuimin e tyre. Vaksina kineze në Maqedoninë e Veriut përveç atyre që bleu Qeveria ata erdhën edhe përmes një donacioni prej 30 mijë vaksinash kineze nga Turqia për Maqedoninë e Veriut, në kohën kur kishte mungesë të dukshme të vaksinave për ta vazhduar imunizimin masiv të popullatës.

    Ndërkaq, sipas statistikave të siguruar nga Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut nga 26.02.2020 deri më sot janë aplikuar gjithsej 1.905.365 vaksina, prej të cilave 496.836 Sinovac dhe 306.449 Sinopharm. Ndërsa vetëm Pfizer janë aplikuar gjithsej 914.435 vaksina, AstraZeneca 140.432 vaksina Moderna dhe Jonson gjithsej 910 dhe SputnikV 46.303 vaksina. Ndërkaq, deri te Ministria e Shëndetësisë kërkuam përgjigje lidhur me atë se sa persona të vaksinuar (sidomos me vaksinat kineze) kanë ndërruar jetë, por nga Ministria deri në publikimin e këtij teksti kanë refuzuar të përgjigjen.

    TENTIMI PËR TË QENË PREZENT NË RAJON

    Ish-diplomati, Enver Abdullai, deklaroi për gazetën Koha se riorganizimi i Kinës me Ballkanin Perëndimor, përkoi afërsisht me themelimin e iniciativës në vitin 2011 nga ana e Pekinit për bashkëpunim me Evropën Qendrore dhe Evropën Lindor të ashtuquajturën 16+1 dhe më vonë 17+1 iniciativa kur u bashkëngjit edhe Greqia. Sipas tij, kjo ka të bëjë me një kredi prej 10milardë dollarësh që vendet anëtare të kësaj iniciative të mund të shfrytëzojnë këto linja kreditore.

    “Shtrirja e Kinës në rrafshin e saj Gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor, ka vetëm synimin ekonomik. Pra nëpërmjet rrjetit infrastrukturor që të siguroj plasman për mallrat e saj në Evropën Perëndimore. Meqë si treg krejt Ballkanin Perëndimor nuk është edhe aq atraktiv, është pothuajse 1% i këmbimit ekonomik dhe tregtar që ka me Unionin Evropian. Dhe kësisoj këto linja kreditore, për herë të parë pësuan debakël në Mal të Zi, kur u ngulfat qeveria malazeze që kishte marrë për disa autostrada dhe ura dhe më vonë duheshe që të intervenoj Unioni Evropian për të nxjerrë prej situate linjën kreditore që e kishte marrë qeveria malazeze. Ndërkaq në RMV, Kina është e angazhuar në ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër, nëpërmjet një kompani Kineze. Por qeveria nga e koha e Gruevskit kur është bërë programi i fizibilitetin studimor për trasën e rrugës kanë pasur disa vështirësi dhe mosrealizim të përpiktë të programit studimor dhe fizibilitetin studimor parasegjithash dhe e njëjta ka pësuar ndryshime dhe qeveria aktuale tentoj që të ndërroj. Mirëpo të gjithë studiuesit e lemisë dakordohen, se ka një konsensus të përgjithshëm se të gjitha kontratat që i bëjnë qeveria kineze dhe kompanitë kineze kanë një klauzolë që e ngërthejnë në vete vështirësitë e mosrealizimit të projekteve që nga ana tjetër është indikator se Kina donë të jetë prezentë para se gjithash në këtë rajon”, thotë Abdullai.

    Sipas tij, edhe Kina megjithatë është një shtet me pretendime në botën multipolare dhe në kuadër të këtij pretendimi ishte edhe iniciativa e vaksinave e cila ishte tepër e mirëseardhur për këtë rajon. “Pra prapë është ajo në suaza të asaj që në diplomaci quhet krijimi i urave mes popujve edhe që quhet ‘soft-diplomaci’, pra diplomacia e butë thënë shqip. Rreziku i vendeve të Ballkani Perëndimor është që mund të krijojnë varshmëri prej linjës kreditore që i ka dhe brenga e Unionit Evropian është pikërisht kjo. Meqë të gjithë anëtaret e Ballkanit Perëndimor, gjatë rrugëtimit të saj për anëtarësim në BE duhet ta kemi parasysh se duhet t’i përmbahen edhe komponentës të politikës së jashtme dhe sigurisë pranë Bashkimit Evropian. RMV nëse ka diçka që është yll që shëndëritë është mu ky dimension i politikës së saj në rrugëtimin euro-integruese, pasi që 100% lëre që e kemi harmonizuar mirëpo edhe i përmbahemi sanksioneve kundër Rusisë dhe kështu me radhë. E kjo nuk është në rastin me Kinën”, shprehet Abdulai në fund.

    Vlerësim të tij lidhur me këtë temë ka dhënë edhe ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin. Ai diplomacinë e vaksinave e konsideron si joshje për rritjen e simpatisë të një shteti ndaj një shteti tjetër.

    “Sot e ashtuquajtura ‘Soft Power Policy’ ose politikë e butë të pushtimit, në thelb të themi një metodë gjysmë e re drejtuar opinionit publik, për dallim të ‘hard power policy’, që do të thotë përdorimi i forcës, veçmë një kohë të gjatë në SHBA po zhvillohet teza që nuk është patjetër të fitoni një shtet përmes rrugës së forcës, por përmes të Soft Power Policy, ku përfshihen forma të ndryshme të joshjes, praktikisht një lloj propagande e butë për jetesën edhe për suksese por edhe për harxhimin e produkteve për rritjen e simpatisë të një shteti ndaj shtetit tjetër siç ishte për shembull rasti me Rusinë dhe Kinën që kishin dërguar vaksina falas gjatë kohës së Kovidit. Ose politika e neotomanizmit të cilën e udhëheqë Turqia nga ish territoret turke nga shekulli i mesëm deri shekullin e XIX, ku përpiqet ti rivendos lidhjet tradicionale, qoftë bazë fetare apo lloji tjetër, dhe sidomos me zhvillimin e produksionit të filmit”, ka deklaruar ish diplomati, Nano Ruzhin.

    GJYSMA E POPULLATËS MORËN VAKSINA KINEZE

    Zllate Memedoviq, zëdhënës i KSI-së, ka deklaruar se gjatë periudhës me koronavirusin, shpeshherë shtrohej çështja cila vaksinë të merret pasi ajo ishte edhe një çështje gjeopolitike. Evropa, siç shtoi ai, në atë kohë nuk ishte imune edhe pse sistemi COVAX i vaksinave thoshte se shpërndarja do të bëhet në mënyrë proporcionale dhe asnjë vend nuk do mbet pa vaksina.“Për fat të keq kjo nuk ndodhi, pasi vendet e para që morën vaksinat nga sistemi COVAX në Evropë ishin vendet anëtare të BE-së ndërsa vendet tjera mbetën më vonë. Serbia bëri një lëvizje shumë të mirë pasi mori edhe vaksinat ruse dhe kineze pa pritur nga sistemi COVAX për shpërndarjen e vaksinave. Edhe ne e dimë dhe jemi dëshmitar që shumë qytetar nga vendet tona shkuan në Serbi për të marrë vaksina. Loja strategjike gjeopolitike e Rusisë dhe Kinës, sigurisht që solli pikë kryesore për të gjetur partnerë strategjikë të cilët në të ardhmen do t’ju nevojiten”, shtoi Memedoviq.

    Ai tha se me këtë tentohej që sa më shpejt të gjendet ilaçi për koronavirusin dhe parandalimi i saj. Evropa dhe SHBA, kanë pasur qasje në të gjithë këtë dhe kanë tentuar t’i shpërndajnë sa më shumë që është e mundur vaksinat, ndërsa në anën tjetër kemi edhe vaksinat ruse dhe kineze, të cilët vaksinat e tyre i kanë shpërndarë te partnerët e tyre strategjikë. Është e qartë se vaksinat më efikase ishin të Pfizer dhe Moderna, ndërsa në anën tjetër edhe Sputnik dhe Sinovak kanë qenë solide por jo aq efikase sa Pfizer. Dallimi i teknologjisë që është përdorur në prodhimin e këtyre vaksinave sigurisht që ka ndikuar dhe sfidon edhe efikasitetin e tyre. Të kuptohemi! Edhe pse në vitin 2021 kur filloi Maqedonia e Veriut, për t’i vaksinuar qytetarët, thirrjet tona ishin që të marrin cilëndo vaksinë që i jepet mundësia, pasi ajo do të zvogëloi shanset për t’u infektuar me virusin korona dhe për tu shtrirë në spital. Pasi që Maqedonia e Veriut, atë kohë ishte në top pesë vendet më të dobëta sa i përket vdekjeve të virusit korona për qytetarë”, deklaroi në fund Memedoviq.

    Në kuadër të hulumtimit është realizuar edhe një mini-anketë në rrjetet sociale, ku janë anketuar 40 persona. Anketa është zhvilluar nga 1 qershor – 10 qershor. Nga të dhënat e sublimuara rezulton që  76% e qytetarëve janë vaksinuar prej të cilëve 58% kanë marrë vaksinën Phizer, 10% kanë marrë vaksinë Sinovac dhe Sinopharm, Sputnik 5% dhe si pjesa tjetër me vaksina si AstraZeneca, Johnson dhe të tjerë.

    Në pyetjen se sa kanë pasur besim qytetarët në vaksinat e krijuara nga kompanitë kineze Sinopharm dhe Sinovac, 36 për qind kanë deklaruar se u besojnë shumë pak, 23 për qind kanë thënë se mesatarisht, 28 për qind janë përgjigjur se u besojnë pak dhe vetëm 12 për qind kanë deklaruar se u besojnë shumë.

    Arsyet të cilat janë përmendur se pse nuk besojnë në kompanitë kineze farmaceutike kanë qenë importimi me sasi shumë të madhe të vaksinave në një kohë shumë të shkurtër, mungesa e institucioneve demokratike, mos transparenca, mungesa e informatave rreth vaksinave, kanë dyshime të shtuar ndaj shteteve autoritare. Dyshimi tjetër ka qenë se vet virusi korona kishte prejardhjen nga Kina. Të gjithë këto arsyeje janë përsëritur disa herë nga anketuesit dhe frika se nuk janë analizuar sa duhet efektet anësore të vaksinës.

    Derisa në pyetjen e fundit të anketës se si e shihni ndikimin e Republikës Popullore të Kinës në rajonin e Ballkanit Perëndimor? Prej tyre, 46 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se ndikimin e Kinës e shohin si regresiv dhe e bënë më kompleks klimën politike në rajon. Derisa vetëm 12 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se ndikimin e Kinës e shohin në aspekt progresiv dhe ndihmon rajonin. Vlen të theksohet se 41 për qind e të anketuarve nuk kanë pasur mendim dhe janë deklaruar si neutral.

    Ndryshe, prania e Kinës në Ballkanin Perëndimor ka ardhur në rritje gjatë dekadës së fundit dhe në periudhën e kaluar pamë nivele të reja bashkëpunimi në luftën kundër pandemisë me koronavirusin. Kina ka bërë një përpjekje globale për ta pozicionuar veten si një lojtar kryesor në luftën kundër virusit korona, por kjo përpjekje nuk është pritur me miratim të barabartë kudo. Ballkani Perëndimor dhe veçanërisht Serbia, janë një nga pjesët e botës ku ndihma e Kinës është e mirëpritur. Dhe ndërsa përfitimi afatshkurtër është i padyshimtë, pyetja është se si do të shfaqet në të ardhmen popullariteti i ri në këtë pjesë të Evropës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur nuk është plotësisht e qartë se në çfarë mënyre dhe me çfarë dinamike do të vazhdojë procesi i mëtejshëm i integrimit evropian të rajonit. Me një të ardhme të pasigurt evropiane, po krijohet një vakum për ndikimin e aktorëve të rinj dhe Kina po përfiton nga kjo hapësirë. Vaksinat që kanë mbërritur janë vetëm të fundit në një seri hapash që ka ndërmarrë Kina për t’u bërë një lojtar i rëndësishëm dhe aktiv në rajon. Në këtë mënyrë, ajo fiton popullaritet, jo vetëm në mesin e liderëve politikë, por edhe në mesin e popullatës së zakonshme, gjë që i lejon asaj të pozicionohet më tej dhe të vendosë edhe më shumë praninë e saj në rajon.

    Lajmi Paraprak

    Në samitin e NATO-s, Mitsotakis deklarohet për shkeljen e Marrëveshjes së Prespës

    Lajmi i rradhës

    Si të shtohen të ardhurat në buxhet!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë