Vazhdon të mbetet mister, shkaku i rrëzimit të aeroplanit në Kazakistan

    Më shumë se 30 persona humbën jetën, kur një aeroplan azerbajxhanas u rrëzua në Kazakistan. 29 persona mbijetuan. Shkaku i rrëzimit është i paqartë. Ka disa teori.

    Pas rrëzimit të një avioni pasagjerësh në Kazakistan me disa të vdekur, shkaku i aksidentit mbetet i panjohur.

    Shoqëria e fluturimit, Azerbajxhani Airlines dhe Autoriteti Rus i Aviacionit Civil thanë se informacionet paraprake sugjeronin se piloti vendosi të bënte një ulje emergjente pasi avioni u godit nga një zog.

    Nga ana tjetër, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se sipas informacioneve të tij, avioni ka ndërruar itinerar për shkak të motit të keq.

    Avioni Embraer 190 u ngrit nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku në mëngjes dhe ishte planifikuar të fluturonte rreth një orë për në Grozny në republikën ruse të Çeçenisë.

    Megjithatë, avioni me numër fluturimi J2-8243 nuk mundi të ulej në Grozny dhe për këtë arsye u nis për në një aeroport alternativ, tha Aliyev.

    Megjithatë, mbetet e paqartë pse makina devijoi qindra kilometra nga kursi. Aktau ndodhet në anën tjetër të Detit Kaspik – përballë Azerbajxhanit dhe Rusisë.

    “Ndikimi i jashtëm, skenari më realist”

    Sipas ekspertit të aviacionit, Heinrich Großbongardt, mjegulla ose një tufë zogjsh nuk ka gjasa të jenë shkaku i rrëzimit.

    “Skenari realist është një ndikim nga jashtë”, tha ai për Tagesschau. “Avioni u dëmtua jashtëzakonisht shumë dhe nuk mund të kontrollohej. Kjo nuk është diçka që shkaktohet nga një tufë zogjsh, për shembull, ku motorët dalin nga funksioni, por avioni mbetet i kontrollueshëm”.

    Blogerët ushtarakë rusë nuk përjashtuan që avioni mund të kishte hyrë në zonat mbi Kaukazin e Veriut ku luftoheshin dronët ukrainas në mëngjes.

    Platforma e gjurmimit të lëvizjes të avionëve, “Flightradar24” bëri të ditur, se avioni kishte pasur probleme të mëdha me sinjalet GPS, pasi “nuk dërgonte të dhëna të mira të ADS-B”.

    Ky është një sistem kontrolli për sigurinë e fluturimit që shërben për të treguar lëvizjet e avionit në hapësirën ajrore dhe transmetimin e të dhënave të pozicionit të avionëve, Rusia është akuzuar vazhdimisht për bllokimin e qëllimshëm të sinjaleve GPS në rajon.

    Qeveria e Kazakistanit bëri të ditur, se do të bashkëpunonte me Azerbajxhanin në hetimin e rrëzimit të aeroplanit.

    Hetimet ndër të tjera kanë të bëjnë me pretendimet për “shkelje të rregullave të sigurisë” në trafikun ajror.

    Në mbrëmje, ekipet e shpëtimit zbuluan regjistruesin e fluturimit të makinës, e njohur edhe si kutia e zezë. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Cili është ushqimi më i mirë për fëmijët në mëngjes?!

    Lajmi i rradhës

    Vriten pesë gazetarë palestinezë në sulmin izraelit në Gazë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë