Vazhdon braktisja e nxënësve nga bankat shkollore në Dibër

    Edhe në vitin shkollor 2022- 2023 vazhdoi braktisja e nxënësve nga bankat shkollore në komunën e Dibrës. Është një tendencë e cila është duke u rritur nga viti në vit për shkak të migrimit të popullatës në shtete të Unionit Evropian dhe të SHBA-ve. Për fat të keq kjo dukuri jo vetëm që nuk ndalohet por ka marr edhe një hov të madh në pesë vitet e fundit. Në drejtorit e shkollave fillore të komunës Dibër me shqetësim të madh informojnë se edhe gjatë vitit shkollor që shumë shpejt do të përfundojë, pati braktisje të nxënësve nga bankat shkollore.

    Në të tre shkollat fillore edhe atë “Penestia” dhe “Said Najdeni” në Dibër, dhe “Riste Ristevski” në fshatin Kosovrast i Poshtëm, thonë se ka një ulje të numrit të nxënësve pikërisht për shkak të migrimit të shumë familjeve të cilët normalisht me vete i marrin edhe fëmijët që janë nxënës në shkollat e Dibrës.

    Drejtori i shkollës më të madhe komunale fillore në Dibër “Penestia”, Ajet Mullarexha për gazetën KOHA thotë se gjatë vitit shkollor 2022-2023 nga bankat shkollore drejt shteteve të Unionit Evropian kanë shkuar në migrim së bashku me familjet e tyre 12 nxënës. Por ka mundësi deri në fund të vitit shkollor ky numër të rritet.

    “Ky problem është prezent tani më disa vite, meqë nga viti në vit ka nxënës të cilët çregjistrohen dhe me familjet e tyre migrojnë jashtë shtetit”, thotë drejtori Mullarexha.

    Në këtë shkollë fillore mësimi mbahet në gjuhën shqipe dhe maqedonase dhe çregjistrime ka të nxënësve në paralelet në të dy gjuhët. Problemin e kemi debatuar me prindërit por edhe me këshillin e shkollës. Është një dukuri e cila nuk ka të ndalur, thotë drejtori Mullarexha. Problemi është akut edhe në shkollën fillore “Said Najdeni” në Dibër.

    Drejtori i shkollës Arsim Miftari thekson se deri në muajin mars të vitit shkollor 2022- 2023 janë çregjistruar gjithsej 8 nxënës. “Në këtë shkollë ku mësimi realizohet në gjuhën shqipe nga viti në vit ka çregjistrime të nxënësve. Dukuria është shumë negative dhe e dëmshme por proceset e migrimit për fat të keq vazhdojnë, thotë drejtori Miftari dhe shton se karakteristike në këtë shkollë është se nxënësit largohen për në shtetet e jashtme dhe shumica kthehen pas tre muajsh.

    Në shkollën të vetme qendrore në vendbanimet rurale , respektivisht në fshatin Kosovrast i Poshtëm “Riste Ristevski”, sipas drejtorit Shania Ajroski ndër vite ka një ulje të numrit të nxënësve. “Viti shkollor që do të përfundoj në qershor në shkollat periferike që mbulon kjo shkollë janë ç’regjistruar 10 nxënës. Pritet që ky numër të rritet deri në qershor meqë ka kërkesa të reja për çregjistrim. Në bisedën që patëm me familjar që kërkojnë ç’regjistrim të nxënësve respektivisht fëmijëve të tyre u informova se ata do të migrojnë në Itali apo Gjermani.

    Situata ka përmasa shqetësuese. Vetëm dekadën e fundit numri i nxënësve në shkollat fillore në Dibër pothuajse është përgjysmuar. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shenjat e çrregullimeve hormonale që nuk duhen injoruar

    Lajmi i rradhës

    Qeveria e Kosovës insiston në modelin kroat për Asociacionin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë