Në Komunën e Dibrës është shënuar rritje e kërkesave për marrje ushqimi në Kuzhinën Popullore, por prej disa vitesh, edhe pse ka kërkesa të reja nga familje me probleme sociale, numri i shfrytëzuesve mbetet i njëjtë. Të dhënat nga drejtuesit e institucioneve kompetente tregojnë se në Kuzhinën Popullore në Dibër aktualisht ka gjithsej 120 shfrytëzues. Vetë fakti se numri i familjeve që marrin ndihma sociale është rritur nga 750 në 800 brenda vitit të kaluar, tregon qartë se varfëria është në rritje, si në qytet ashtu edhe në fshatra.
Gjatë një takimi me drejtoreshën e re të Qendrës për Punë Sociale në Dibër, Arlinda Telqiu Mulladauti, u informuam se edhe aktualisht numri i shfrytëzuesve mbetet i njëjtë, respektivisht 120 persona. “Kuzhina Popullore në Dibër, e cila është pjesë e aktiviteteve të Qendrës për Punë Sociale, funksionon pa probleme. Kemi gjithsej 120 shfrytëzues dhe ushqimi është i mjaftueshëm. Përgatitja bëhet në kohë”, na tha në bisedë drejtoresha Telqiu, e cila në këtë post është emëruar para disa muajsh.
Gjatë vitit që kaloi, respektivisht në vitin 2025, por edhe në vitet e mëparshme, nga udhëheqësit e mëparshëm jemi informuar vazhdimisht se ka pasur kërkesa të reja nga dibranë, familje në nevojë, për t’u ushqyer në këtë kuzhinë. Sipas tyre, edhe pse janë dërguar informacione për rritjen e numrit të shfrytëzuesve në Kuzhinën Popullore në Dibër në adresë të ministrisë kompetente, këto kërkesa kanë mbetur vetëm në letër. Kështu, numri prej 120 shfrytëzuesish ka mbetur i pandryshuar për më shumë se një dekadë. Në një situatë të tillë, kur ka rritje të theksuar të familjeve që marrin ndihma sociale, bëhet e qartë se duhet patjetër të rritet edhe numri i shfrytëzuesve. “Varfëria po rritet në Dibër, prandaj kompetentët duhet të rrisin numrin e shfrytëzuesve në Kuzhinën Popullore që financohet nga shteti”, thotë G. F. nga Dibra. Sipas tij, ai është shfrytëzues i ushqimit të përgatitur në kuzhinë, por në të kaluarën ka pasur raste kur për muaj të tërë nuk ka pasur ushqim me mish.
“Kjo ka ndodhur vite më parë. Tani ushqimi është i mirë dhe i mjaftueshëm për mua dhe familjen time treanëtarëshe”, shton ai.
Nga Qendra për Punë Sociale theksojnë se kanë marrë masa maksimale për t’u dalë në ndihmë dibranëve që kërkojnë ushqim në Kuzhinën Popullore. Aktualisht, edhe pse më parë në Dibër kanë funksionuar edhe Kuzhina Popullore private, tani funksionon vetëm Kuzhina Popullore shtetërore. Kuzhinat Popullore private, respektivisht ato të disa shoqatave, kanë pasur probleme financiare dhe kanë ndërprerë aktivitetin e tyre. Për këtë arsye, është shtuar edhe numri i kërkesave për marrje ushqimi në kuzhinën e vetme që funksionon në qytet. /Koha/






