Sa është funksional sistemi për mbrojtje civile, ishte tema e edicionit të fundit të Klik Plus në TV21. Duke folur për gjendjet me vendfshehjet, ish-drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Bekim Maksuti, theksoi se më së fundi në vitin 2015 janë rinovuar tre vendfshehje dhe që atëherë e deri më sot fare nuk investohet.
“Vendi jonë posedon mjaft vendfshehje nga sistemi paraprak, që për fat të keq nuk mirëmbahen për shkak të shumë arsyeve. Si arsye numër një është fakti që nuk ndahen mjete që të njëjtat të rinovohen. Në një pjesë të tyre ka kompani private, përkatësisht një pjesë e tyre vite me radhë janë brenda dhe nuk mund t’i largoni, kemi kërkuar edhe asistencë nga policia”, tha Bekim Maksuti – ish-drejtor i DMSH.
Maksuti i konfirmoi informacionet se një pjesë e madhe e vendeve të fshehjes tashmë janë qendra fitnesi, depo si dhe fabrika prodhimi. Ai njëkohësisht ankohet edhe për atë që është larguar kushti që çdo ndërtesë e re e ndërtuar të ketë vendfshehje. Profesori universitar Metodi Haxhi Janev, vlerësoi se ky problem është rezultat i drejtpërdrejtë i korrupsionit.
“Keni kuadro joadekuat, që është marrë me sektorin e sigurisë, mbrojtjen e qytetarëve etj. dhe ka lejuar që individë biznes-fitimprurës të destinojnë nevojat e tyre si dhe kërkesat dhe të ruajnë speca dhe domate në vende që duhet të jenë të mbrojtura dhe që kanë standarde të caktuara për mbrojtjen e tyre”, tha Metodi Haxhi Janev – profesor universitar.
Sipas Haxhi Janev, jo rastësisht Stejt Departamenti ka theksuar se korrupsioni drejtpërdrejtë dëmton sigurinë kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga Uashingtoni porositën se duhet të promovohet përgjegjësia dhe të përforcohet lufta kundër mos sanksionimit.